Kë po kërkon?

07 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Kë po kërkon?

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 20, 11-18

 

 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr.  Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët.  Ata i thanë: “Pse po qan, moj burrneshë?” Ajo u përgjigj: “E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”  Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi.  Jezusi i tha: “Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?” Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha: “Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.”  “Mari!” ‑ i tha Jezusi. Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues).  Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”  Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.

 

Ungjilli i sotëm nuk është vetëm një histori, por është  edhe një udhëtim nga errësira e humbjes drejt dritës së besimit; një ecje e shpirtit drejt Hyjit.

Është mëngjes herët, varri është bosh, dhe Maria Magdalenë qëndron jashtë duke qarë. Ajo është aty sepse e do Jezusin. Lotët e saj janë lotët e dashurisë.

Maria qëndron. Ajo nuk largohet. Edhe kur nuk kupton, edhe kur gjithçka duket e humbur, ajo qëndron. Dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme për ne: besnikëria në errësirë është vendi ku ndodh takimi me Zotin. Maria është figura e dashurisë që nuk dorëzohet dhe e shpirtit që kërkon me besnikëri.

Maria u përkul e shikoi në varr. Pa dy engjëj në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. Tani mendo pak i dashur dëgjues, kush prej nesh, nëse do të shihte engjëj, nuk do të tronditej? Por Maria është aq e zhytur në dhimbjen e saj, saqë as nuk e kupton madhështinë e momentit. Ajo ka vetëm një mendim: “E morën Zotërinë tim. Kjo është shumë aktuale për jetën tonë. Trishtimi, mëkati dhe zhgënjimi mund të na verbojnë. Zoti është pranë nesh, duke vepruar në jetën tonë, por ne nuk e njohim, sepse jemi të mbyllur në dhimbjen dhe pritjet tona. Maria nuk pret mrekulli; ajo pret një trup të pajetë, jo një Zot të gjallë.

Atëher Maria u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. Jezusi i tha: “Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?” Këto nuk janë vetëm pyetje për Marian. Janë pyetje për secilin prej nesh:  Pse po qan? Çfarë humbjeje po përjeton?
Kë po kërkon? Cila është dëshira jote më e thellë?
Engjëjt dhe vetë Jezusi e pyesin: “Pse po qan?” – jo sepse nuk e dinë, por për ta ndihmuar të ndërgjegjësohet për dhimbjen e saj dhe për ta ndihmuar që të hapet ndaj një realiteti të ri.

Dhe pastaj ndodhë momenti më i bukur i Ungjillit: Jezusi e thërret në emër: “Mari!” Në atë çast gjithçka ndryshon. Një fjalë e vetme. Emri i saj. Nuk është një argument që bind mendjen, por një thirrje që zgjon zemrën. Zëri i Jezusit hap sytë e Marisë. Ajo e njeh, sepse dashuria njeh. Dhe përgjigjja e saj është: “Rabbuni!” – Mësues! Kjo është njohja e dashurisë. Njohja lind nga marrëdhënia.

Kështu ndodh edhe me ne. Zoti na njeh personalisht. Ai e di emrin tonë, historinë tonë, plagët tona, dhe na thërret me emër. Zoti na thërret me emër – në ndërgjegje, në Fjalën e Tij, në sakramente. Kjo tregon se krishterimi është para së gjithash një marrëdhënie: “Unë e njoh Atë sepse Ai më njeh mua.” Po, besimi i krishterë lind nga një takim personal me Krishtin që të njeh dhe të do. Në atë moment, Maria kalon nga kërkimi në gjetje, nga mosnjohja në njohje, nga dhimbja në gëzim.

Pastaj Jezusi i thotë: “Mos u ngarrit me mua ...” me këtë Jezusi është duke i thënë: Mos u kap pas mënyrës së vjetër të njohjes sate. Sepse tani gjithçka është e re. Marrëdhënia nuk do të jetë më fizike, por shpirtërore, më e thellë.

Dhe i jep një mision: të shkojë dhe të dëshmojë. Maria bëhet dëshmitarja e parë e Ringjalljes. Ajo që qante, tani shpall jetën. Ajo që ishte në lot, tani bëhet bartëse e lajmit të gëzueshëm: “E pashë Zotin!”

 

O Zot, ti që e thirre Marinë me emër, më thirr edhe mua në thellësinë e zemrës sime.

Në çastet e errësirës, kur nuk të njoh, më jep hirin të qëndroj pranë teje. Hapi sytë e mi që të të shoh, hape zemrën time që të të njoh. Dhe më jep guximin që, si Maria, të dëshmoj me jetën time: se Ti je i gjallë dhe më do! Amen.