Kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ka jetën e pasosur
22 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ka jetën e pasosur”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 35-40
Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. Por ju thashë: më patë e prapë s’më besoni. Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit. Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”
Jezusi thotë: “Unë jam buka e jetës. Teologjikisht, kjo fjalë lidhet drejtpërdrejt me misterin e Eukaristisë, ku Krishti është i pranishëm realisht dhe bëhet ushqimi i shpirtit tonë. Në Kungim, besimtari merr vetë Krishtin. Me të vërtetë të dashur dëgjues, Korpi i Krishtit në Eukaristi është i njëjti trup që ka lindur nga Virgjëra Mari, është i njëjti trup që ka vuajtur për mëkatet tona, i njëjti trup që ka qenë kryqëzuar në mal të Kalvarit e që ka vdekur në Kryq dhe është varrosur. Korpi i Krishtit në Eukaristi është i njëjti trup që është ngjallur prej së vdekuri dhe rri në të djathtën e Atit duke ndërmjetësuar për ne. Në lidhje më këtë edhe Shën Pashku me bindje të fortë thoshte: “Hyji vërtet është i pranishëm në Hosten e shuguruar ashtu siç është në Lavdinë e qiellit. Ne në këto momente kemi më shumë sesa thjesht ta kishim parë dhe prekur Jezusin, sepse mund ta marrim në zemër, mund ta marrim në thellësitë e qenies sonë vetë Krishtin.” Ndërsa Shën Pio, tregon për gjendjen e zemrës së tij para se të ushqehet me Korpin e Krishtit duke thënë: kam aq etje dhe dëshirë para se ta marrë Korpin e Krishtit, saqë çuditem që s’vdes nga përmallimi. Dhe vazhdon përsëri duke thënë: Oh sa e ëmbël është biseda me Jezusin në këto momente.
Vazhdon Jezusi: Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. Këtu Jezusi shpall se Ai është përgjigjja përfundimtare ndaj çdo nevoje njerëzore. “Të vish” tek Ai tregon një lëvizje të lirë të njeriut drejt Zotit. “Të besosh” në Të është një akt besimi që hap zemrën ndaj hirit. Sigurisht, premtimi “nuk do të ketë më uri e etje” nuk duhet kuptuar në mënyrë materiale, por si një realitet më i thellë: Krishti jep jetën hyjnore, që e mbush shpirtin me kuptim, paqe dhe me një jetë hyjnorë që vjen prej bashkimit me Të.
Disa herë dëgjojmë se njerëzit thonë: “Po të shihja një mrekulli, do të besoja.” Por Jezusi sot thotë pikërisht të kundërtën: më patë e prapë s’më besoni. Pra të shohësh nuk do të thotë automatikisht të besosh, sepse njerëzit e shihnin Jezusin fizikisht, shihnin edhe mrekullitë dhe veprat e Tij, prapëseprapë nuk besonin në Të. Besimi është një akt i zemrës, jo vetëm i syve. Njeriu mund të jetë përballë së vërtetës, por nëse zemra është e mbyllur, ai mbetet në errësirë. Edhe sot mund ta “shohim” Jezusin – në Ungjill, në Eukaristi, në Kishë – dhe megjithatë të mos besojmë vërtetë. Pra, mund të kemi një afërsi të jashtme por, jo një takim të brendshëm me Të.
Jezusi na premton duke na thënë: Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë. Këto fjalë të Jezusit janë ndër më ngushëllueset në gjithë Ungjillin e Gjonit. Ato zbulojnë zemrën e Hyjit: një zemër që nuk dëshiron të humbasë askënd. Frika më e madhe e njeriut është refuzimi. Por Jezusi na siguron se prej Tij askush nuk do të refuzohet. Nuk ka mëkat, dështim apo histori që mund ta bëjë Jezusin të na e mbyllë derën.
Ai ka zbritur prej qiellit, për të bërë vullnetin e Atit. E vullneti i Atit është të mos humbë asnjë. Po, të dashur dëgjues kjo është dëshira më e thellë e Atit. Ai dëshiron të shpëtojë çdo njeri. Por njeriu mund ta refuzojë Atë.
Përfundon Ungjilli duke thënë: Që kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur. Prandaj, i krishteri jeton me një siguri të thellë se jeta nuk përfundon në vdekje. Ne nuk jemi krijuar për këtë botë. Ne jemi krijuar për të jetuar në amshim. Pikërisht këtu qëndron shpresa e madhe për ne. Për këtë arsye mund të themi se besimi është një hyrje në jetën e përjetshme që fillon që tani.
O Jezus, më jep hirin të vij tek Ti pa frikë, të besoj në dashurinë Tënde, dhe të jetoj çdo ditë në vullnetin e Atit, me shpresën e jetës së pasosur. Amen.