Jo, s’erdha të shlyej ligjin, por ta përkryej!

10 QERSHOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Jo, s’erdha të shlyej ligjin, por ta përkryej!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- Mt. 5, 17-19.

 

Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

 

Të dashur dëgjues, nga Ungjilli i sotëm kuptojmë se Zoti ynë Jezu Krisht, duke folur në malin e shenjtë, nuk i shfuqizon fjalët e Ligjit të Vjetër, por i lartëson ato. Ai nuk i hedh poshtë urdhërimet e dhëna përmes Moisiut, por u jep atyre kuptimin e tyre të plotë dhe shpirtëror. Sepse Ai vetë është përmbushja e Ligjit dhe drita e Profetëve.

Siç e dëgjuam, Ungjilli fillon me fjalët e Jezusit: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej.”

Kjo nuk do të thotë thjesht “ta zbatoj më mirë”, por “ta çoj në plotësi”. Domethënë: nga shkronja te shpirti; nga rregulli te dashuria; nga detyrimi te liria; nga frika te bijësia. Pra, ta çoj Ligjin në qëllimin e tij përfundimtar dhe ta zbuloj kuptimin e tij të vërtetë.

Në fakt, shpesh biem në tundimin ta shohim Jezusin si dikë që erdhi për të shfuqizuar atë që ishte e vjetër. Ligjin e Moisiut, traditat e Profetëve, strukturën fetare të Izraelit. Jezusi nuk lë vend për keqkuptime, sepse Ai shpall qartë: Nuk erdha ta shlyej Ligjin. Kjo na mëson se Ligji nuk ishte gabim. Profetët nuk ishin iluzion. Besëlidhja e Vjetër nuk ishte e pavlerë. Por gjithçka ishte e paplotë. Në këtë kuptim, Ligji është si një rrugë që e udhëheq udhëtarin drejt destinacionit, por nuk është vetë destinacioni. "Profetët ishin gishtat që tregonin drejt Mesisë; Jezusi është vetë Mesia. Ata shpallnin dritën që po vinte, ndërsa Ai është Drita e botës që ndriçon përgjithmonë."

Prandaj Jezusi shpall se: “Asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit.”

Kjo fjalë na fton të shqyrtojmë jetën tonë, sepse shpesh tundohemi të zgjedhim nga Ungjilli vetëm ato pjesë që na pëlqejnë dhe i lënë mënjanë ato që na thërrasin në kthim të vërtetë të zemrës. Por Krishti na thërret ta pranojmë Fjalën e Tij në plotësinë e saj. Nuk mjafton të besojmë në mëshirën e Hyjit dhe të harrojmë thirrjen për kthim. Nuk mjafton të flasim për dashurinë dhe të anashkalojmë të vërtetën. Nuk mjafton ta nderojmë Krishtin me buzë, nëse zemra nuk i bindet Fjalës së Tij.  Në fund, këto fjalë na japin siguri se në një botë ku fjala njerëzore shpesh humbet vlerën, ku premtimet thyhen dhe e vërteta relativizohet, Jezusi na kujton se ka diçka që nuk ndryshon. E vërteta hyjnore nuk ndryshon. Fjala e Hyjit është e qëndrueshme. Premtimet e Tij mbeten të palëkundura. Besnikëria e Tij nuk ndryshon.

“Ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.”

Këto fjalë të Jezusit na zbulojnë një të vërtetë themelore të jetës së krishterë: madhështia në sytë e Hyjit nuk matet me pushtet, famë apo sukses njerëzor, por me besnikërinë ndaj vullnetit të Tij. Në Mbretërinë e qiellit, i madh nuk është ai që flet më shumë për Hyjin, por ai që e jeton Fjalën e Tij dhe pastaj ua dëshmon atë të tjerëve.

Dëgjuam, të dashur dëgjues, se Jezusi nuk thotë vetëm: “Ai që do t’i mësojë”, por së pari: “Ai që do t’i mbajë.” Kjo renditje nuk është e rastësishme. Para se të bëhet mësues i të tjerëve, njeriu duhet të bëhet nxënës i bindur i Krishtit. Fjalët kanë peshë vetëm kur mbështeten nga jeta. Mësimi më i fuqishëm nuk është ai që del nga buzët, por ai që buron nga shembulli. Një jetë e shenjtë është predikimi më bindës.

Në të vërtetë, Krishti është modeli i përsosur i këtij vargu. Ai nuk erdhi vetëm për të na treguar rrugën; Ai vetë e përshkoi atë. Ai nuk na mësoi vetëm dashurinë; Ai na deshi deri në kryq. Ai nuk foli vetëm për faljen; Ai fali ata që e kryqëzuan. Prandaj, çdo i krishterë është i thirrur të bëhet një pasqyrim i Krishtit: të jetojë atë që beson dhe të dëshmojë atë që jeton. Nganjëherë armiku i shpirtit na shtyn të mendojmë se për t’i mësuar të tjerët duhen fjalë të mëdha ose njohuri të jashtëzakonshme. Por Hyji vepron shpesh përmes gjërave të thjeshta. Një prind që jeton fenë me besnikëri para fëmijëve të vet, një meshtar që shërben me përvujtëri, një i moshuar që lutet me durim, një i ri që qëndron besnik në mes të tundimeve – të gjithë këta bëhen mësues të heshtur të Ungjillit. Në këtë dritë, kuptojmë se Jezusi nuk po flet vetëm për ata që predikojnë nga amboni apo japin mësim në Kishë. Çdo i krishterë është thirrur të jetë mësues përmes jetës së vet. Çdo veprim, çdo zgjedhje, çdo fjalë e jona mund t’i afrojë të tjerët më pranë Krishtit ose t’i largojë prej Tij.

 

O Zot Jezus, Ti që nuk na mësove vetëm me fjalë, por me jetën, mundimin dhe kryqin Tënd, bëj që zemrat tona të jenë të bindura ndaj Fjalës sate. Na jep hirin që ta jetojmë atë që besojmë dhe ta dëshmojmë atë që jetojmë, që jeta jonë të bëhet një dritë e heshtur që i çon të tjerët drejt Teje. Amen.