Kush është më i madhi ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj!

03 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Kush është më i madhi ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj!”

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT -Mt 23, 1-12

 

Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:  “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë.  Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë.  Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët.  Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para,  përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër.  Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell!  Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin!  Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj.  Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

 

Në ungjillin e sotëm Jezusit nuk ju flet paganëve. Nuk u flet mëkatarëve publikë. Ai u flet njerëzve fetarë. U flet atyre që njohin Ligjin. U flet atyre që mësojnë të tjerët. Na flet mua dhe ty i dashur dëgjues. Jezu fillon duke thënë se skribët dhe farisenjtë “janë ulur në katedrën e Moisiut”. Kjo do të thotë se ata kishin autoritet për të mësuar Ligjin e Zotit. Ata njihnin, dhe i citonin Shkrimet e Shenjta. Ata vazhdimisht flisnin për Zotin. Por, problemi nuk ishte fjala që mësonin, problemi ishte jeta që jetonin. Prandaj thotë Jezusi: dëgjoni e zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Çfarë tragjedie! Të flasësh të vërtetën, por të jetosh në falsitet. Të predikosh dritën, por të ecësh në errësirë. Ungjilli sot na paralajmëron për një nga rreziqet më të mëdha shpirtërore: për rrezikun e Hipokrizisë. Hipokrizia është ndarja mes: Fjalës dhe jetës. Pamjes së jashtme dhe realitetit të brendshëm. Njeriu hipokrit flet për lutjen, por nuk lutet. Flet për përvujteri, por kërkon duartrokitje. Flet për dashurinë, por ruan zemër të ftohtë. Po ne të dashur dëgjues: A e jetojmë atë që ju mësojmë të tjerëve?

Vazhdon Jezusi:  Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Kjo është fe pa mëshirë. Është drejtësi pa dashuri. Është rregull pa hir. Një udhëheqës i vërtetë nuk e rëndon shpirtin e njerëzve. Nuk imponon barrë të rëndë. E kjo mund të ndodh në familje, në shkollë, në bashkësi. Një prind mund të kërkojë nga fëmija ndershmëri, ndërsa vetë manipulon. Një mësues mund të kërkojë disiplinë, ndërsa vetë është i çrregullt. Një lider mund të kërkojë sakrificë, ndërsa vetë kërkon privilegje.

Jezusi shkon gjithnjë e më thellë. Ai zbulon rrënjët e hipokrizisë që është: Dëshira për lavdi njerëzore. Skribët e Farisenjtë bënin gjithçka për t’u parë nga njerëzit. Ata luten. Agjërojnë. Japin lëmoshë. Por përse? Për t’u dukur. Sa e rrezikshme është kjo gjë! Me ba vepra/gjëra të mira për arsye të gabuara. Atëherë le ta pyesim veten: Nëse askush nuk do ta dinte të mirën që po bëj, a do ta bëja prapë? Nëse askush nuk do të më falënderonte, a do të vazhdoja të shërbeja? Gjithashtu Jezusi relativizon çdo autoritet njerëzor përballë autoritetit absolut të Hyjit. Ati është vetëm një. Çdo atësi tokësore është pjesëmarrje. Çdo mësues është shërbëtor i Mësuesit të vetëm. Çdo udhëheqës është nën Udhëheqësin e Vetëm.

Tani vjen zemra e Ungjillit. “Kush është më i madhi ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj.” Në botë: i madhi është ai që komandon. I madhi është ai që ka ndikim. I madhi është ai që shihet. Në Mbretërinë e Hyjit: i madhi është ai që shërben. I madhi është ai që sakrifikon. I madhi është ai që zbret. Jezusi nuk flet teori. Ai Vetë ju lan këmbët e nxënësve. Ai prek të sëmurët. Ai fal mëkatarët. Ai vdes në Kryq. Kryqi është Froni i Tij. Përvujtëria është lavdia e Tij. Prandaj edhe thotë: kush përvujtërohet do të lartohet.

Përvujtëria e vërtetë na çliron nga nevoja për t’u dukur; nga frika e gjykimit të tjerëve; nga skllavëria e duartrokitjeve. Po, vetëm njeriu i përulur është vërtet i lirë.

Ky Ungjill nuk është vetëm kritikë. Është edhe shpresë. Sepse nëse Jezusi e zbulon hipokrizinë, Ai e bën për të na shëruar. Nëse Ai denoncon krenarinë, Ai e bën për të na çliruar. Ai nuk na lë vetëm me akuzë. Ai na jep modelin: Veten e Tij. Ai është Mësuesi që jeton atë që mëson. Bariu që jep jetën për delet. Zoti që bëhet shërbëtor. Duke e shikuar Atë, mësojmë si të jetojmë këtë toke.

 

“O Zot, na ruaj nga hipokrizia. Na çliro nga dashuria për lavdi njerëzore. Na bëj shërbëtorë të vërtetë. Na mëso të përulemi, që Ti të lartësohesh në ne.” Amen.