Ky është me të vërtetë Profeti!
21 MARS 2026
UNGJILLI I DITES
“Ky është me të vërtetë Profeti!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 7, 40-53
Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin: “Ky është me të vërtetë Profeti!” Të tjerë thoshin: “Ky është Mesia!” Prapë disa të tjerë thoshin: “Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia? Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?” Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij. Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të. U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë: “Pse nuk e sollët?” Rojtarët u përgjigjën: “Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!” Atëherë farisenjtë u përgjigjën: “Po a mos u mashtruat edhe ju? Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin ‑ qoftë mallkuar!” U tha njëri prej tyre, Nikodemi ‑ ai që më parë pati qenë te Jezusi: “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?” Ata iu përgjigjën: “A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!” Dhe se cili shkoi në shtëpinë e vet.
Jemi në kulmin e diskutimi publik mbi identitetin e Jezusit. Në Ungjill shihen debate të forta rreth identitetit të Tij. Disa thonë: “Ky është me të vërtetë Profeti!” Në të vërtetë ta quash Jezusin “Profet” do të thotë të pranosh se Hyji po flet përmes Tij. Megjithatë, ta quash vetëm “Profet” është një hap jo i plotë. Është një afrim drejt misterit, por jo hyrje e plotë në të, sepse ende nuk e kanë kuptuar plotësisht identiteti i Tij si Biri i Hyjit. Të tjerë thonë: “Ky është Mesia!” Dhe janë disa të tjerë që thonë: “Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia?” Këtu zbulohet përçarja që sjell e vërteta. Disa arrijnë në përfundimin e drejtë, por të tjerët mbesin të mbyllur në paragjykimet e tyre.
Kuptojmë pra në dritën e Ungjillit se paragjykimet tona mund të na pengojnë që të besojmë dhe të pranojmë dhuratën e Hyjit. Nganjëherë edhe ne mendojmë: Zoti nuk mund të veprojë përmes këtij personi, këtij vendi apo kësaj situate. Por Zoti vjen pikërisht prej aty ku ne nuk e presim, madje edhe prej aty ku ndoshta e përçmojmë.
Autoritetet fetare edhe Shkrimin e Shenjtë, që do të duhej t’i çonte në njohjen dhe në pranimin e Jezusit, e përdorin për ta refuzuar atë. Në fakt, ata i citojnë drejt Shkrimet, por nuk e kërkojnë të vërtetën me zemër të hapur. Është e mundshme ta lexojmë Biblën mos ta kemi njohjen e saktë të Jezusit.
Prandaj Ungjilli thotë: “U bë përçarje në popull.” Përçarja nuk është qëllimi i Jezusit, por pasojë e lirisë njerëzore përballë së vërtetës. Drita ndan: ata që e duan të vërtetën afrohen, ndërsa ata që duan errësirën largohen.
Fjala e Jezusit zbulon qëndrimin e zemrës së tyre.
Disa deshën ta kapnin Jezusin, por askush s’vuri dorë mbi Të. Jo, askush nuk mund të veprojë kundër Tij jashtë planit të Hyjit. Prandaj edhe ti i dashur dëgjues, nëse ndodhë që ligësia e njerëzve po rritet kundër teje, kujtoje se asgjë nuk ndodh përtej asaj që Provania hyjnore lejon.
Atëherë, rojtarët, të dërguar për ta arrestuar Jezusin, kthehen të kapur nga fjala e Tij: ata thonë: “Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!”. Po, kjo është e vërtetë sepse Fjala që në fillim ishte pranë Hyjit (krh. Gjn 1,1) tani flet me zë njerëzor, por me autoritet hyjnor. Ndërsa Farisenjtë e verbër përgjigjen me përçmim: “a mos u mashtruat edhe ju?” Ata arsyetojnë: “Nëse ne nuk besojmë, atëherë nuk mund të jetë e vërtetë.” Këtu shohim tundimi i autoritetit fetar: që mendojnë se e vërteta i përket vetëm atyre. Krijojnë një ndarje midis “ne që dimë” dhe “vegjëlia që nuk di”. Edhe pse janë pikërisht të vegjlit ata që e kanë zemrën e hapur. Prandaj Mallkimi i vërtetë është mbyllja e zemrës.
Ungjilli na thotë: kujdes kur fillon të mendosh se je “më i mirë” apo “më i dijshëm” se të tjerët. Krenaria fetare është një nga pengesat më të mëdha në jetën shpirtërorë.
Ungjilli i sotëm përfundon duke thënë: “ Secili shkoi në shtëpinë e vet.” Domethënë, u kthyen në mendimet, bindjet dhe frikat e tyre. Edhe ne sa herë e dëgjojmë Fjalën e Zotit bëjmë një zgjedhje: ose kthehemi në jetën tonë njësoj si më parë, ose e lejojmë Jezusin që të na ndryshojë.
O Zot Jezus, çliroje zemrën time nga paragjykimet dhe krenaria. Ma jep hirin ta kërkoj të vërtetën me përvujtëri dhe ta pranoj dritën Tënde pa frikë. Amen.