Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!

6 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - (Mt 9, 18-26)

 

Në atë kohë, ndërsa Jezusi ende po mësonte, qe se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: "Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet." Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij. Kur qe, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut tash dymbëdhjetë vjet, iu afrua mbas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, sepse thoshte në vete: "Do të shërohem nëse ia preku vetëm petkun e tij!" Jezusi u suall, e pa dhe i tha: "Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!" Dhe gruaja u shërua në atë moment. Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë, u tha: "Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle." Ata e përqeshën. Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

 

Në Ungjillin e sotëm, gjithçka fillon ndërsa Jezusi është duke mësuar, dhe kjo nuk është rastësi. Fjala e Hyjit e paraprin mrekullinë. Para se të na shërojë, Krishti dëshiron të na flasë. Para se të ndryshojë rrethanat e jetës sonë, Zoti dëshiron të ndryshojë zemrën tonë. Le të hyjmë tani më në thellësi të Ungjillit të sotëm.

Siç e dëgjuam, një kryetar iu afrua Jezusit, ra përmbys para tij dhe i tha: "Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet." Edhe pse është një njeri me autoritet, me pozitë dhe nder në popull, ai bie në gjunjë para Jezusit. Po, tw dashur dëgjues, shumë herë dhimbja na mëson atë që suksesi nuk mund të na mësojë kurrë: të shkojmë te Jezusi dhe të biem në gjunjë para Tij. E kush mund ta kuptojë dhimbjen që e kishte pushtuar zemrën e atij babai përballë vdekjes së vajzës së tij? Megjithatë, ai shkon te Jezusi dhe ia beson Atij humbjen e vajzës. A nuk shihet këtu një atësi e jashtëzakonshme? Ky baba nuk ndalet as para vdekjes. Ai i thotë Jezusit: Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet. Këtu pra, nuk kemi të bëjmë me një sëmundje që duhet shëruar, por me një jetë të vdekur që duhet rikthyer. Çfarë besimi ka ky baba! Le të themi edhe ne të dashur dëgjues: "Eja, Jezus në plagët e mia, eja në frikën time! Eja, Jezus në vdekjen time. Eja dhe më shëro, dhe ma mbush zemrën me jetën hyjnore."

Thotë Ungjilltari se: Jezusi u ngrit dhe shkoi pas tij. Kjo fjali është shumë e bukur. Krishti është gjithmonë në lëvizje drejt atyre që e kërkojnë me fe. Dhe pikërisht ndërsa Jezusi po ecën drejt vendit të vdekjes për të dhuruar jetën, një grua e prek nga pas.

Fjala është për një grua që vuante prej 12 vitesh nga hemorragjia dhe që, sipas ligjit të asaj kohe, konsiderohej e papastër dhe ishte e përjashtuar nga shoqëria. Dymbëdhjetë vjet vuajtje. Dymbëdhjetë vjet lutje dhe pritje. Dymbëdhjetë vjet vetmi. Vërtet, ka plagë që nuk shërohen shpejt. Ka lutje që duket sikur mbeten pa përgjigje për shumë vite. Por,  kësaj gruaje as vitet e gjata të vuajtjes, të vetmisë dhe të pritjes nuk arritën t’ia shuajnë shpresën në zemrën e saj. E ndërsa Jezusi po kalonte, ajo u afrua mbas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, sepse thoshte në vete: "Do të shërohem nëse ia preku vetëm petkun e tij!" Pa dyshim, nuk ishte prekja e duarve ajo që shëroi, por prekja e besimit. Shumë veta e shtynin Jezusin në turmë, por ajo grua e preku me besim.

Atëherë Jezusi ndalet dhe kthehet drejt saj. Jo sepse kishte nevojë të dinte kush e preku, por për ta nxjerrë në dritë besimin e gruas; Jezusi dëshiron që të gjithë të shohin sa i madh është besimi i saj. Gjithashtu Jezusi nuk dëshiron vetëm që kjo grua të marrë shërimin, por dëshiron që ajo të përjetojë edhe shikimin e Tij. Ai e shikon jo si një grua të papastër, të përjashtuar apo të sëmurë, por e shikon si një bijë të dashur të Hyjit dhe i thotë: "Ki guxim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!" Thotë Ungjilli se ajo në atë moment u shërua. Kështu, Jezusi nuk i jep vetëm shërimin e trupit, por edhe vendin e saj mes popullit të Hyjit dhe dinjitetin që vuajtja e paragjykimet ia kishin errësuar.

Tani Jezusi hyn në territorin e vdekjes, Ai shkon në shtëpinë e kryetarit. Njerëzit përreth kishin filluar tashmë vajtimin. Por Jezusi  ju tha: "Largohuni, se vajza nuk ka vdekur, por po fle." Jezusi kërkon që turma të largohet, sepse zhurma e mosbesimit, e dëshpërimit dhe e gjykimeve njerëzore duhet të heshtë përpara veprimit të Hyjit. Sigurisht, Jezusi nuk e mohon realitetin e vdekjes, por dëshiron të tregojë se për Të vdekja nuk është fundi. Ai është Zot i jetës dhe, përpara fuqisë së Tij hyjnore, vdekja është vetëm një gjumë i përkohshëm nga i cili Jezusi mund ta zgjojë njeriun me një fjalë të vetme. Tamam, ashtu siç një njeri zgjon dikë nga gjumi, po ashtu Krishti ka fuqinë ta ngjallë të vdekurin në jetën e re.

Ungjilli thotë se Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. Sa e ëmbël dhe e bukur është kjo fjali! Jezusi afrohet, prek dhe merr për dore, për të treguar se shëlbimi është dashuri e Mishëruar që hyn në kontakt me jetën e njeriut. Dora e Jezusit që e merr vajzën nuk është thjesht gjest shërimi, por shenjë e ringjalljes dhe e një krijimi të ri.

Po, të dashur dëgjues kur Krishti hyn në "shtëpinë" e zemrës sonë, edhe ajo që duket e vdekur mund të ringjallet. Aty ku njeriu sheh një varr, Hyji sheh një agim të ri.

Prandaj le të themi me besim: O Jezus, Zot i jetës dhe i shpresës, hyr në zemrën time dhe preke me dorën Tënde gjithçka që është e lodhur, e plagosur apo e vdekur në mua. Amen.