Kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ka jetën e pasosur

23 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ka jetën e pasosur

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 44-51

 

 Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.  Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë.  Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin!  Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur.  Unë jam buka e jetës.  Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.  Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë.  Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë,  do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im ‑ për jetën e botës.”

 

Ungjilli sot fillon me një të vërtetë që sfidon mënyrën tonë të zakonshme të të menduarit: besimi nuk është nismë e njeriut, por dhuratë e Hyjit. Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Kjo do të thotë se çdo dëshirë për Hyjin që kemi pasur ndonjëherë… nuk e ka fillimin nga ti, por nga Ati. Mendo, i dashur dëgjues, për momentet kur ke ndjerë një shtytje për t’u lutur, një dëshirë për të dëgjuar Fjalën e Zotit, një nxitje për të kërkuar diçka më të thellë. Në të gjitha këto ka qenë Ati që, si një zë i brendshëm, të ftonte, si një etje që nuk shuhet me asgjë tjetër përveçse me praninë e Tij të tërhiqte.

Ati na tërheq jo me detyrim, por me forcën e një dashurie që e ndriçon mendjen dhe e ëmbëlson zemrën, po ashtu si e vërteta tërheq mendjen dhe dashuria tërheq zemrën. Don Tonino Bello thotë: kjo “tërheqje” është një prekje e butë në plagët tona. Hyji nuk na tërheq nga triumfi, nga siguria, nga përsosmëria. Hyji na tërheq nga varfëria jonë, nga dështimet tona, nga etja jonë për dashuri, nga nevoja për pranim. Ai hyn në jetën tonë nga dyert që ne i quajmë dobësi.

Jezusi thotë: atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. Ky premtim përsëritet disa herë në Ungjillin e Gjonit. Jezusi na kujton se historia jonë nuk mbaron në varr. Ai që u ngadhënjye mbi vdekjen duke u Ngjallur, na premton se do të na ringjallë edhe ne. Por ringjallja nuk është vetëm një ngjarje e ardhshme; ajo fillon tani: sa herë që zgjedhim dritën në vend të errësirës, sa herë që lejojmë dashurinë të fitojë mbi egoizmin, sa herë që pranojmë Fjalën e Tij me zemër, jeta e përjetshme fillon të veprojë në ne.

Pastaj Jezusi citon një fjalë të profetëve: “Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.” Nxënës të Jezusit bëhemi jo se mbarojmë universitete, por sepse hyjmë në shkollën e zemrës. Në këtë shkollë, librat janë njerëzit, mësimet janë përvojat, provimet janë zgjedhjet tona të përditshme.

Hyji nuk shkruan vetëm në libra; Ai shkruan në thellësinë e zemrës sonë, shkruan në jetët tona. Por për të lexuar këtë shkrim duhet një zemër e sunduar nga ndjenjat e butësisë dhe e përvujtërisë. Prej Hyjit mësojnë vetëm ata që janë të gatshëm të mësojnë. Ai mëson jo vetëm përmes fjalëve, por përmes ndërgjegjes, përvojave të jetës, dhimbjes dhe gëzimit, dhe mbi të gjitha përmes Shpirtit Shenjt. Por për ta dëgjuar këtë mësim duhet heshtje, duhet një zemër e gatshme për të pranuar dhe për të ndryshuar.

Në ungjillin e sotëm Jezusi na jep edhe sigurinë e plotë se ai që beson, ka jetën e pasosur. Ai nuk thotë: “do të ketë”, por “ka jetën e pasosur”. Tashmë e dimë, të dashur dëgjues, se jeta e përjetshme nuk është vetëm një realitet pas vdekjes, por një jetë që fillon tani: një jetë në marrëdhënie të vërtetë me Hyjin, një jetë që nuk shkatërrohet nga vdekja, një jetë që lind nga besimi.

Atëherë Jezusi bën një krahasim të fortë: Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. Në fakt, Mana ishte një mrekulli e madhe që Zoti e ka kryer për popullin e Izraelit. Ai bëri që në shkretëtirë të zbriste mana prej qielli, për ta ushqyer popullin. Por neve, Zoti na ka dhënë edhe më shumë. Mendoje mirë, i dashur dëgjues, çfarë mrekullie e madhe ndodh mbi altar, ku bëhet i pranishëm realisht Krishti, Buka e Gjallë që zbriti prej qiellit, Krishti nëpërmjet të cilit është krijuar qielli dhe toka. Në të vërtetë, kush e hëngri atë manë në shkretëtirë ka vdekur, por kush e ha Bukën që zbriti prej qiellit, do të ketë faljen e mëkateve dhe nuk do të vdesë, por do të jetojë për amshim.

Vetë Jezusi thotë: Buka që unë do ta jap është trupi im për jetën e botës. Kjo është dashuri që na thotë: “Dua të jem një me ty.” Dhe kjo është Dashuria që u bë mish për ne dhe na ushqen me mishin e Tij, për të na bërë një me Të.

Jezusi jep veten për jetën e botës. Kjo përfshin mëkatarin, të lodhurin, atë që dyshon, atë që është larg. Krishti nuk na jep vetëm jetë, Ai është vetë Jeta që na dhurohet.

Me të vërtetë, kur ne e shikojmë Kryqin mund të kuptojmë se  sa na ka dashtë Jezusi dhe kur e shikojmë Osten e Shenjtë, kupton  sa shumë Jezusi na do tani.

 

O Atë i dashur, faleminderit që më ke tërhequr drejt Teje. Faleminderit për çdo dëshirë dhe etje për praninë Tënde. Jezus, Buka e Gjallë që zbrite prej qielli, hyr në zemrën time, hyr aty ku ka lodhje, plagë dhe boshllëk dhe më ushqe me Praninë Tënde. Bëj që të filloj të jetoj jetën e pasosur që Ti më premton. Amen.