Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!

28 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- Mt 5, 43-48

 

“Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.  E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,  për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët.  Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit?  E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

Jezusi sot na flet me fjalë që tronditin zemrën tonë. Na kërkon me i dashtë armiqtë tanë, me u lutë për ata që na mundojnë. Dhe kjo nuk është thjeshtë një këshillë, por është një urdhër i Jezusit. Një urdhër që nuk është aspak i lehtë. Një urdhër nëpërmjet të cilit Jezusi është duke na ftuar të hyjmë në logjikën e dashurisë së Hyjit Atë. Dhe është pikërisht këtu që fillon rruga e vërtetë shpirtërore. Këtu fillon rruga e transformimit të brendshëm. Në të vërtetë të duash mikun është njerëzore; të duash armikun është hyjnore. Të duash armikun është shenjë se njeriu po bëhet “bir i Atit”, me zemër, e jo vetëm me emër. Sigurisht të dashur dëgjues, të duash armikun nuk do të thotë të pranojmë të keqën, as ta justifikojmë të keqen. Por të duash armikun do të thotë të duash personin. Të dëshirosh kthimin dhe shpëtimin e tij.

Është e lehtë ti duam njerëzit që na duan dhe na kuptojnë. Është e lehtë të jemi të mirë me ata që janë të mirë me ne dhe, duket të dashur dëgjues, se të duash armikun na kushton, por urrejtja kushton më shumë, sepse urrejtja që mbajmë në zemër na merr paqen, gëzimin dhe lirinë e shpirtit. Kur Jezusi na thotë me dashtë armiqtë, në të vërtetë është duke na thënë që të hyjmë në rrugën e lirisë dhe të gëzimit të brendshëm.

Jezusi nuk na kërkon t’i duam armiqtë tanë, me forcat tona, por të lejojmë Shpirtin Shenjt të krijoj në ne një zemër të re. Prandaj Jezusi na thotë edhe: “Lutuni për ata që ju bajnë me vuajt, që ju bëjnë keq.” Lutja për armikun nuk e ndryshon menjëherë tjetrin, por na ndryshon ne. Kur lutemi për atë që na ka lënduar: zemra fillon të zbutet, kujtesa shërohet, dhe Zoti gjen hapësirë për të vepruar. Po, lutja për armikun është ilaçi më i fortë kundër ndjenjës së hakmarrjes, sepse në lutje për armiqtë, urrejtja fillon të humbasë forcën e saj. Lutja bën mrekulli të vërteta brenda nesh.

Jezusi përdor dy imazhe të natyrës për të zbuluar se Hyji Atë na do pa kushte. Zoti nuk i dhuron të mirat vetëm atyre që janë të denjë, por bën që dielli të lindë mbi të mirë e mbi të këqij dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët. Dielli sjell dritë, ngrohje dhe jetë. Në të njëjtën mënyrë, dashuria që shtrihet mbi armiqtë ndriçon dhe ngroh zemrat. Shëron plagë, shndërron marrëdhëniet dhe sjell jetë të re në zemër dhe në një botë të copëtuar nga urrejtja.

Në fund të Ungjillit t’ sotëm Jezusi na thotë: “Bëhuni të përsosur, ashtu si Ati juaj qiellor është i përsosur.” Jezusi nuk po thotë: mos gabo, por mos e mat dashurinë. Të jesh i përsosur do të thotë të zgjedhësh me dashtë edhe kur është e vështirë, edhe kur të duket se tjetri nuk e meriton dashurinë tënde. Përsosmëria e krishterë është të jetosh gjithnjë më shumë sipas zemrës së Atit. Pra nuk është barazi me Hyjin, por përngjasim në dashuri pa kushte.

Tani të ftoj të mendosh i dashur dëgjues: “Kush është armiku yt?” Jo “armiqtë” në përgjithësi. Por: ai që të ka tradhtuar, ai që të ka poshtëruar, ai që të ka lënduar thellë, ai që ende të dhemb në shpirt kur e kujton. Sot Jezusi po të thotë: Mos lejo që e keqja që ta ka bërë ta helmojë zemrën tendë. Kujdes! Jezusi nuk e mohon dhimbjen që ndjen në zemrën. Jezusi nuk të thotë: Nuk të kanë bërë gjë. Ai e njeh dhimbjen tende, i sheh lotët e tu, por të thotë: Mos lejo që zemra e jote të prishet për shkak të vajtjes së padrejtë që ke përjetuar.

 

O Hyji i Mirë, më mëso të dua si Ti, më ndihmo të jem bir, jo gjykatës i atyre që më kanë bërë të vuaj! O Mari, Nënë e Dhimbjes, lutu për ne! Amen.