Kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
14 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
"Kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur."
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 3, 7-15
Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’ Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit.” Nikodemi e pyeti: “Si mund të bëhet kjo gjë?” Jezusi iu përgjigj: “Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq? Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them: ne flasim çka dimë e dëshmojmë çka pamë, e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë. Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë si do të më besoni në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit? Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
Nikodemi është njeri i mire, i ditur, fetar, i respektuar nga të gjithë dhe është mësues i Izraelit. Por Jezusi i thotë: Duhet të lindni përsëri prej së Larti. Po, të dashur dëgjues, mund të jemi njerëz të mirë në aspektin moral, të jetojmë ndershmërisht dhe të bëjmë edhe vepra të mira, por kjo nuk do të thotë se kemi lindur prej së Larti. Sepse jeta shpirtërore nuk reduktohet në virtyte njerëzore, por është pjesëmarrje e plotë në jetën e Hyjit. Madje, mund të shkojmë edhe në Kishës, të lutemi, të kryejmë praktika fetare, e megjithatë zemra të mbetet e mbyllur ndaj veprimit të plotë të Shpirtit Shenjt. Sepse thelbi nuk është vetëm çfarë bëjmë për Hyjin, por sa e lejojmë Atë të veprojë në ne.
Të lindesh prej Shpirtit Shenjt do të thotë t’ia dorëzosh vetveten plotësisht Hyjit, të lejosh që Ai të të shndërrojë nga brenda, që mendja, zemra dhe vullneti të formohen sipas Krishtit. Vetëm atëherë jeta jonë nuk është më thjesht e mirë në dukje, por bëhet e re në thelb, e mbushur me praninë dhe fuqinë e Shpirtit. Vetëm kur jetojmë nga Shpirti, feja e jonë bëhet jetë e vërtetë brenda nesh.
Jezusi vazhdon bisedën: Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Në gjuhën biblike, “era” dhe “shpirti” shprehen me të njëjtën fjalë – ruah në hebraisht dhe pneuma në greqisht – duke na kujtuar se ajo që është e padukshme është pikërisht ajo që jep jetë. Shpirti Shenjt është frymë jete, liri e pastër, prani që nuk zotërohet, por që dhurohet. Shpirti nuk kufizohet në mendimet apo pritshmëritë tona. Vjen në mënyra të papritura, vepron në heshtje dhe shpesh na çon në udhë që nuk i kemi zgjedhur vetë. Nuk bën zhurmë, por depërton thellë në shpirt, si një pëshpëritje që zgjon ndërgjegjen dhe thërret drejt të vërtetës. Prandaj veprim i Tij nuk është vetëm ndryshim i jashtëm, por rilindje e brendshme: zemra shndërrohet. Dhe ashtu si era njihet nga efekti i saj, edhe Shpirti Shenjt njihet nga frytet që lë: paqja në trazime, gëzimi që nuk varet nga rrethanat, dashuria që sakrifikon dhe një dritë e re në marrëdhënien me Hyjin dhe me të tjerët. Jezusi i thotë Nikodemit edhe: “Ne flasim çka dimë e dëshmojmë çka pamë, e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë.”
Këtu zbulohet drama e madhe e njerëzimit: e vërteta nuk mungon, por pranimi i saj mungon. Drita ka ardhur, por sytë janë mësuar me errësirën. Zoti flet, por zemra është e mbyllur. Prandaj dëshmia e Krishtit nuk bëhet në ne, një përvojë e brendshme që na shndërron. Shën Augustini pohon: "Njeriu, e refuzon Zotin jo sepse nuk e njeh, por sepse është i lidhur me gjëra që e mbajnë larg Tij. Pra, mospranimi i dëshmisë së Krishtit është shpesh një çështje e zemrës, jo e mendjes".
Atëherë Jezusi sjell një figurë nga Besëlidhja e Vjetër: gjarprin që Moisiu e lartësoi në shkretëtirë. Në Shkrimin Shenjt shkruhet se të gjithë ata që e shikonin, shpëtonin. Ashtu edhe ne shpëtojmë duke parë Krishtin në kryq. Në shkretëtirën e jetës sonë, shpesh ndihemi të lodhur, të plagosur, ndonjëherë edhe të helmuar nga mëkati, frika apo dëshpërimi. Por, Ungjilli sot na kujton se shërimi vjen nga shikimi plot besim drejt Krishtit të Kryqëzuar.
Pyetje është: Ku e drejtoj shikimin tim në momentet e vështira?
Të shikosh Jezusin e kryqëzuar do të thotë: të besosh në dashurinë e Tij, të besosh se Ai mori mbi vete mëkatin tënd, të pranosh faljen dhe t'ia dorëzosh jetën Atij. Dhe besimi nuk është vetëm ndjenjë. Është një zgjedhje. Do të ketë ditë, kur nuk ndjen asgjë, kur ke dyshime, kur je i lodhur. Por besimi është të thuash: “ O Zot, unë zgjedh të besoj ne Ty, gjithsesi.” Edhe Papa Françeskun thoshte: besimi është para së gjithash: të besosh se je i dashur nga Zoti. Jo vetëm të pranosh disa të vërteta, por të hapësh zemrën ndaj dashurisë së Tij. Ungjilli përfundon me fjalët që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. Jeta e pasosur nuk është vetëm në të ardhmen. Ajo fillon tani, në marrëdhënien me Krishtin. Jeta e pasosur është edhe një jetë e mbushur me kuptim, një jetë në bashkim me Zotin, një jetë që nuk shkatërrohet nga vdekja.
O Zot Jezus, ashtu si dikur populli i Izraeli shikonte gjarprin në shkretëtirë dhe shërohej, edhe unë sot i drejtoj sytë e zemrës sime drejt Teje në kryq. Në lodhjen, ne plagët dhe frikërat e mia, më jep hirin të besoj në dashurinë Tënde që shëron, dhe të gjej në Ty shpresë, falje dhe jetë të re. Amen.