Jezusi u afrua dhe po ecte me ta
08 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Jezusi u afrua dhe po ecte me ta”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES - Lk 24, 13-35
Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Po atë ditë, thotë Ungjilli – pra ditën kur Krishti ishte ngjallur – nxënësit e Tij janë pa shpresë dhe të trishtuar. Ditën e gëzimit dhe të fitores, ata janë të zhgënjyer, sepse e kishin parë Jezusin në Kryq. “Dy prej tyre po shkonin në Emaus…” Ata po largohen nga Jerusalemi, nga vendi i kryqit. A nuk ndodh ndonjëherë edhe me ne? Kur përjetojmë dhimbje, zhgënjim apo humbje, tundohemi të largohemi: nga lutja, nga bashkësia, ndonjëherë edhe nga Zoti. Por pikërisht aty ndodh mrekullia: ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. Jezusi afrohet si një udhëtar i zakonshëm. Ata ishin duke u larguar dhe Jezusi ju afrohet atyre si një shok udhe. Ai ecën me ta edhe pse ata nuk e njohin. Sytë e tyre janë të penguar, nuk mund ta njohin, sepse janë të mbyllur në mënyrën si i interpretojnë ngjarjet. Jezusi nuk i qorton menjëherë, as nuk i ndalon; thjesht ecën me ta. Kjo është mënyra e Zotit: afërsia. Papa Françesku shpesh thoshte se Zoti ka tre stile: afërsia, dhembshuria dhe butësia. Kjo është një ngushëllim i madh për cdo njëri: edhe kur ne largohemi, Zoti na afrohet. Atëherë Jezusi i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”. Ata u ndalën të trishtuar. Sigurisht Jezusi e di përgjigjen, por do që ata të flasin. Ai i lë të flasin, të zbrazin zemrën, pa i ndërprerë. Jezusi i fton të hapin zemrën. Shërimi fillon kur njeriu e shpreh dhimbjen e vet. Njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?” Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. Të ndalemi pak në rreshtin 21 të këtij Ungjilli: Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. Nuk thonë: “ne shpresojmë”. Por ne shpresonim “Në shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin”, por gjithçka përfundoi në Kryq.
Këta nxënës e shohin Kryqin si fundin e shpresës. Para Kryqit zhgënjehen. Shpresa e tyre ka vdekur në Kryq. Kishin një plan për Jezusin… Por Jezusi nuk e ndoqi atë plan. Tani nuk presin më asgjë prej Jezusit dhe kanë vendosur të largohen. Në të vërtetë, ata kanë pritur dhe shpresuar se Jezusi do t’i çlironte pa Kryq.” Disa herë kjo është edhe jeta jonë: “Unë shpresoja që kjo marrëdhënie të funksiononte…” “Unë shpresoja që Zoti do të përgjigjej…” “Unë shpresoja që gjërat do të shkonin ndryshe…” Dhe kur nuk ndodh kështu, d.m.th. kur Zoti nuk vepron sipas pritjeve tona, humbasim shpresën dhe trishtohemi. Vazhdojnë nxënësit e Emausit duke i thënë Jezusit: Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.” Ja të dashur dëgjues Ata kanë dëgjuar lajmin e Ringjalljes, por nuk besojnë. Dëgjimi nuk mjafton nëse zemra nuk është e hapur. Mund të dëgjojmë të vërtetën, por të mos e pranojmë, nëse mbetemi të mbyllur në pritjet tona. Mungesa e besimit nuk është vetëm dobësi, por edhe mbyllje ndaj së vërtetës.
Atëherë: Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” Jezusi i ndihmon të kuptojnë. Vuajtja nuk ishte gabim; ishte pjesë e planit të Hyjit Ate. Dhe kjo ndryshon gjithçka. Sepse edhe në jetën tonë, ajo që e quajmë dështim mund të jetë pikërisht ajo që Zoti përdor për shpëtim. Jezusi dëshiron t’i japë kuptim dhimbjes që kanë përjetuar. Dhe ketë e bën duke ju shpjeguar Shkrimin Shenjt, sepse pa dritën e Fjalës, Kryqi mbetet skandal; me Fjalën, bëhet rrugë shpëtimi. Kryqi nuk është aksident, por rruga drejt lavdisë. që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta. Ky është momenti vendimtar: njeriu hap derën e zemrës. Besimi lind nga dëshira për praninë e Tij. Është mbrëmje, është errësirë: Jezusi Rri me ne dhe Jezusi hyri që të rrijë me ta. Në tryezë, mori bukën, e theu dhe ua dha. Atëherë iu hapën sytë dhe e njohën. Ata e njohin Jezusin në thyerjen e bukës, në dhurimin e vetes. Jo, Jezusi nuk zbulohet si ide, por si dhuratë. Pastaj zhduket, sepse tani prania e Tij bëhet e brendshme. Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Po “A nuk na digjej zemra ndërsa fliste me ne?” Kjo është shenja e pranisë së Zotit: zemra që digjet, jo vetëm mendja që kupton. Ata e kuptojnë se Zoti kishte qenë me ta gjatë gjithë rrugës. “Ungjilli i sotëm të drejtohet edhe ty, i dashur dëgjues: Kur ka qenë hera e fundit që zemra jote është ngrohur prej Fjalës së Zotit?
Përfundon Ungjilli duke thanë se: U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën. Menjëherë ndryshojnë drejtim: nga ikja në mision, nga errësira në dritë, nga trishtimi në gëzim, nga zhgënjimi në shpallje. Kush e ka takuar Jezusin, bëhet dëshmitar.
“O Zot i Ngjallur, Ti që je jeta ime dhe drita e shpirtit tim, zgjoje zemrën time që të të kërkoj, ndriçoje mendjen time që të të njoh, dhe ndiz dashurinë time që të të dua përgjithmonë. Amen.”