Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe!
9 KORRIK 2026
UNGJILLI I DITES
“Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- (Mt 10, 7-15)
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: "Gjatë udhëtimit predikoni: 'Mbretëria e qiellit është ngjat!' Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni! Mos bashkoni në breza tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as të mbathura, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë në ushqimin e vet. Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai deri të shkoni më tej. Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet te ju. Por, po qe se ndokund nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, dilni prej asaj shtëpie e prej atij qyteti dhe shkundëni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja. Për të vërtetë po ju them: Ditën e Gjyqit do ta ketë më lehtë Sodoma e Gomorra se ai qytet."
Dëgjuam se Jezusi u thotë nxënësve të vet të predikojnë se: “Mbretëria e qiellit është afër!” Tashmë e dimë, të dashur dëgjues, se “Mbretëria e Hyjit” është e lidhur me vetë personin e Jezusit. Aty ku është Jezusi, aty është edhe Mbretëria. Prandaj, kur nxënësit shpallin: “Mbretëria e qiellit është afër”, ata në të vërtetë po thonë: Jezusi është afër. Ai është i pranishëm në ngjarjet e përditshme të jetës sonë, në vuajtjet dhe në gëzimet tona. Por, mbi të gjitha, është i pranishëm në zemrat tona.
Për këtë arsye, këtu bëhet fjalë për një lajm të gëzueshëm. Çdo i krishterë është i thirrur të jetë një lajmëtar i kësaj afërsie të Hyjit. Jezusi nuk i dërgon dishepujt thjesht për të folur për Mbretërinë, por për ta bërë atë të prekshme në jetën e njerëzve. Ai i urdhëron: “Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë!”
Të shërojmë të sëmurit do të thotë të përkulemi pranë atyre që vuajnë, të mos kalojmë indiferentë para plagëve të botës. Ka shumë sëmundje që nuk shihen me sy: vetmia, dëshpërimi, mungesa e dashurisë, humbja e shpresës. I krishteri është i thirrur të bëhet një balsam për këto plagë. Të ngjallim të vdekurit do të thotë të sjellim shpresë atje ku gjithçka duket e humbur. Ka njerëz që ecin, punojnë dhe buzëqeshin, por brenda tyre kanë vdekur besimi dhe gëzimi. Dishepulli i Krishtit është i thirrur të ndezë përsëri dritën e shpresës në zemrat e tyre. Të pastrojmë të gërbulurit do të thotë të afrohemi me ata që shoqëria i lë mënjanë: të varfrit, të vetmuarit, të refuzuarit. Në fakt, të jesh i krishterë do të thotë të mos kesh frikë të prekësh plagët e vëllezërve, sepse aty na pret vetë Krishti. Të dëbojmë djajtë do të thotë të luftojmë gjithçka që shkatërron jetën: urrejtjen, padrejtësinë, egoizmin, dhunën dhe mungesën e shpresës. Djalli vepron sa herë që njeriu humbet besimin se është i dashur dhe i falur prej Zotit. Por askush prej nesh nuk mund të japë atë që më parë nuk e ka marrë. Prandaj, para se të shërojmë, të ngushëllojmë apo të ndihmojmë të tjerët, duhet së pari të lejojmë Krishtin të shërojë dhe ta ripërtërijë zemrën tonë. Kështu bëhemi të aftë që ta bëjmë të dukshme dhe konkrete afërsinë dhe dashurinë e Hyjit.
Në zemër të këtij Ungjilli qëndron urdhri i Jezusit: “Falas morët, falas edhe jepni.” Për këtë arsye, nuk mund të mburremi as me të mirat që bëjmë, as me aftësitë që zotërojmë, sepse gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi është dhuratë e Zotit. Dhuratë e kemi marrë jetën; falas na është dhuruar besimi; falas kemi marrë faljen e mëkateve; krejt pa meritë na është dhuruar edhe dashuria e Hyjit. Prandaj, Zoti dëshiron që të kemi një zemër bujare, që bën të mirën me dashuri të pastër, pa kërkuar asnjë përfitim, pa pritur asnjë shpërblim dhe pa dëshiruar lavdinë e njerëzve.
Gjithashtu, të dashur dëgjues, nga Ungjilli kuptojmë se vlera e jetës nuk matet me atë që grumbullojmë, por me atë që japim. Dhe njeriu bëhet më i ngjashëm me Krishtin pikërisht kur jep veten si dhuratë. Për këtë arsye Jezusi edhe na e thotë: “Mos bashkoni në breza tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as të mbathura, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë në ushqimin e vet.” Këto fjalë janë një ftesë për liri të zemrës. Jezusi dëshiron që nxënësit e Tij të mësojnë se forca e misionit nuk vjen nga ajo që zotërojnë, por nga Ai që i ka dërguar. Kujdes! Varfëria ungjillore nuk do të thotë të mos kesh asgjë, por të kesh një zemër aq të lirë, sa të mos jesh i zotëruar nga asgjë tjetër përveç Hyjit. Jezusi dëshiron të na çlirojë nga çdo gjë që e rëndon zemrën tonë dhe na pengon që ta ndjekim Atë me lirinë dhe gëzimin e bijve të Hyjit.
I krishteri është i thirrur të hyjë në jetën e të tjerëve si bartës i paqes së Krishtit. Ungjilli vazhdon me fjalët e Jezusit: “Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe.” Kjo përshëndetje nuk është një formulë e zakonshme, por një bekim i vërtetë shpirtëror. Paqja që sjell i krishteri është vetë prania e Krishtit, i cili hyn në shtëpitë, në zemrat dhe në jetët tona për të na bekuar. Jezusi i përgatit apostujt edhe për faktin se jo të gjithë do t'i pranojnë, jo të gjithë do ta dëgjojnë Fjalën e tyre. Megjithatë, dishepulli nuk duhet të hidhërohet, të zemërohet apo të humbasë shpresën. Ai duhet të vazhdojë rrugën e tij, duke ia besuar gjithçka mëshirës dhe drejtësisë së Hyjit. Detyra jonë është të mbjellim paqen; Hyji do të kujdeset për frytin.
O Jezus, Ti je Mbretëria e Hyjit në mes nesh. Shëro plagët e zemrës sonë, ringjall shpresën tonë, na çliro nga gjithçka që na largon prej Teje dhe na bëj bartës të paqes Sate. Na jep një zemër bujare, që të dimë të japim falas atë që falas kemi marrë, dhe bëj që, me fjalët dhe veprat tona, ta bëjmë të prekshme afërsinë dhe dashurinë Tënde për çdo njeri. Amen.