Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!

14 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 19, 3-12)

 

Në atë kohë, iu paraqitën Jezusit disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye. Jezusi iu përgjigj: “A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë! Por ata vijuan: “E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’“ Ai u përgjigj: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu. Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet - përveç në rast të fëlligështisë ‑ e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.” Nxënësit i thanë: “Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mire të mos martohet njeriu!” Ai u përgjigj: “S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim. Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe nga ata që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka nga ata që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit. Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!”

 

Në Ungjillin e sotëm, farisenjtë nuk shkojnë te Jezusi për të mësuar, por për ta zënë në kurth. Ata nuk pyesin si nxënës, por si armiq; jo për të gjetur të vërtetën, por për të gjetur një akuzë. Por Jezusi nuk hyn në debatet juridike të kohës mbi divorcin; me urtinë e Tij hyjnore, i çon ata te plani fillestar i Hyjit. Në këtë mënyrë, Jezusi i fton të mos e ndërtojnë martesën mbi kufijtë e ligjit, por mbi bukurinë e dashurisë. Jezusi, duke na kthyer te fillimi, te zemra e vullnetit të Hyjit për njeriun, citon fjalët e Shkrimit të Shenjtë nga libri i Zanafillës: “Njeriu do ta lërë baben e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të jenë vetëm një trup.” Këtu, të dashur dëgjues, gjendet një detaj i rëndësishëm, përmes të cilit Ungjilli i sotëm na jep një mësim të thellë për jetën tonë. Jezusi nuk tha: “Le të qëndrojë pranë prindërve të tij”, por: “Do ta lërë babain e nënën e vet”, për të treguar se tani lind një bashkim më i fortë se çdo lidhje tjetër njerëzore. Burri largohet nga prindërit jo për të mos i nderuari më ata, por për t’iu bashkuar gruas së tij në një bashkim që Hyji e ka caktuar që në fillim.

Edhe kur Jezusi thotë: “Të dy do të jenë një trup i vetëm”, Ai nuk flet vetëm për një bashkim fizik, por për një bashkim të plotë të jetës. Të bëhesh “një trup i vetëm” do të thotë të hysh në një bashkim personash, ku secili jeton për tjetrin dhe me tjetrin. Në martesë, burri dhe gruaja i përkasin njëri-tjetrit jo si pronë, por si dhuratë; sepse dashuria e vërtetë nuk kërkon të zotërojë tjetrin, por ta dhurojë veten. Pikërisht në këtë dhurim lind uniteti që Hyji ka dashur që në krijim. Kështu, burri dhe gruaja nuk janë më dy, por një jetë e vetme, një zemër e vetme dhe një trup i vetëm.

Prandaj thotë Jezusi: “Çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!” Këto fjalë të Jezusit na zbulojnë se martesa nuk është thjesht një marrëveshje mes dy njerëzve, por një vepër e Hyjit. Dashuria bashkëshortore e ka burimin në vetë Zotin, prandaj nuk mund të mbështetet vetëm në ndjenja, të cilat ndryshojnë, por në besnikërinë që ushqehet nga hiri i Hyjit. Aty ku Hyji bashkon dy zemra, Ai u jep edhe forcën për të falur, për të duruar, për të filluar përsëri dhe për të ecur së bashku drejt shenjtërisë. Të ruash këtë bashkim do të thotë të ruash një dhuratë të shenjtë që Hyji ua ka besuar bashkëshortëve. Farisenjtë e pyetën Jezusin për lejimin e divorcit që kishte dhënë Moisiu. Jezusi u shpjegoi se ky ishte një tolerim për shkak të zemrës së ngurtësuar të njeriut, por se në fillim plani i Hyjit për martesën ishte bashkimi i shenjtë dhe i pandashëm i burrit dhe gruas. Sa herë që zemra mbyllet ndaj dashurisë, lind ndarja; sa herë që zemra hapet ndaj hirit të Hyjit, bëhet e aftë të falë, të qëndrojë besnike dhe të jetojë sipas planit të bukur që Hyji kishte menduar “që në fillim”.

Vazhdon Jezusi, në të cilin Ligji gjen plotësinë e tij, duke thënë: “Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet – përveç në rast të fëlligështisë – e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.”

Fjalët e Jezusit mund të duken të rënda, por në të vërtetë ato zbulojnë bukurinë e dashurisë sipas planit të Hyjit. Martesa nuk është një kontratë që prishet kur ndryshojnë ndjenjat, por një besëlidhje që pasqyron dashurinë besnike të Krishtit për Kishën. Jezusi e mbron dinjitetin e dashurisë, duke na ftuar ta mbështesim jetën jo mbi ndjenjat që kalojnë, por mbi besnikërinë që buron nga Hyji.

Reagimi i nxënësve – “Atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!” – tregon se ata e kuptuan se Jezusi nuk po propozonte një moral më të lehtë, por një mënyrë të re jetese. Për këtë arsye, Jezusi u përgjigjet se “jo të gjithë e kuptojnë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim”. Kjo na mëson se as martesa e krishterë dhe as virgjëria për Mbretërinë nuk janë thjesht zgjedhje njerëzore; ato janë para së gjithash dhurata dhe thirrje. Hyji nuk thërret pa dhënë edhe hirin për ta jetuar atë që kërkon. Kur nxënësit thonë: “Atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!”, Jezusi u përgjigjet se kjo nuk është një çështje force, por dhurate. Edhe martesa, edhe jeta e kushtuar janë thirrje që Hyji i shoqëron gjithmonë me hirin e Tij. “Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!” Vetëm një zemër e prekur nga dashuria e Krishtit mund të jetë besnike deri në fund.

Në fund të fundit, çdo thirrje e krishterë – qoftë martesa, qoftë jeta e kushtuar – është pjesëmarrje në të njëjtin mister: të duash sipas masës së Kryqit, ku dashuria qëndron besnike deri në fund dhe nuk pushon së dhuruari vetveten.

 

O Jezus, Dashuri besnike deri në fund, mbushi zemrat tona me hirin Tënd. Na mëso të duam jo sipas dobësisë sonë, por sipas zemrës Sate; të falim, të qëndrojmë besnikë dhe ta ruajmë çdo dhuratë që vjen prej Teje. Bëj që familjet tona të jenë pasqyrë e dashurisë Tënde dhe dëshmi e pranisë Sate në botë. Amen.