Kush beson në Birin ka jetën e pasosur

16 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

“Kush beson në Birin ka jetën e pasosur”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 3, 31-36

 

 

 “Kush vjen prej së Larti, ai është mbi të gjithë! Kush është nga toka, tokësor është dhe flet për gjërat e tokës. Ai që vjen prej qiellit [ai është mbi të gjithë]:  dëshmon çka pa e çka  dëgjoi, por dëshminë e tij askush s’e pranon.  Kush e pranon dëshminë e tij, pohon se Hyji është i vërtetë.  Vërtet, i dërguari i Hyjit flet fjalët e Hyjit ‑ sepse Hyji nuk e jep Shpirtin me masë.  Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka.  Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, përkundrazi, ai që nuk beson në Birin nuk do ta shohë jetën: hidhërimi i Hyjit peshon mbi të.”

 

Siç e dëgjuam Ungjilli sot na thotë: Kush vjen prej së Larti, ai është mbi të gjithë! Kush është nga toka, tokësor është dhe flet për gjërat e tokës. Ky rresht na  fton  të bëjmë një dallimin themelor mes dy botëve: botës që “vjen prej së Larti” dhe botës që “është nga toka”. Në përshpirterinë e krishterë, ky nuk është një dallim gjeografik, por ontologjik dhe shpirtëror. Pra, nuk bëhet fjalë për një vend, por për një burim: Nga vjen mendimi im? Nga vjen gjykimi im? Nga vjen mënyra ime e të jetuarit?

 “Nga poshtë” do të thotë jetoj sipas dëshirave taksore, frikës, egoizmit, sipas logjikës së kësaj bote. Apo  “Nga lart”: që do të thotë të jetosh nga marrëdhenia me Jezusin, nga hiri dhe fjala e Tij. Jezusi të dashur dëgjues nuk është thjesht një mësues i madh tokësor. Ai vjen nga Lart. Në këtë kuptim, Ai nuk mëson vetëm rrugën. Ai është Rruga. Ai nuk flet vetëm të vërtetën. Ai është e Vërteta. E pra, nëse Krishti vjen prej qiellit, atëherë fjala e Tij nuk është për diskutim, është për vendim.

Krishti që vjen prej qiellit dëshmon çka pa e çka  dëgjoi. Jezusi dëshmon përvojën me Atin. Por dëshminë e tij askush s’e pranon. Ky është një nga rreshtat më të dhimbshëm.  Njeriu sot shpesh kërkon prova, por refuzon dëshminë. Kërkon siguri, por jo besim në Fjalën e Tij. Le të jemi të sinqertë të dashur dëgjues: Kjo nuk është vetëm për botën. Kjo është edhe për mua dhe për ty. Sepse sa herë e dimë çfarë është e drejtë… dhe nuk e bëjmë. E dëgjojmë Ungjillin… dhe nuk ndryshojmë. E ndjejmë thirrjen e Hyjit brenda nesh… por e shtyjmë për më vonë. Mospranimi i Jezusit nuk është gjithmonë një “jo” e madhe. Shpesh është një “jo tani”.

Vazhdon Ungjilli: Hyji nuk e jep Shpirtin me masë. Kjo është një nga fjalitë më të bukura dhe më ngushëlluese të këtij Ungjilli. Hyji nuk është dorështrënguar me ne. Në botën tonë, gjithçka jepet me masë: dashuria shpesh është e kushtëzuar, falja është e kufizuar, bujaria ka një masë… Por nuk është kështu në Hyjin. Ai jep pa masë sepse Hyji është vetë pafundësia. Prandaj të dashur dëgjues, ne nuk marrim pak nga Hyji sepse Ai jep pak, por sepse ne ofrojmë pak hapësirë për të marrë. Zemra jonë është si një enë: nëse ena është e vogël, merr pak, nëse zgjerohet, mbushet. Në të vërtete  jeta shpirtërore është një zgjerim i zemrës.

Atëherë Jezusi thotë:  Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka. Këtu prekim misterin e Trinisë. Krishti jeton në një marrëdhënie të përjetshme dashurie me Atin.  Dhe gjithçka që Ai bën është një shprehje e kësaj dashurie. Dhe pikërisht këtu ndodh diçka e pabesueshme: kjo dashuri na përfshin edhe ne. Edhe ne jemi të thirrur të hyjmë në të njëjtën marrëdhënie me Atin, sepse në Krishtin, edhe ne jemi të dashur në të njëjtën mënyrë prej Atit.

 Rreshti i fundit: Kush beson në Birin ka jetën e pasosur. Vini re kohen. Nuk thotë “do të ketë”, por “ka”. D.m.th. jeta e pasosur nuk fillon pas vdekjes. Ajo fillon tani. Jeta e pasosur nuk është thjesht të shmangësh ferrin, por është pjesëmarrje në jetën e Hyjit që tani. Konkretisht do të thotë të jetosh: një paqe që nuk varet nga rrethanat, të kemi një gëzim që nuk varet nga suksesi, dhe një shpresë që edhe nëse jemi në mes të errësirës. Kjo është jetë hyjnore në një trup njerëzor.

Në fund Ungjilli na bën një paralajmërim të fortë. Ai që nuk beson në Birin nuk do ta shohë jetën. Zgjedhjet tona të dashur dëgjues kanë pasojat e veta. Nëse Krishti është drita dhe ne e refuzojmë, atëherë mbetemi në errësirë.  Nëse Krishti është burimi i jetës dhe ne e refuzojmë atëherë mbesim pa jetë të vërtetë.

Përfundoj duke thënë: Të jetosh pa Krishtin nuk është thjesht një gabim. Është një humbje e vetes. Sepse, pa të vërtetën, njeriu humbet drejtimin, pa dashurinë, njeriu humbet kuptimin dhe pa Hyjin, njeriu humbet shpirtin.

 

O Zot Jezus, Ti që vjen prej së Larti, çliroje zemrën time nga gjithçka tokësore që më mban poshtë. Më jep hirin të mos e refuzoj të vërtetën, edhe kur më kushton.

Hape zemrën time për Shpirtin Tënd pa masë dhe bëj që të jetoj që tani jetën e pasosur, duke zgjedhur Ty çdo ditë. Amen.