Kush nuk është me mua, është kundër meje!
12 MARS 2026
UNGJILLI I DITËS
“Kush nuk është me mua, është kundër meje!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES - Lk 11, 14-23
Njëherë Jezui po dëbonte një djall, [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, memeci foli e populli u habit. Por disa prej tyre thanë: «I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve». Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. Po qe se djalli është i ndarë në vetvete, pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit, si do të qëndroj mbretëria e tij? Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj. Por nëse unë i dëboj djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit. Kur trimi i fort i armatosur mirë e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresonte e i ndan plaçka e tij. Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan».
Të dashur dëgjues, Ungjilli nuk e paraqet djallin si simbol mitologjik, por si një realitet personal të së keqes. Siç e dëgjuam, Ungjilli i sotëm na ven përpara një fragment të fuqishëm. Jezusi dëbon një djall që e kishte bërë një njeri memec. Memecëria bëhet simbol i gjendjes së brendshme të njeriut që kur pushtohet nga e keqi: nuk flet më me Zotin, nuk komunikon me të tjerët, mbyllet në frikë, në ndjenja faji, e turpi dhe në plagë të pashëruara. E kur Jezusi e dëbon djallin, njeriu flet. Jezusi nuk kryen vetëm një mrekulli fizike. Ai rikthen zërin, rikthen marrëdhënien sepse e bën njeriun të aftë për komunikim me Hyjin dhe me tjetrin.
Ungjilli, na tregon se, përballë kësaj mrekullie, turmat mrekullohet. Por disa e akuzojnë duke thënë: Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit. Ndërsa disa të tjerë kërkojnë një shenjë nga qielli. Këtu zbulohet verbëria shpirtërorë që arrin deri aty sa ta quajë dritën errësirë dhe errësirën dritë. Kur zemra është e mbyllur, edhe të vërtetën më të qartë e shtrembëron. Kjo është drama e lirisë: Hyji nuk e detyron askënd të besojë. Mund të jemi edhe dëshmitar të dritës, por të zgjedhim errësirën.
Jezusi përgjigjet me një arsyetim të thjeshtë: «Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. Po qe se djalli është i ndarë në vetvete, si do të qëndroj mbretëria e tij? kështu Jezusi i vendos kundërshtarët në kontradiktë me veten.
Por kjo fjalë ka një domethënie shpirtërore edhe për secilin prej nesh. Kur një pjesë e jona kërkon Hyjin, dhe një pjesë tjetër kërkon vetveten, zemra e jonë është e ndarë. Kjo ndarje krijon trazim. Ndarja e brendshme shfaqet në forma të ndryshme si p.sh.: lutemi, por mbajmë urrejtje; kërkojmë falje, por nuk falim; duam dritën, por bëjmë veprat e errësirës. Një zemër e ndarë nuk gjen paqe.
Pastaj Jezusi shpall: Por nëse unë i dëboj djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit. Veprimi i Hyjit është veprim i brendshëm, i heshtur, por plot pushtet. Mbretëria nuk vjen me spektakël, por me një prekje të brendshme që ndryshon zemrën. Sa herë zgjedhim të vërtetën në vend të gënjeshtrës, faljen në vend të hakmarrjes, besimin në vend të frikës, aty është mbretëria e Hyjit. Çdo rrëfim i sinqertë, çdo kthim zemre, çdo akt dashurie është shenjë se Mbretëria e Zotit është aty. Mbretëria e Zotit tashmë është e pranishme në Krishtin.
Figura e “të fortit” që ruan pallatin është, imazh i djallit që mban njeriun në skllavëri. Pallati është zemra e njeriut. I forti është i armatosur dhe duket i sigurt. Armët e tij janë: Gënjeshtra, më të cilën na bind se Zoti nuk është i mirë, Ai nuk na do. Frika se Zoti nuk na falë, se jeta e jonë është dështim. Akuza që na bën të ndihemi të pa vlerë, të pa denjë.
Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresonte. Më i forti është Jezusi. Ai e mund djallin jo me forcën dhunës, por me përvujtëri dhe bindje. Në kryq, ndodh çarmatimi i vërtetë: dashuria çarmatos urrejtjen, falja çarmatos akuzën, e vërteta çarmatos gënjeshtrën. Asnjë zinxhir nuk është më i fortë se hiri i Tij.
Në Emrin e Jezusit edhe ne mund të fitojmë në luftën tonë shpirtërore. Jo me forcën tonë, por duke i besuar Më të Fortit. Duke lejuar që Ai të hyjë në “pallatin” e zemrës sonë dhe të heqë armët e gënjeshtrës, e frikës dhe të akuzës. Satani shpërndan. Krishti mbledh. Satani akuzon. Krishti fal. Satani frikëson. Krishti jep paqe dhe guxim.
Përfundon Ungjilli i sotëm me Fjalët e Jezusit:
Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan. Kjo fjalë për ne të dashur dëgjues është thirrje për një “po” të plotë. Krishti është Ai që bashkon zemrën e ndarë, familjen e plagosur, bashkësinë e ndarë.
Të jesh me Krishtin do të thotë të lejosh që Ai të mbledhë brenda teje dhe ta bëjë zemrën një vend ku më i forti sundon me vullnetin e Tij, pra Krishti. Të jesh me Krishtin do të thotë të jesh instrument bashkimi.
O Zot Jezus, Ti që je më i Forti, hyr në pallatin e zemrës sime dhe më liro prej errësirës dhe prej çdo të keqe tjetër. Amen.