“Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër!”
11 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT- Mk 7, 14 - 23
Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”
Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës. Ai u tha: “Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun, sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?”
Kështu Jezusi i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. Dhe vazhdoi: “Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër, sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorë ‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”
Ungjilli që sapo dëgjuam na çon në zemër të mesazhit të Jezusit dhe, njëkohësisht, edhe në zemrën e njeriut. Jezusi thotë disa fjalë që duken të thjeshta, por që përmbysin një mënyrë të menduari fetar: S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër”. Sigurisht në këtë mësim, Jezusi nuk e zhduk kërkesën për pastërti, por e thellon atë. Për Jezusin pastërtia e vërtetë, nuk është çështje rregullash të jashtme, por çështje e zemrës. Dhe zemra, në kuptimin biblik, është qendra e personit, vendi ku arsyeja, vullneti dhe liria takohen.
Papa Benedikti XVI na ka kujtuar shpesh se krishterimi nuk është një moralizim, por një takim me të Vërtetën që ka një fytyrë: Jezu Krishtin. Pikërisht këtu qëndron kuptimi i këtij Ungjilli. Jezusi nuk jep një listë rregullash të reja; ai zbulon diagnozën e thellë të gjendjes njerëzore: e keqja nuk është para së gjithash jashtë nesh, por brenda nesh.
Nuk është pra, ushqimi që e bën të papastër njeriun, as nuk janë gjërat e jashtme, por ajo që del nga zemra: fjalët e këqija, mendimet e liga, zilia, urrejtja, krenaria dhe veprimet që burojnë nga brendësia jonë. Të gjitha këto nuk vijnë nga jashtë, por lindin në zemrën e njeriut kur ajo largohet nga dashuria dhe e vërteta që është Zoti.
Jezusi na mëson se e keqja nuk mposhtet me rregulla të rrepta, por me një zemër të re. Me një zemër që ushqehet me lutjen, dhe me Fjalën e Zotit. Prandaj, të dashur dëgjues ky Ungjill është një thirrje për kthim të brendshëm, për pastrim të ndërgjegjes, dhe për takim të vërtetë me Krishtin që e shëron njeriun nga brenda, sepse Krishterimi nuk është listë rregullash, por shërim i zemrës me anë të hirit.
Atëherë të dashur dëgjues le të pyesim veten me sinqeritet: Çfarë del nga zemra ime çdo ditë? A janë fjalët e mia burim jete apo plagë për të tjerët? Vetëm një zemër e bashkuar me Krishtin mund të bëhet burim drite, paqeje dhe shprese për botën. Amen.
Le të lutemi me fjalët e psalmistit: (Ps 50, 13-14).
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm. Amen!