Lavdet e mëngjesit
Java e shtatë e Pashkëve – E Shtunë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
Java e shtatë e Pashkëve – E Shtunë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
I mirëpritur prej të gjithëve
zbardhi dita e shenjtëruar,
ku Krishti Zot, shpresa e botës,
u ngjit në qiejt e lartë.
Triumf i luftës së madhe,
nga princi i vrarë i botës,
duke shfaqur ndër sy t’Atit
lavdinë e trupit fitimtar.
Mbartet në re të shkëlqyeshme
e jep shpresë ndër besimtarë,
duke hapur tash parajsën
që pat mbyllur njeriu i parë.
O hare për t’gjithë e madhe,
nga Virgjëra jonë lindur,
pas rrahjesh, pështymash, pas kryqit
në selinë atërore është ngjitur.
Prandaj ta falënderojmë
këtë mbrojtës të shpëtimit,
që trupin tonë do ta mbartë
lart në mbretërinë e qiellit.
Qoftë për ne bashkë me qiellorët
përherë gëzimi i përbashkët,
për ata që u shfaq atyre,
për ne që nuk është larguar.
Tash, Krisht, në qiell duke u ngjitur
tek ti zemrën tonë e ngrite,
Shpirtin tënd edhe të Atit
duke na çuar prej qiellit. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Fjalët që ju thashë janë shpirt dhe jetë, aleluja.
Psalmi 119 /118/
XIX (145-152)
Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t'i zbatojmë urdhërimet e tija (1Gjn 5, 3).
Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *
dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.
Klitha drejt teje, më shpëto, *
që t’i ruaj dëshmitë e tua.
Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *
shpresoj në fjalën tënde.
Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *
për të përsiatur fjalët e tua.
Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *
e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.
U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *
janë larg nga Ligji yt.
Por ti, o Zot, je afër, *
besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Që moti di për urdhërimet e tua, *
se i themelove për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Fjalët që ju thashë janë shpirt dhe jetë, aleluja.
Ant. 2 O Hyj, mbi malin tënd të shenjtë e ndërtove për ne një altar dhe një tempull, aleluja.
Kënga Urt 9, 1-6. 9-11
O Zot, më jep urtinë
Unë do t'ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s'do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj (Lk 21, 15).
O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, *
ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin,
që njeriun e krijove me anë të urtisë sate *
për të sunduar krijesat që ti i përftove,
për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi *
dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë:
ma jep urtinë që rri në fron pranë teje *
dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu,
sepse jam shërbëtori yt, biri i skllaves sate, †
njeri i vogël e jetëshkurtër, *
i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj.
Sepse, edhe po t'u gjente ndër bijtë e njerëzve
ndokush i përsosur, †
por, në qoftë se i mungon urtia jote, *
do të vlerësohej për asgjë.
Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, *
që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin,
dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu *
dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua.
Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë, *
çoje prej selisë së madhërisë sate,
që të jetë me mua
e të mundohet krah për krah me mua, *
që të di çka është e pëlqyeshme para teje.
Sepse ajo di dhe gjithçka kupton, †
të më përcjellë me maturi në veprat e mia *
e të më mbrojë me lavdinë e vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Hyj, mbi malin tënd të shenjtë e ndërtove për ne një altar dhe një tempull, aleluja.
Ant. 3 Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, aleluja.
Psalmi 117 /116/ (1-2)
Grishje për të lavdëruar Zotin për dashurinë e tij
Këtë unë e them: Paganët e lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij (Krh. Rom 15, 8. 9).
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *
besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, aleluja.
Leximi i shkurtër Jud 20-22
Ju o të dashur, ndërtoni veten mbi themelin e fesë suaj tejet të shenjtë duke u lutur në Shpirtin Shenjt. Qëndroni në dashurinë e Hyjit duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur. Disa - të ndërdyshmët - qortoni.
Përgjigjja e shkurtër
C Dërgoje, o Zot, Shpirtin në zemrat tona, * aleluja, aleluja.
Dërgoje, o Zot, Shpirtin në zemrat tona, aleluja, aleluja.
D Në të jemi bijtë dhe trashëgimtarët e tu.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Dërgoje, o Zot, Shpirtin në zemrat tona, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Ja unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Të Shenjtëruar në Pagëzim për të paraqitur flinë e lavdit, ta lavdërojmë Hyjin, Atin tonë, së bashku me vëllezër të shpërndarë nëpër botë. Të themi me fe të gjallë:
O Zot Jezu, na ripërtërij në Shpirtin tënd.
Dërgoje mbi ne Shpirtin tënd,
— që të kumtojmë para të gjithëve si Mbret dhe Zotëri.
Rrite në ne dashurinë e sinqertë,
— bëj që ta duam njëri-tjetrin si na mësove ti vetë.
Përgatite bashkësinë tonë që ta pranojë dhuratën e Shpirtit Shenjt,
— ardhja e tij le të jetë fillimi i jetës së re.
Na e dhuro forcën e Shpirtit Shenjt,
— që t'i shërojë plagët tona dhe të na japë forca të reja për të ecur drejt shëlbimit.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, pasi i kryem festat e Pashkëve, po të lutemi bëj që krejt jeta jonë të jetë një dëshmi e vazhdueshme e Krishtit të ngjallur. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.