Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!

05 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!”

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES -Lk 16, 19-31

 

“Ishte një njeri i pasur që vishej me copë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë.  Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër  e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.  Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.  Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij  e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’  Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.  Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’  Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti,  se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’  Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’  Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’  Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“

 

Siç e dëgjuam në këtë shëmbëlltyre Jezusi na sjellë tre personazhe. I pasuri që nuk ka emër. Mungesa emrit simbolizon humbjen e identitetit të vërtet; Skamnori qw quhej Lazer, që d.m.th. “Zoti ndihmon” ose “Zoti është ndihma ime”; dhe Abrahami që përfaqëson besëlidhjen dhe premtimin e Zotit që është shenja e shpëtimit që vjen përmes besimit. 

Për të pasurin Jezusi thotë se gostitej në mënyrë të shkëlqyeshëm si një ditë përditë, dhe për Lazrin dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e të pasurit. Dhe vjen dita të kalojnë prej kësaj jetë; i pasuri dhe i varfëri. Për Lazrin vdekja shënon fundin e vuajtjeve, ndërsa për të pasurin vdekja shënon fillimin e vuajtjeve që s’do të kenë mbarim.

Jezusi tregon se në ferr, ndër mundime të mëdha, i pasuri çoi sytë e pa Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij. Kur e dëgjojmë këtë fjalë menjëherë na vjen pyetja: Po pse i pasuri ka shkuar ne ferr? Çfarë të keqe ka bërë? Ungjillit nuk thotë se ka bërë diçka të keqe. As se e kishte fituar pasurinë padrejtësisht. Sigurisht, shkaku i dënimit i të pasurit nuk ishte pasuria në vetvete, por mungesa e dashurisë. Të mos bësh të mirën kur mundesh, është një mungesë e drejtësisë dhe e dashurisë. Pra, i pasuri përfundon në ferr sepse nuk ka tregu mëshirë ndaj Lazrit. Ka qenë indiferent ndaj vuajtjes së Lazrit.

Gjatë jetës në tokë i varfëri kishte dëshiruar edhe dromcat që binin nga tavolina e të pasurit. Në jetën e pasosur, i pasuri ka nevojë, që Lazri ta lagë me ujë majën e gishtit, e ta freskojë sado pak gjuhën e tij. Por tani mundësia për mëshirë ka mbaruar, sepse ndërmjet tyre ishte një humnerë e madhe, që s’mund të kalohej.

I pasuri kupton se fatin e vet nuk mund ta ndryshoj, atëherë i thotë Abrahamit:  çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë në këtë vend mundimesh. Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 

Me këtë përgjigje Abrahami i thotë: nëse do ta dëgjojnë Shkrimin Shenjt, nuk do të përfundojnë në vendin e mundimeve, sepse problemi i vërtetë i mosbesimit është mbyllja e zemrës ndaj Fjalës së Zotit. Përfundoj duke thënë se shëmbëlltyra e të pasurit dhe e Lazrit, është një thirrje e fuqishme për kthim, mëshirë dhe dëgjim të Fjalës së Hyjit.

 

O Zot Jezus shërojë zemrën tonë nga indiferenca dhe na mëso të shohim me mëshirë ata që kanë nevojë për ne dhe të veprojmë me dashuri për ta. Hape zemrën tonë ndaj Fjalës sate, që të mos ndërtojmë humnera mes nesh, por ura bashkimi dhe dashurie. Amen!