Ky njeri po bën shumë mrekulli!

28 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ky njeri po bën shumë mrekulli!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 11, 45 – 56

 

 Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të.  Disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çka bëri Jezusi.  Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë thirrën Këshillin në kuvend. Thoshin: “Çka të bëjmë? Ky njeri po bën shumë mrekulli!  Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të, atëherë do të vijnë romakët e do të na e rrënojnë Vendin e shenjtë dhe .”  Njëri prej tyre, Kajfa ‑ kryeprifti i atij viti ‑ u tha: “Ju s’po dini asgjë!  Nuk mendoni se është më mirë për ju të vdesë vetëm një njeri për , se të mbarojë krejt populli!”  Nuk i tha këto fjalë prej vetvetes, por, pse ishte kryeprifti i atij viti ‑ profetizoi se Jezusi do të vdiste për popull.  Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një.  Po atë ditë vendosën ta vrasin.  Për këtë arsye Jezusi nuk dilte më botërisht ndër judenj, por shkoi prej andej në një vend afër shkretëtirës, në qytetin që quhet Efraim dhe aty banoi për disa kohë bashkë me nxënësit.  Ishin afër Pashkët e judenjve. Shumë vetë nga ai vend u ngjitën në Jerusalem para Pashkëve për t’u pastruar.  E kërkonin Jezusin dhe, ndërsa qëndronin në Tempull, i thoshin njëri‑tjetrit: “Çka ju thotë mendja: a thua ai nuk ka ndërmend të vijë për Festë?”

 

Të dashur dëgjues, ungjilli i sotëm vjen menjëherë pas ringjalljes së Lazarit. Një mrekulli e madhe ndodh para syve të të gjithëve. Një njeri që ishte katër ditë në varr është kthyer në jetë. Por çuditërisht, kjo mrekulli nuk prodhon vetëm besim. Ungjilli na thotë se: disa besuan, ndërsa disa të tjerë shkuan për ta denoncuar Jezusin. I njëjti Jezus që shpëton disa, shqetëson disa të tjerë.

Mrekullia nuk i detyron që të besojnë të gjithë. Por Mrekullia bën diçka tjetër: zbulon zemrën e njeriut. Ata që kanë një zemër të hapur e njohin menjëherë dorën e Hyjit dhe thonë: “Ky është Mesia”. Por ata që janë të lidhur me interesat e tyre shohin të njëjtën mrekulli dhe mendojnë: “Ky njeri është i rrezikshëm”.

Në këtë kuptim, mrekullitë e Jezusit janë si një pasqyrë. Ato janë si dritë ku çdo njeri sheh atë që ka në zemër. Në fakt, Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë nuk thonë se Jezusi është mashtrues. Përkundrazi, ata pranojnë: “Ky njeri po bën shumë mrekulli.” Problemi i tyre është frika. Ata thonë: “Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe romakët do të na e rrënojnë vendin e shenjtë.” Sa herë ndodh kjo edhe në jetën tonë! Njeriu e ndjen se Jezusi ka të drejtë, por mendon: nëse e ndjekë Jezusin, do të më duhet të ndryshoj jetën; nëse e ndjekë Jezusin, do të më duhet të mohoj interesat e mia; nëse e ndjek Jezusin, do të më duhet të dorëzoj kontrollin e jetës sime. Dhe kështu lind frika. Në thelb, drama e këtyre njerëzve është kjo: ata më shumë preferojnë sigurinë pa Hyjin sesa rrezikun me Hyjin. Atëherë Kryeprifti Kajfa thotë një fjali që është një nga paradokset më të mëdha të Ungjillit: “Është më mirë të vdesë një njeri për popullin sesa të mbarojë populli.” Ai e thotë këtë si fryt e një llogarie politike. Por Ungjilli na zbulon se në atë moment ai po shpall një profeci. Realisht Kryeprifti mendon se po shpëton kombin duke vrarë Jezusin. Por në të vërtetë Jezusi do të vdesë për të shpëtuar gjithë botën. Kjo është një nga misteret më të mëdha të veprimit të Hyjit: Po, Hyji ynë di të nxjerrë të mirën edhe nga gabimet dhe nga planet e së keqes. Hyji i Mire përdor çdo situatë për të mirën tonë tonë, edhe planet e njerëzve të pabesë, prandaj kemi arsye t’i besojmë plotësisht Mirësisë së Tij. Ata vendosin ta vrasin Jezusin. Por Hyji e përdor atë vendim për të shpëtuar njerëzimin.

Vazhdon Ungjilli duke thënë se: Jezusi do të vdiste për popullin.  Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një.

Mëkati, të dashur dëgjues, gjithmonë shpërndan dhe përçan: ndan njeriun nga Hyji; ndan njerëzit nga njëri-tjetri; ndan zemrën tonë brenda nesh; Ndërsa Jezusi bën të kundërtën: Ai bashkon. Në kryq Jezusi shtrin krahët e Tij si shenjë që do të përqafojë të gjithë botën. Atë ditë Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë: “vendosën ta vrasin Jezusin.” Por duhet ta kuptojmë një gjë: Jezusi nuk është viktimë e komplotit njerëzor. Ai ecën drejt kryqit lirisht. Kryqi nuk është vetëm padrejtësi e njerëzve; kryqi është mbi të gjitha dashuria e Hyjit që jep veten për ne.

Pas vendimit për ta vrarë, Jezusi shkoi në një vend afër shkretëtirës, në qytetin që quhet Efraim dhe aty banoi për disa kohë bashkë me nxënësit. Kjo na mëson se ka momente kur Hyji na thotë të tërhiqemi, të reflektojmë, të lutemi dhe të përgatitemi për veprën që Ai dëshiron ta kryej përmes nesh.

 

O Hyji i Mire, Ti që përdor çdo gabim dhe çdo errësirë për të sjellë shpëtimin, më mëso të besoj në Mirësinë Tënde të pakufishme.

Shpëtoje zemrën time nga frika dhe egoizmi; hapi sytë e shpirtit tim të njohë dorën Tënde në çdo mrekulli dhe në çdo vështirësi! Amen.