Ky është Gjon Pagëzuesi!

01 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ky është Gjon Pagëzuesi!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 14, 1-12)

 

Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç'flitej për Jezusin dhe u tha shërbëtorëve të vet: "Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!" E vërtet, Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. Sepse Gjoni i kishte thënë: "Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!" Herodi donte ta vrasë, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet. Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të grishurve dhe aq i pëlqeu Herodit, sa që me përbe­tim i premtoi se do t'i japë çkado që t'i kërkojë. Ajo, e mësuar prej s'ëmës: "Ma jep - tha - këtu në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit!" Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të grishurve, urdhëroi t'i jepet. Dërgoi dikë dhe ia shkurtoi Gjonit kryet në burg. Kryet e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo s'ëmës. Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupine tij dhe e varrosën, pastaj shkuan dhe i treguan Jezusit.

 

Sot Ungjilli na vendos përballë një prej ngjarjeve më të dhimbshme të Shkrimit Shenjt: martirizimit të Gjon Pagëzuesit, njeriut të drejtë dhe profetit të fundit të Besëlidhjes së Vjetër. Fillon Ungjilli duke treguar se, kur Herodi dëgjon për Jezusin, menjëherë mendon: "Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri!" Po pse Herodi reagon kështu? Sepse ai kishte vrarë profetin, por nuk kishte mundur ta vriste zërin e ndërgjegjes së tij. Sa herë ndodh kështu edhe me ne! Madje, edhe kur përpiqemi ta justifikojmë veten, mëkatet tona vazhdojnë të trokasin fort në ndërgjegjen tonë.

Edhe pse Herodi e fut Gjonin në burg, zemra e tij është e lirë. Sepse, të dashur dëgjues, liria e vërtetë nuk është të bësh çfarë dëshiron, por të jesh i aftë të bësh të mirën. Këtë liri e kishte Gjoni. Ndërsa Herodi ishte mbret në pallatin mbretëror. Kishte pasuri, ushtarë, autoritet dhe pushtet. Por, në të vërtetë, ai ishte skllav. Skllav i pasioneve të veta, i krenarisë, i frikës për të humbur reputacionin para të tjerëve. Me të drejtë, Shën Ambrozi thotë: "Ai që nuk sundon mbi pasionet e veta, edhe po ta sundojë krejt një mbretëri, mbetet skllav." Kjo është tragjedia e Herodit. Ai sundon të tjerët, por nuk mund ta sundojë vetveten. E sa njerëz sot duken të lirë, por janë robër të krenarisë, lakmisë, xhelozisë, mëkatit dhe opinionit të njerëzve. Dhe sa të tjerë, megjithëse kalojnë vuajtje e sprova, janë të lirë, sepse jetojnë në hirin dhe në bekimin e Zotit.

Gjoni nuk kërkoi të fitonte favorin e mbretit, por thoshte atë që donte Zoti. Ai i kishte thënë Herodit: "Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën, gruan e vëllait tënd!" Gjoni e di se kjo mund t'i kushtojë jetën, por nuk hesht. Ne jetojmë në një kulturë që shpesh thotë: "Mos gjyko." "Mos thuaj asgjë..." "Mos e shqetëso tjetrin..." Por Gjoni na mëson se ka raste kur heshtja bëhet bashkëpunim me të keqen. Gjithashtu na mëson të jemi në kujdes që të mos e ngatërrojmë dashurinë me heshtjen. Mendojmë se e duam dikë duke mos i thënë të vërtetën. Dashuria e vërtetë e thotë të vërtetën pa frikë, madje edhe kur e vërteta kushton. Sepse e vërteta që nuk thuhet nga frika e njerëzve, bëhet tradhti ndaj Hyjit. Prandaj prindërit duhet t'u thonë të vërtetën fëmijëve. Priftërinjtë duhet ta predikojnë të vërtetën. Miqtë duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin të ecin drejt Hyjit, duke ia thënë të vërtetën. Sigurisht, jo me zemërim. Jo me krenari. Por me dashuri. Sepse e vërteta pa dashuri bëhet mizori, ndërsa dashuria pa të vërtetë bëhet gënjeshtër.

Gjithçka ndodh gjatë kremtimit të ditëlindjes së Herodit. Një festë që duhej të ishte ditë gëzimi, përfundon me një vrasje. Një banket mbretëror, që duhej të ishte shprehje e drejtësisë, bëhet vendi ku triumfon padrejtësia. Pse? Sepse, kur njeriu jeton jashtë hirit të Hyjit, festat i prishen dhe gëzimi i shndërrohet në trishtim. Në këtë festë Ungjilli na flet edhe për një vallëzim që bëhet shkaku i një mëkati të rëndë. Një çast kënaqësie sjell vdekjen e njeriut të drejtë. Thotë Ungjilli se, kur vajza e Herodiadës kërkon kokën e Gjonit: "Mbretit i erdhi keq..." Kjo është një fjali shumë e rëndësishme. Nga kjo kuptojmë se Herodi e dinte se kërkesa ishte e keqe. E dinte se Gjoni ishte i pafajshëm. E dinte se po bënte padrejtësi. Atëherë pse e vret Gjonin? Sepse kishte frikë se çfarë do të thoshin të tjerët. Herodi ishte rob i një sëmundjeje shpirtërore shumë të përhapur edhe sot: frikës nga gjykimi i të tjerëve. Në vend që të pyeste: "Çfarë është e drejtë?", ai pyeste: "Çfarë do të thonë të tjerët? Çfarë do të mendojnë për mua?" Sa herë edhe sot merren vendime të gabuara, jo sepse nuk e dimë të vërtetën, por sepse frika nga gjykimi i njerëzve bëhet më e fortë se zëri i Hyjit që flet në zemrën tonë.

Na tregon Ungjilltari se Herodi dërgoi njerëzit dhe ia shkurtoi Gjonit kryet në burg. Këtu duket se gjithçka përfundon në errësirë: një ekzekutim i padrejtë dhe një kokë në pjatë.

Por Gjoni humbi kokën, por nuk humbi të vërtetën. Gjoni humbi jetën tokësore, por fitoi kurorën e amshuar. Herodi mund ta varroste trupin e profetit, por jo dëshminë e tij.

Pjesa e fundit e Ungjillit është shumë prekëse. Nxënësit e Gjonit e varrosin mësuesin e tyre dhe më pas: "Shkuan dhe i treguan Jezusit." Sa e bukur! Kur zemra thyhet, shko te Jezusi. Kur humbet dikë, shko te Jezusi. Kur nuk kupton çfarë po ndodh, shko te Jezusi. Kur e vërteta të kushton, shko te Jezusi. Ata nuk kishin përgjigje. Kishin vetëm dhimbje. Dhe e çuan dhimbjen e tyre te Jezusi.

 

O Zot, më jep hirin të dua të vërtetën më shumë se sa miratimin e njerëzve, të dëgjoj zërin Tënd më shumë se zërin e botës dhe të kem guximin t'i qëndroj besnik Ungjillit, edhe kur kjo të më kushtojë. Amen.