Lavdet e mëngjesit
JAva e dytë e Pashkëve - E HËNË
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E hënë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kori i Jeruzalemit të ri
himnin e ëmbël të këndojë,
e me gëzime të urta
festën e Pashkëve të kremtojë.
Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
kundër të mposhturit dragua,
kur lëshon zë të fuqishëm,
shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
Prenë që kish ngrënë i prapi
e kthen përsëri tartari;
liruar nga robëria,
turmat prapa Krishtit venë.
Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
dhe i denjë në tërë hapësirën,
e atdheun, qiellin e tokën
i shndërron në një shtet të vetëm.
Me këngë t’i lutemi atij
si ushtarë që i këndojnë mbretit,
që ai të na vendosë
në pallat të vet tërë dritë.
Të jetë gjithherë për mendjet,
o Krisht, gëzimi i Pashkës,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në fitoret e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj, aleluja.
Psalmi 42 /41/ (2-12)
Dëshira për Zotin dhe për tempullin e tij
Kush është etshëm, le të vijë; kush do, le ta marrë ujin e jetës falas (Zb 22, 17).
Sikurse dreri i dëshiron *
burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im *
të dëshiron ty, o Hyj!
Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *
oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, *
ndërsa më thonë për çdo ditë: »Ku është Hyji yt?«
Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend †
si shtegtoja në krye të turmës, *
- si prijës - drejt banesës së Hyjit
me brohori e këngë lavdi *
në procesion kremtues!
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Shpirti im është në pikëllim, †
prandaj ty të kujtoj *
nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.
Humnera thërret humnerën *
me ushtimën e ujërave të tua,
të gjitha vorbullat e valët e tua *
kaluan përmbi mua.
Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, †
natën kënga e tij me mua: *
uratë Hyjit të jetës sime.
Do t’i them Hyjit: *
»Qeta ime, pse më harron?
Përse endem i trishtuar, *
prej armiqsh i rrethuar?«
Edhe eshtrat më thërrmohen prej trishtimit †
për shkak të armiqve të mi *
që më thonë përditë: »Ku është Hyji yt?«
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj, aleluja.
Ant. 2 Bëj që t’i shohim, o Zot, veprat e tua dhe ne do t’i këndojmë mrekullitë e tua, aleluja.
Kënga Sir 36, 1-6. 13-16
Lutja për popullin e shenjtë të Zotit
E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin (Gjn 17, 3).
Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë, *
dhe përshkoji me frikën tënde të gjithë paganët *
Ngrite dorën tënde mbi kombet e huaja *
që ta shohin pushtetin tënd.
Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, *
ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre,
që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne, *
se s'ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot.
Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë, *
jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë,
Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit, *
ktheju pronat si në fillim.
Ki mëshirë për popullin tënd
që quhet me emrin tënd, *
për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd.
Ki dhimb për Qytetin tënd të shenjtë, *
për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd.
Mbushe Sionin me madhërinë tënde *
e me lavdinë tënde Tempullin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bëj që t’i shohim, o Zot, veprat e tua dhe ne do t’i këndojmë mrekullitë e tua, aleluja.
Ant. 3 Mbi qytetin e shenjtë shkëlqen lavdia e Hyjit: drita e tij është Qengji, aleluja.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Himn Hyjit krijues
Hyji na e dërgoi në pasi prej qiellit Diellin... për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes (Lk 1, 78. 79).
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Mbi qytetin e shenjtë shkëlqen lavdia e Hyjit: drita e tij është Qengji, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 2, 22-24
Dëgjoni këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju; këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s'ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet.
Përgjigjja e shkurtër
C Krishti u ngrit prej thellësisë së tokës,
* aleluja, aleluja.
Krishti u ngrit prej thellësisë së tokës, aleluja, aleluja.
D Zoti mbretëron, ai u vesh me madhëri,
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Krishti u ngrit prej thellësisë së tokës, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Lavdia e Hyjit shkëlqen mbi vdekjen dhe mbi ngjalljen e Krishtit. Në Emër të tij ta lartësojmë tek Ati lutjen tonë:
Shndrite jetën tonë, o Zot.
O Hyj, atë i dritës, që shndrit botën me lavdinë e Krishtit të ngjallur
— na drejto gjatë kësaj dite në dritën e fesë.
Ti që në Krishtin i hape dyert e jetës së amshuar
— bëj që synimet tona në botë të frymëzohen nga shpresa e krishterë.
Ti që nëpërmjet Birit tënd na e dhurove Shpirtin Shenjt
— na bëj dëshmitarë të dashurisë sate.
Për meritat e Birit tënd, të vdekur e të ngjallur për ta liruar botën
— falua të gjithë njerëzve paqen dhe shëlbimin.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, tashmë mundemi të të thërrasim Ati ynë; bëj të rritet në zemrat tona shpirti i bijësisë, që të mund të hyjmë një ditë në trashëgimin që na e premtove. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.