Koha ime është afër!
29 MARS 2026
UNGJILLI I DITES
“Koha ime është afër!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - Mt 26, 14-27,
Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.
Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?” Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.” Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?” Ai iu përgjigj: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!” Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?” “E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi. Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: “Merrni, hani: ky është trupi im!” Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha: “Pini prej tij të gjithë.
Ungjilli i sotëm është si një dramë e shenjtë që na përgatit për misterin e Javës së Madhe. Këtu shohim tri realitete që përplasen: tradhtinë, dhuratën dhe dënimin. Në qendër të tyre qëndron Jezusi Krishti.
Dëgjuam në Ungjill se Juda Iskarioti zgjodhi ta tradhtojë Jezusi Krisht për tridhjetë sikla argjendi. Ju kujtoj se tridhjetë siklat ishte çmimi i një skllavi, siç përmendet në Libri i Daljes (21). Pra, Jezusi vlerësohet prej Judës si një skllav. Për Judën, tridhjetë siklat e argjendit u bënë më të rëndësishme sesa marrëdhënia e tij me Jezusin. Në të vërtetë, ai nuk shet vetëm Jezusin; ai shet marrëdhënien e tij me Të. Pyetja për ne sot është: A ka diçka në zemrën tonë për të cilën rrezikojmë të humbasim marrëdhënien tonë me Jezusin? Çdo veprim i keq fillon nga një zgjedhje e lirë: Juda mund të mos kishte tradhtuar. Kjo na kujton se edhe ne çdo ditë kemi mundësinë të zgjedhim mes mirësisë dhe të keqes, mes dashurisë dhe egoizmit.
Pastaj kur Jezusi u tha: për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë, ndodh diçka e jashtëzakonshme. Nxënësit nuk fillojnë të akuzojnë njëri-tjetrin dhe as nuk pyesin: “A është ai?” Ata pyesin: “A mos jam unë, Zotëri?” Kjo është një nga momentet më të bukura të ungjillit. Dishepulli i vërtetë nuk fillon duke gjykuar të tjerët; ai fillon duke shikuar zemrën e vet. Në jetën shpirtërore ekziston një tundim shumë i madh: të shohim tradhtinë e të tjerëve dhe jo dobësinë tonë. Tradhtia nuk është vetëm historia e Judës; është rreziku i çdo zemre njerëzore. Prandaj shpirti që shpëton është ai që lutet: “Zot, ruaje zemrën time. Mos lejo të largohem prej teje.”
Jezusi e di se kush do ta tradhtojë. Megjithatë nuk e largon Judën nga tryeza, nuk e turpëron publikisht dhe as nuk e refuzon. Jezusi vazhdon të ndajë bukën me të. Dhe pikërisht ndërsa drama e tradhtisë po zhvillohet, Jezusi bën diçka tejet të madhe. Ai themelon Eukaristinë. Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: “Merrni, hani: ky është trupi im!”. Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha: “Pini prej tij të gjithë.
Në atë tryezë ndodhin dy gjëra njëkohësisht: tradhtia e njeriut dhe dhurata e Zotit. Njeriu përgatit kryqin. Jezusi përgatit shpëtimin. Juda dorëzon Jezusin për para, ndërsa Jezusi dorëzon vetveten për njerëzit. Kështu tradhtia e njeriut bëhet vendi ku zbulohet dashuria e pakufishme e Hyjit. Kjo do të thotë se dashuria e Krishtit është gjithmonë më e madhe se e keqja e njeriut.
Prandaj Eukaristia nuk është vetëm sakrament; ajo është edhe shembull ekzemplarë për besimtarin. Pasi jeta e vërtetë e krishterë është një jetë dhurimi – duke ofruar kohën, energjinë dhe zemrën tonë për të tjerët, pa pritshmëri për shpërblim.
Në fund të Ungjillit dëgjohet vendimi: “Meriton të vdesë!”
Këtu shihet një rrezik i madh për çdo zemër njerëzorë. Njeriu mund të duket vërtetë fetar, por nëse zemra humbet dashurinë, feja mund të bëhet edhe armë kundër Zotit.
Por Jezusi është i vetëdijshëm për tradhtinë, vuajtjen dhe kryqin që po vjen. Por Ai zgjedh të dhuroj vetveten. Prandaj ne, në Javën e Madhe ne nuk shohim vetëm vuajtjen e Jezusit, por mbi të gjitha zemrën e tij që: kur tradhtohet, ai dhurohet; kur dënohet, ai fal; kur kryqëzohet, ai shpëton.
O Zot Jezus, ruaje zemrën time nga tradhtia e përditshme. Mos lejo që asgjë të bëhet për mua më e rëndësishme se sa marrëdhënia me Ty. Amen.