Kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të!

14 QERSHOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - Mt 9, 36 – 10, 8

 

Në atë kohë, kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.

Atëherë u tha nxënësve të vet: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund t’i dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të mund të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë.

Emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu, tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.

Shi këta të dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe u urdhëroi: “Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është ngjat!’ Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!”

 

 

Ungjilli i sotëm fillon me një pohim prekës. Jezusi: “kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të.” Dhembshuria e Jezusit është karakteristikë e Bariut të Mirë. Jezusi nuk e shikon turmën me indiferencë, as me gjykim, por me një shikim të mbushur me dashuri, dhembshuri dhe mëshirë. Ai sheh përtej pamjes së jashtme. Sheh zemra të lodhura nga pesha e jetës, sheh vuajtjet e fshehura, plagët që nuk duken dhe vetminë që shpesh mbetet e mbyllur në thellësinë e shpirtit. Pra, shikimi i Jezusit nuk ndalet tek mëkatet apo dobësitë e njerëzve, por te nevoja e tyre për dashurinë e Tij, për ngushëllimin dhe të vërtetën. Një nga gënjeshtrat më të mëdha të armikut është të na bëjë të besojmë se, për shkak të mëkateve dhe dobësive tona, Zoti nuk na do më. Por Ungjilli na zbulon se Jezusi na shikon me dhembshuri. Ai sheh plagët që askush tjetër nuk i njeh. Sheh frikërat që nuk ia tregojmë askujt. Sheh lodhjen që fshihet pas buzëqeshjeve tona. Dhe pikërisht aty, në vendet më të brishta të zemrës sonë, Ai vjen me dashurinë dhe mëshirën e Tij shëruese.

Më pas Ungjilli thotë se turma ishte “e nëpërkëmbur dhe e lënë pas dore si delet pa bari”. Një dele pa bari humbet lehtë drejtimin. Nuk di ku të gjejë ushqim, nuk di ku të kërkojë siguri dhe rrezikon të humbasë. Kjo është edhe gjendja e njeriut kur largohet nga Hyji. Mund të ketë pasuri, dije, sukses apo pushtet, por nëse nuk është me Bariun e shpirtit, mbetet i humbur. Dhe edhe koha jonë e dëshmon këtë të vërtetë. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë mjete komunikimi dhe megjithatë ka kaq shumë vetmi. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë njohuri dhe megjithatë ka kaq shumë pasiguri. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë mundësi dhe megjithatë brenda shumë zemrave ka një boshllëk të thellë.

Prandaj Jezusi duke parë turmën thotë: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak.” Të korrat janë shpirtrat që Hyji dëshiron t'i shpëtojë. Janë njerëzit që kërkojnë të vërtetën, që presin një fjalë shprese, janë ata që vuajnë në heshtje dhe në vetmi. Ndërsa punëtorët janë barinjtë, predikuesit dhe të gjithë ata që, me jetën dhe fjalën e tyre, i udhëheqin të tjerët drejt Krishtit. Në fakt, çdo i krishterë është i thirrur të bëhet punëtor në arën e Zotit. Në familje, në vendin e punës, në bashkësi dhe në jetën e përditshme, ne mund të jemi dëshmitarë të Krishtit përmes dashurisë, durimit, faljes dhe shembullit tonë.

Ndërsa një detaj i rëndësishëm që thekson Ungjilli është urdhri i Jezusit: “Lutjuni, pra, Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.” Ai nuk thotë: “Organizohuni më mirë.” Nuk thotë as: “Gjeni metoda më moderne.” Ai thotë: “Lutuni.” Sepse misioni i vërtetë lind nga Shpirti Shenjt. Lutja është frymëmarrja e misionit; nëse mungon lutja, misioni rrezikon të shndërrohet në aktivizëm të zbrazët. Nëse mungon frymëzimi i Shpirtit Shenjt, predikimi bëhet vetëm një fjalim njerëzor. Jezusi na ka thënë: “Pa mua s’mund të bëni asgjë.” Ai nuk tha: “Pa mua mund të bëni pak”, por: “asgjë”. Nuk mund t’ua dhurojmë të tjerëve atë që më parë nuk e kemi marrë nga Zoti.

Pas kësaj, Jezusi i mbledh rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e Vet. Para se të jenë apostuj, ata duhet të jenë nxënës. Para se të shpallin Krishtin, duhet të jetojnë me Krishtin. Para se të flasin për Krishtin, duhet ta dëgjojnë zërin e Tij në zemrën e tyre. Në ketë mënyrë edhe jeta jonë do të bëhet dëshmi e gjallë e pranisë së Tij në botë.

Pastaj Ungjilli vazhdon duke treguar se Jezusi u dha nxënësve të Tij pushtetin të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të shëronin çdo sëmundje e lëngatë. Pra, Krishti nuk i dërgon apostujt vetëm me një mesazh, por ju jep hirin e nevojshëm për ta përmbushur misionin e tyre. Edhe sot, kudo që Ungjilli pranohet me besim, Krishti vazhdon të veprojë. Fjala e Tij çliron nga mëkati, shëron zemrën dhe e shndrit mendjen dhe kthen njeriun na bashkimin me Hyjin. Sepse Krishti erdhi për të shëruar trupin, dhe shpirtin.

Pas kësaj, Jezusi u tha nxënësve të Vet: “Shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Këtu kemi një mësim të çmuar edhe për jetën tonë. Misioni fillon me ata që Zoti ka vendosur pranë nesh. Shpesh duam të ndryshojmë botën, por harrojmë ti duam njerëzit që kemi afër. Krishti na fton që me jetën tonë dhe me fjalët tona jemi të thirrur të shpallim se: “Mbretëria e qiellit është afër!” Domethënë: Hyji është afër; prandaj askush nuk është i braktisur, sepse bashkë me Praninë e Tij na dhurohet gëzimi i shpëtimit, dhe na shndrit drita e shpresës që ndriçon edhe errësirat më të thella të zemrës njerëzore.

 

O Jezus, të falënderojmë që na shikon me dhembshuri dhe na thërret pranë Teje. Na jep një zemër që lutet, që dëgjon Fjalën Tënde dhe bëj që me jetën tonë të dëshmojmë afërsinë Tënde, gëzimin e shpëtimit dhe dritën e shpresës. Amen.