Kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet!

10 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- (Mt 10, 16-23)

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: "Ja, unë po ju dërgoj porsi dele midis ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!

Ruajuni prej njerëzve: sepse do t'ju pandehin në gjyqe, do t'ju frushkullojnë në sinagoga të tyre. Për shkak timin do t'ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. E kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t'ju jepet çka duhet të thoni, sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpër ju. Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t'i vrasin. Edhe ju do t'ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet. Kur t'ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t'i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut."

Siç e dëgjuam, Ungjilli i sotëm fillon me fjalët e Jezusit: "Ja, unë po ju dërgoj porsi dele midis ujqish!" Kështu, Jezusi i përgatit nxënësit e vet për realitetin se shpallja e Ungjillit nuk do të mirëpritet gjithmonë me gëzim, por shpesh do të hasë në kundërshtim dhe refuzim. Fakti që dishepujt janë "dele" dhe jo "ujq" tregon se forca e tyre nuk qëndron te dhuna, por te fuqia e Hyjit.

Vazhdon Jezusi: "Jini, prandaj, të mençur porsi gjarpërinjtë!" Sipas Papa Benediktit XVI, këto fjalë të Jezusit nuk janë një ftesë për dinakëri apo mashtrim, por për urti shpirtërore, për aftësinë që të dallojmë si dhe kur duhet shpallur e vërteta. Gjithashtu, Shën Jeronimi thotë se gjarpri, kur është në rrezik, e mbron mbi të gjitha kokën e vet. Për të krishterin, "koka" është Krishti. Prandaj, i krishteri duhet të jetë i gatshëm të humbasë gjithçka, por kurrë të mos e humbasë fenë në Krishtin.

Nuk mjafton të jemi të zgjuar; duhet të kemi edhe një zemër të pastër, pa urrejtje, pa hakmarrje dhe pa dyfytyrësi. Prandaj Jezusi na kërkon edhe të jemi të thjeshtë porsi pëllumbat. Pëllumbi është simbol i pastërtisë së zemrës dhe i mungesës së çdo ligësie. Thjeshtësia e pëllumbit është transparenca e zemrës që vepron vetëm për Hyjin dhe për të mirën e tjetrit. E dimë se pëllumbi është edhe simbol i paqes dhe i Shpirtit Shenjt. Pra, nxënësit të Jezusit i kërkohet të jetë njeri paqeje, edhe kur jeton në një botë armiqësore, dhe njëri që jeton nën ndikimin e Shpirtit Shenjt.

Jezusi, të dashur dëgjues, i bashkon këto dy cilësi, të cilat në shikim të parë duken të kundërta: mençurinë dhe thjeshtësinë. Vetëm mençuria mund të bëhet dinakëri, ndërsa vetëm thjeshtësia mund të bëhet naivitet. Prandaj, fjalët e Jezusit janë një ftesë që të jemi: të pastër në qëllime dhe të mençur në veprime; të mirë me të tjerët, por jo të lehtë për t'u mashtruar; të butë, por jo të dobët; të mençur, por jo dinakë. Është një mrekulli e vërtetë fakti se delet mund të triumfojnë mbi ujqit; kjo ndodh vetëm sepse Krishti është Bariu i tyre. Vetëm kështu mund të bëhemi dëshmitarë të vërtetë të Krishtit, “Qengjit të Hyjit”, i cili, në mes të armiqësisë së botës, mbeti i butë, i vërtetë dhe plot dashuri.

Edhe në vazhdim të Ungjillit, Jezusi nuk na premton një jetë të lehtë, por na premton se nuk do të jemi kurrë vetëm. Ai është krejtësisht i sinqertë me nxënësit e Tij. Jezusi u thotë: "Do t'ju urrejnë", "do t'ju përndjekin", "do t'ju dorëzojnë". Dhe kjo ndodh për faktin se bota shpesh i kundërvihet Ungjillit, sepse drita e Krishtit e shqetëson errësirën. Prandaj, kundërshtimi dhe përndjekja nuk janë shenjë e dështimit të misionit, por shpesh janë shenjë se fjala e Hyjit po jep fryte. Në këtë Ungjill gjejmë edhe një nga premtimet më të bukura të Jezusit: "Nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpër ju." Nxënësi i Jezusit nuk është i vetëm në çastet e provës. Kur njeriu arrin në kufijtë e forcës së vet, atëherë në të vepron fuqia e Shpirtit Shenjt.

Sa shpesh ne kemi frikë nga e ardhmja: "Çfarë do të them? Çfarë do të bëj? A do të jem i fortë mjaftueshëm?" Jezusi na thotë: "Kur të vijë ora, unë do të të jap hirin që të nevojitet." Zoti nuk na jep sot hirin për sprovat që do të kemi nesër; Ai na e jep hirin pikërisht në çastin kur kemi nevojë për të. Kjo është arsyeja pse ne mund të jetojmë me besim dhe jo me frikë. Po ashtu, edhe fjalët: "Kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet", na kujtojnë se jeta e krishterë është një maratonë dhe jo një vrapim i shkurtër. Nuk mjafton t'i themi "po" një herë Krishtit; jemi të thirrur t'i themi "po" çdo ditë, edhe kur kjo sjell keqkuptime, kundërshtime apo vuajtje.

 

O Jezus, Qengji i Hyjit, bëje zemrën time të pastër si pëllumbi dhe mendjen time të urtë sipas Shpirtit tënd. Kur të jem mes "ujqve", mos lejo të humbas paqen, dashurinë dhe besimin në Ty. Më jep hirin të qëndrojmë besnikë deri në fund. Amen.