“Ju jeni kripa e tokës!”

08 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Ju jeni kripa e tokës!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT - Mt 5, 13-16

 

 

 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.  Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit.   As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi.  Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

         

Të dashur dëgjues sot Jezusi u drejtohet dishepujve – dhe secilit prej nesh – me dy pohime të forta, pa kushte, pa urdhër, pa “duhet”; duke na thënë:  “Ju jeni kripa e tokës. Ju jeni drita e botës.Ai nuk thotë: bëhuni, por: Ju jeni.”

Fillojmë reflektimin tonë mbi pohimin e parë: “Ju jeni kripa e tokës”. Në botën biblike, kripa kishte tre funksione themelore: 1) Ruajtja. Ashtu si kripa ruan mishin ose ushqimet e tjera nga prishja, edhe i krishteri është i thirrur ta ruajë botën nga prishja shpirtëror: nga gënjeshtra, dhuna, indiferenca, humbja e shpresës... 2) Shija. Sikurse kripa i jep shije ushqimit, po ashtu, shpirti i bashkuar me Krishtin i jep shije jetës së të tjerëve: shije shprese, butësie, kuptimi...3) Besëlidhja. Në Librin e Levitikut përmendet “kripa e Besëlidhjes” (Lev 2,13). Kripa është shenjë e besnikërisë, e lidhjes që nuk prishet. I krishteri është thirrur të jetë shenjë se Hyji mbetet besnik edhe kur njeriu lëkundet.

Por Jezusi shton një paralajmërim: “Po qe se kripa prishet, s’vlen më për asgjë”. Kripë pa shije është: besimi si zakon, fjala pa dëshmi, dija pa dashuri. Kripa jep shije vetëm duke u shkrirë. Nëse nuk shkrihet, bëhet e pavlefshme. Nëse jeta që nuk dhurohet, humbet shijen. Këtu zbulohet paradoksi i krishterimit: jeta ruhet duke u dhuruar.

Vazhdojmë me reflektimin e pohimit të dytë. “Ju jeni drita e botës”. Jezusi më parë kishte thënë: “Unë jam Drita e botës” (Gjn 8,12). Tani, Ai ua beson këtë mision dishepujve. Në të vërtetë, dishepulli nuk prodhon dritë nga vetja; ai reflekton dritën. Dritën që buron nga marrëdhënie e vërtetë me Krishtin. Drita të orienton, të ngroh dhe zbulon të vërtetën.

Shihet qartë se të dy pohimet lidhen me një bosht të vetëm shpirtëror: Kripa flet për atë që ndodh brenda njeriut. Ajo tretet, nuk duket, por ndryshon gjithçka. Në fakt, thellësia e brendshme është vendi ku njeriu merr formë prej Hyjit. Ndërsa Drita, flet për atë që shfaqet jashtë. Ajo nuk mund të fshihet: ndriçon, orienton, zbulon. Krishteri që jeton i bashkuar me Krishtin, edhe pa dashur të duket, bëhet i dukshëm në vepra, në fjalë, në qëndrime, në mënyrën si i trajton të tjerët.

Pra lidhja shpirtërore mes tyre është kjo: Kripa formon brendësinë, drita e zbulon atë. Kripa e shenjtëron zemrën, drita e dëshmon atë para botës.  Janë të pandashme, dhe të dyja janë fryt i bashkimit me Krishtin.

Shën Agustini i përmbledh me një frazë të artë: “Kripa i jep shije dashurisë, drita i jep drejtim veprës. “Pa dashuri, e vërteta bëhet e ashpër. Pa të vërtetë, dashuria bëhet e  verbër”.

Përfundon Ungjilli duke thënë: Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin.” Jezusi nuk na thotë: që ti dëgjojnë fjalët tuaja, por, t’i shohin veprat tuaja. Edhe këtu të dashur dëgjues, veprat tona nuk shërbejnë për lavdinë tonë; por që në to të shohim Lavdinë e Atit dhe vetëm atë ta lëvdojnë. Prandaj, Feja bëhet e besueshme kur mishërohet: në durim, falje, drejtësi, mëshirë, dhe dashuri konkrete.

 Të dashur dëgjues, jemi të thirrur që në veprat e mira të cilat i bëjmë, njerëzit ta shohin dritën që i çon tek Ati, e jo të shohin hijen tonë.