“Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje!”

10 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT -Mk 7, 1-13

 

 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi.  Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.  Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve.  As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).  Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:

“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”  Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje.  I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit ‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’  Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”  Dhe u tha: “Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj!  E pra, Moisiu tha: ‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’ dhe: ‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’  E ju përkundrazi thoni:

‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’,  atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës.  Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”

 

 

Të dashur dëgjues, sot dëgjuam një nga tekstet më sfiduese të Ungjillit sipas Markut.

Farisenjtë dhe skribët i kritikojnë dishepujt sepse hanë pa larë duart që sipas “traditës” një gjë e tillë nuk duhet të bëhej. Për ta, shkelja e një zakoni ritual barazohej me papastërti shpirtërore. Jezusi u përgjigjet duke cituar Isainë profet: “Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larg meje. Kot më nderojnë, duke mësuar si doktrina urdhërime njerëzish.” Ai dëshiron t’u bëj të kuptojë se pastërtia e vërtetë nuk është rituale. Nderimi i jashtëm dhe ritët e ndryshme pa kthim të brendshëm janë të zbrazëta, sepse feja e vërtetë fillon nga zemra dhe shprehet në vepra dashurie.  Prandaj feja nuk matet me atë që duket nga ana e jashtme, por me atë që lind nga një zemër e prekur prej Fjalës së Zotit.

Sigurisht, të dashur dëgjues, Jezusi nuk dëshiron ta shfuqizoj Ligjin, por ta  çliroj nga formalizmat e jashtme dhe ta rikthej në qëllimin e vërtetë të tij, d.m.th. tek dashuria ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit.

Edhe Papa Françesku shpesh na ka paralajmëruar për rrezikun e një feje të jashtme, kur veprojmë vetëm sipas zakoneve dhe rregullave, por pa marrëdhënie të gjallë me Zotin.

 Ai thotë se hipokrizia fetare lind kur njeriu duket i drejtë nga jashtë, por nuk lejon që Ungjilli ta ndryshojë nga brenda. Në këtë mënyrë edhe praktikat fetare më të mira mund të bëhen pengesë, nëse nuk e çojnë njeriun drejt dashurisë konkrete ndaj Zotit e ndaj njeriut.

 

Ungjilli i sotëm na fton ta pyesim veten me sinqeritet:

Praktikat tona fetare a janë vetëm zakone apo janë shprehje e një marrëdhënie të gjallë me Zotin? Mbajtja e rregullave, a na afron më shumë me Zotin dhe me njerëzit, apo na bën të ngurtë dhe të mbyllur në skemat tona?

 

O Zot, pastroi zemrat tona, që feja jonë të mos jetë vetëm në buzë, por të jetojë në dashuri, në mëshirë dhe në të vërtetë.