Ju dhashë shembull që, edhe ju, të bëni ashtu!
02 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Ju dhashë shembull që, edhe ju, të bëni ashtu!”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 13, 1-15
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na çon në një nga momentet më të thella të jetës së Zotit tonë Jezu Krishtit: në larjen e këmbëve.
Ungjilli fillon duke thënë: “Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët, ata që ishin në botë i deshi deri në pikën e fundit. “Gjate darkës, Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente, u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
Të ftoj, i dashur dëgjues, të ndalosh pak dhe të mendosh për atë darkë të shenjtë. Mendoje Jezusin të ulur në tryezë me dishepujt e Tij. Ai është Mësuesi i tyre, Zoti i tyre, Biri i Hyjit të gjallë. Atë që Engjëjt e qiellit e adhurojnë, dhe i gjithë krijimi i bindet fjalës së Tij, në atë moment të darkës, Ai ngrihet nga tryeza. Merr ujin dhe fillon të përkulet përpara dishepujve që t’ua lajë këmbët. Sa e thellë është kjo pamje! Sa i madh është ky shembull përvujtërie!
O Jezus i mirë! Çfarë bën? O Jezus i ëmbël, përse madhështia jote përkulet kaq shumë? Si është e mundur që Zoti i gjithësisë të përkulet përpara krijesave të Tij? Si mundet Ai që është i shenjtë dhe i pafajshëm të prekë këmbët e papastra të njerëzve? Madje, jo vetëm përpara dishepujve të Tij besnikë, por edhe përpara këmbëve të Judës, atij që tashmë kishte vendosur në zemrën e tij ta tradhtonte.
Çfarë misteri dashurie është ky! Jezusi e di tradhtinë e Judës, e di dobësinë e Pjetrit, e di frikën dhe pasigurinë e dishepujve dhe megjithatë, Ai përkulet përpara tyre dhe u shërben me përvujtëri.
O duar të bardha e të bukura të Jezusit! Duar që kanë krijuar botën, duar që kanë shëruar të sëmurët dhe kanë bekuar fëmijët, duar që kanë ngritur të vdekurit dhe kanë shpërndarë mëshirën e Hyjit – si mund të prekni këmbë kaq të ndyra?
Në këtë moment zbulohet zemra e vërtetë e Hyjit: një Hyj që nuk largohet nga njeriu për shkak të dobësisë së tij, por që përkulet për ta ngritur, për ta pastruar dhe për ta shpëtuar. Jezusi, Biri i Hyjit të gjallë, Krijuesi i botës, bukuria e qiellit, parajsa e engjëjve, shpëtimi i njerëzve, shkëlqimi i lavdisë dhe burimi i urtësisë së Hyjit, bëhet shërbëtor për dashuri ndaj njeriut.
E kur Jezusi afrohet te Pjetri, zemra e tij tronditet thellë. Ai nuk mund ta pranojë këtë, prandaj i habitur dhe i tronditur i thotë: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?” “Ç’po bëj unë?” iu përgjigj Jezusi. “Ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”
Pjetri iu përgjigj: “Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!” “Nëse nuk do të laj,” i tha Jezusi, “nuk do të kesh pjesë me mua.”Simon Pjetri iu përgjigj: “Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!” Nga kjo kuptojmë se shpëtimi nuk është pasojë e meritës sonë, por është dhuratë falas e dashurisë hyjnore. Zoti nuk pret që të bëhemi të denjë për të na dashur, por dëshiron që ta pranojmë dhe ta lejojmë dashurinë e Tij të na pastrojë.
Pasi Jezusi mbaroi larjen e këmbëve, Ai i fshiu ato me peshqirin me të cilin ishte ngjeshur. Kjo është një shenjë e asaj që Krishti do të bëjë për njerëzimin në kryq. Po, Jezusi në Kryq deshi të marrë mbi vete të gjitha njollat dhe papastërtitë e shpirtrave tanë. Ai deshi të marrë mbi vete mëkatet tona, që ne të bëhemi të pastër dhe të lirë. Në fund të kësaj ngjarjeje, Jezusi nuk lë vetëm një gjest për t’u kujtuar. Ai lë një thirrje për jetën e çdo të krishteri. Jezusi thotë: “Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.” Prandaj të lash këmbët e tjetrit do të thotë: Të jesh i mirë me familjen. Të ndihmosh një mik në nevojë. Të falësh dikë që të ka lënduar. Këto, të dashur dëgjues, janë këmbët që ne duhet të lajme çdo ditë.
O Jezus i përvujtë dhe i dashur, Ti që u përkule për të larë këmbët e dishepujve, pastro edhe zemrat tona nga çdo mëkat dhe krenari. Na ndihmo që të jemi shërbëtorë të vërtetë dhe të përvujtë ndaj të gjithëve që na rrethojnë! Amen.