Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje!
10 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT- (Gjn 12, 24-26)
Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im.”
Në fillim të Ungjillit të sotëm dëgjuam Jezusin që na thotë: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes, jep shumë fryt!” Këto fjalë janë ndër shprehjet më të thella të Jezusit mbi misterin e dashurisë, të flijimit dhe të jetës që lind nga dhurimi i vetvetes. Kokrra e grurit duhet të humbasë formën e saj, që të përmbushë qëllimin për të cilin është mbjellë. Nëse ajo ruhet në një enë, mbetet vetëm një kokërr; por kur futet në tokë dhe pranon të “zhduket”, prej saj lind një bimë që sjell shumë kokrra të tjera.
Krishti ishte Kokrra e Shenjtë e grurit që ra në tokën e Kalvarit. Ai u mboll në tokën e varrit, por nuk mbeti aty. Ashtu si fara që, duke u fshehur në dhe, shpërthen në jetë të re, edhe Krishti, me Ringjalljen e Tij, solli frytin e bollshëm të shpëtimit. Nga vdekja e Tij lindi Kisha, nga plagët e Tij buruan sakramentet dhe nga Ringjallja e Tij u rilind shpresa e gjithë njerëzimit. Dhe ashtu si Krishti, Kokrra e Shenjtë e grurit, e mbjellë në tokën e kryqit për të sjellë frytin e shpëtimit, edhe ne jemi të thirrur ta vendosim jetën tonë në duart e Hyjit, duke besuar se ajo që i dorëzohet Atij nuk humbet kurrë, por shndërrohet në jetë dhe jep fryt me bollëk. Ajo që i dorëzojmë Hyjit nuk humbet; në duart e Tij jeta jonë mund të lulëzojë dhe të japë shumë fryt. Shpesh kemi frikë nga tokat e errëta të jetës sonë: nga sprovat, humbjet, braktisjet dhe sakrificat. Por shumë herë vuajtja jonë nuk vjen vetëm nga ajo që na ndodh, por nga përpjekja jonë për të mbajtur fort atë që Hyji na fton t’ia dorëzojmë në duart e Tij.
Një interpretim shumë i bukur i kësaj pjese na vjen nga Origeni. Ai thotë: “Ashtu si fara duhet të zbresë në errësirën e tokës, po kështu edhe Fjala e Hyjit duhet të hyjë në thellësinë e zemrës sonë. Nëse Fjala mbetet vetëm në sipërfaqe, nuk jep fryt. Por kur ajo ‘varroset’ në thellësinë e zemrës përmes lutjes, heshtjes dhe bindjes ndaj Hyjit, atëherë fillon të mbijë dhe të sjellë frytin e saj.”
Vazhdon Jezusi: “Kush e do jetën e vet, do ta humbë.”
Sigurisht, të dashur dëgjues, këtu Jezusi nuk po na mëson ta përçmojmë jetën, sepse ajo është dhuratë e dashurisë së Hyjit, por të çlirohemi nga dashuria egoiste dhe e çrregulluar ndaj vetvetes. Jezusi nuk na kërkon të humbasim personalitetin tonë, sepse Hyji nuk shkatërron atë që ka krijuar me dashuri. Ai na kërkon të humbasim vetëm atë që na pengon të jemi plotësisht bijtë e Tij: egoizmin, lidhjet e çrregulluara dhe gjithçka që na largon nga dashuria. Sepse vetëm kur çlirohemi nga ajo që na robëron, zbulojmë lirinë e vërtetë të fëmijëve të Hyjit. Në këtë mënyrë kuptojmë se jeta e vërtetë nuk fillon atëherë kur njeriu nuk pyet më vetëm: “Çfarë dua unë?”, por: “Çfarë dëshiron Zoti prej meje?” Prandaj, Ungjilli i sotëm na fton të kalojmë nga logjika e kësaj bote te logjika e Mbretërisë së Hyjit: të humbasësh për të fituar, të vdesësh për të jetuar, të dhurohesh për të dhënë fryt.
Duke thelluar këtë mësim, Jezusi na thotë edhe: “Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur.” Edhe kjo është një thirrje për të hequr dorë nga një mënyrë egoiste e të jetuarit, nga ajo prirje që na mban të përqendruar vetëm te vetja, te dëshirat dhe siguritë tona. Të “urosh jetën” sipas fjalës së Jezusit do të thotë të mos jetojmë si skllevër të egoizmit, të rehatisë, të dëshirave të çrregulluara apo të lidhjeve të tepruara me të mirat e kësaj bote. Të “urosh jetën” në kuptimin e Jezusit do të thotë të mos e konsiderojmë këtë botë si destinacionin përfundimtar të ekzistencës sonë, por si një rrugë që na çon drejt jetës së pasosur, drejt bashkimit të përjetshëm me Krijuesin tonë.
Përfundon Ungjilli me fjalët e Jezusit: “Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im. “Ky është premtimi më i madh për atë që i përket dhe i shërben Zotit: të jesh me Krishtin. Nëse jemi me Të në vuajtje, do të jemi me Të edhe në lavdi; nëse marrim pjesë në përvujtërinë e Tij, do të marrim pjesë edhe në nderimin që Ati i jep Birit.
Nderimi i Atit nuk është një shpërblim i jashtëm, por dhurata më e madhe: të bëhesh pjesëtar i jetës hyjnore, të hysh në atë dashuri ku jeton vetë Krishti me Atin. Nuk ka dhuratë më të madhe për shërbëtorin sesa të jetë aty ku është Zoti i tij.
O Jezus, Kokrra e Shenjtë e grurit që ra në tokën e kryqit dhe solli frytin e shpëtimit, çlirojë zemrën tonë nga egoizmi që na mbyll në vetvete. Bëj që jeta jonë, e bashkuar me flijimin Tënde në kryqit, të japë fryte që mbeten për jetën e pasosur, për lavdinë Tënde dhe për të mirën e çdo njeriu që Ti vendos në rrugën tonë. Amen.