Ju jeni kripa e tokës!

9 QERSHOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ju jeni kripa e tokës!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - Mt 5, 13 - 16

 

“Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.  Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit.   As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi.  Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

         

Të dashur dëgjues, sot Jezusi u drejtohet dishepujve – dhe secilit prej nesh – me dy pohime të forta: jo kushte, jo urdhra, jo “duhet”, por: “Ju jeni kripa e tokës. Ju jeni drita e botës.” Pra, Jezusi nuk na thotë: “Bëhuni”, por: “Ju jeni.”

Fillojmë reflektimin tonë mbi pohimin e parë: “Ju jeni kripa e tokës.” Në botën biblike, kripa kishte tre funksione themelore: Ruajtja. Ashtu si kripa ruan ushqimet nga prishja, edhe i krishteri është i thirrur ta ruajë botën nga prishja shpirtërore: nga gënjeshtra, dhuna, indiferenca, humbja e shpresës... Shija. Kripa i jep shije ushqimit. Po kështu, shpirti i bashkuar me Krishtin i jep shije jetës së të tjerëve: shije shprese, butësie, kuptimi... Besëlidhja. Në Librin e Levitikut përmendet “kripa e Besëlidhjes” (Lev 2,13). Kripa është shenjë e besnikërisë, e lidhjes që nuk prishet. I krishteri është thirrur të jetë shenjë se Hyji mbetet besnik edhe kur njeriu lëkundet.

Jezusi, jep edhe një paralajmërim të rëndësishëm.: “Po qe se kripa prishet, s’vlen më për asgjë.” Kripa pa shije është: besimi si zakon, fjala pa dëshmi, dija pa dashuri. Kripa jep shije vetëm duke u shkrirë; po kështu edhe jeta jonë, kur nuk dhurohet me dashuri, e humbet shijen dhe bukurinë e saj të vërtetë. Këtu zbulohet paradoksi i krishterimit: jeta ruhet duke u dhuruar.

Vazhdojmë me reflektimin e pohimit të dytë: “Ju jeni drita e botës.” Jezusi më parë kishte thënë: “Unë jam Drita e botës” (Gjn 8,12). Tani, Ai ua beson këtë mision dishepujve. Në të vërtetë, krishteri nuk është burimi i dritës, por pasqyrimi i saj. Ashtu si hëna nuk ka dritë nga vetja, por pasqyron dritën e diellit, kështu edhe ne jemi të thirrur të reflektojmë dritën e Krishtit. Kur njeriu jeton në bashkim me Jezusin, edhe gjërat më të thjeshta — një fjalë e mirë, një sakrificë e fshehtë, një falje dhe një buzëqeshje e dhënë me dashuri — bëhen dritë për botën. Shihet qartë, pra se lidhja shpirtërore mes tyre është kjo: kripa formon brendësinë, drita e zbulon atë. Kripa e shenjtëron zemrën, drita e dëshmon atë para botës. Janë të pandashme dhe të dyja janë fryt i bashkimit me Krishtin. Shën Augustini i përmbledh me një frazë të artë: “Kripa i jep shije dashurisë, drita i jep drejtim veprës.”

          Tani Jezusi shton edhe diçka shumë të rëndësishme: “që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin.” Kujdes! Jezusi nuk tha: “Le t’ju shohin ju”, por: “Le të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin.” Në fakt, rreziku i madh i jetës shpirtërore është të bëjmë vepra të mira për lavdi personale. Por, nëse me veprat tona të mira i tërheqim njerëzit drejt nesh dhe jo drejt Hyjit, atëherë nuk do të shndrisë drita e Krishtit, por drita e rreme e krenarisë sonë. Prandaj jemi të ftuar të kemi kujdes nga dëshira për t’u dukur.

Ndërsa, kur njeriu jeton për Hyjin dhe jo për veten, edhe veprat më të vogla bëhen dritë që ndriçon botën dhe i çon zemrat drejt Atit qiellor. Po, në një botë të errësuar nga egoizmi, urrejtja dhe indiferenca, një person që fal, që shërben dhe që do pa interes bëhet dritë. Një nënë që kujdeset me dashuri për familjen, një punëtor që punon me ndershmëri, një student që studion me ndërgjegje, një meshtar që shërben me përvujtëri bëhen dritë në natën e botës. Një zemër e mbushur me Krishtin ndriçon natyrshëm, dhe pikërisht kjo dritë zgjon në zemrat e njerëzve dëshirën për ta njohur dhe lavdëruar Atin.

 

O Jezus, kripa dhe drita e jetës sonë, ruaje zemrën tonë nga krenaria dhe nga errësira e egoizmit. Ndize në ne dritën e dashurisë sate, që njerëzit, duke parë veprat tona të vogla e të fshehta, të arrijnë të të njohin Ty dhe ta lëvdojnë Atin qiellor. Amen.