Lavdet e mëngjesit

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E martë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijuesi i dritës së amshuar,

   ai vetë tërë drita e dita,

   që asnjë errësirë nuk ndien,

   paprerë natyra e dritës,

 

   tani nata e zbehtë i lëshon vendin

   dhe as pishtarë mos t’sillen

   duke u dobësuar ndirçimin yjeve

   është pranë dhe diell shkëlqimplotë.

 

   T’gëzuar nga shtrati ngrihemi

   duke kënduar ty falnderjet

   se t’errtën natë do t’shuajë dielli

   duke sjellë dritën rishtas.

 

   Ty tani, që andja e mishit

   me lakmi t’ëmbla tinëz mos të futet,

   e mendja jonë mos t’rrehet nga mashtrimet

   e botës, ty i Shenjtë, të lutemi.

 

   Mllefi mos të nxisë grindje,

   barkun mos ta çoftë peshë grykësia

   fuqitë mos i shterroftë uria

   mos çoftë krye luksi i turpshëm.

 

   Por mendje mprehtë të matur,

   me trup t’shëndoshë të mbajtur

   me shpirt besnik ndaj Krishtit

   ta kalojmë tërë këtë ditë.

 

   Bëj, o Atë tërë i drejti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   duke sunduar n’gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ty, o Zot, do të të këndoj himne dhe do ta ndjek udhën e përsosmërisë.

 

   Psalmi 101 /100/ (1-8) Programi i mbretit besnik ndaj Zotit

 

   Nëse më doni, do t'i mbani urdhërimet e mia (Gjn 14, 15).

 

Dua të këndoj dashurinë e drejtësinë, *

   për nderin tënd, o Zot, do t’i bie muzikës!

Do të përparoj në udhën e pafajësisë: *

   kur do të vish ti tek unë?

 

Do të jetoj në pastërtinë e zemrës sime, *

   brenda shtëpisë sime.

 

S’do të vë para syve të mi asnjë padrejtësi, †

   e urrej njeriun që vepron keq: *

   nuk do të qëndrojë ngjat meje.

 

Zemra e keqe do të jetë larg meje, *

   bakeqin s’dua ta njoh.

 

Atë që fshehtas i shpifet të afërmit të vet

   unë do ta zhbij. *

   Mendjemadhin dhe krenarin

   nuk do ta duroj.

I kam sytë mbi të drejtët e vendit *

   që të banojnë bashkë me mua,

ai që ecën udhës së pafajësisë, *

   do të jetë shërbëtori im.

 

Nuk do të banojë brenda shtëpisë sime

   ai që gënjen, *

   ai që flet rrena nuk do të qëndrojë para syve të mi.

 

Çdo mëngjes do të shfaros keqbërësit e vendit, †

   do t’i zhbij prej qytetit të Zotit *

   të gjithë ata që bëjnë paudhësi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ty, o Zot, do të të këndoj himne dhe do ta ndjek udhën e përsosmërisë.

 

Ant. 2 Mos e largo mëshirën tënde prej nesh, o Zot.

 

   Kënga Dan 3, 26. 27. 29. 34-41 Kënga e Azarisë në furrë

 

   Pendohuni e kthehuni, që t'ju shlyhen mëkatet (Vap 3, 19).

 

I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *

   i madhërueshëm, emri yt i lavdishëm në shekuj,

 

sepse je i drejtë *

   në gjithçka na bëre,

 

të gjitha veprat e tua e udhët e tua janë të drejta, *

   të gjitha gjyqet e tua të vërteta.

 

Vërtet mëkatuam e vepruam paudhërisht

   duke u larguar prej teje, *

   porse tepër shumë mëkatuam!

 

Oh, mos na lësho përgjithmonë

   ‑ pashë emrin tënd ‑ *

   e mos e shpërndaj besëlidhjen tënde;

 

as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, *

   pashë Abrahamin, të dashurin tënd,

pashë Izakun, shërbëtorin tënd, *

   e pashë Izraelin, shenjtin tënd,

 

të cilëve u zotove se do t'ua shumosh farën

   porsi yjet e qiellit e porsi rërën *

   që është në bregun e detit,

 

sepse, o Zot, *

   jemi pakuar më shumë se të gjithë popujt,

 

të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën *

   në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!

 

Ne në këtë kohë nuk kemi

   princ as profet as prijës, *

   fli shkrumbimi, therore, as kushtime as kem,

 

as vend ku të kushtojmë ty flitë e fryteve të para *

   që të mund të gjejmë mëshirë.

 

Por na prano me shpirt të përgrirë *

   e të përvujtëruar në shpirt,

porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish *

   porsi mijëra qengjash të majmë

 

e tillë le të jetë flija jonë para teje sot *

   e përsosna ne që të vemi pas teje

sepse s'do të turpërohen *

   ata që shpresën e kanë vënë në ty.

 

Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër, *

   ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Mos e largo mëshirën tënde prej nesh, o Zot.

 

Ant. 3 Do të të këndoj një këngë të re, ty o Hyj, që jep fitoren.

 

   Psalmi 144 /143/ (1-10) Lutja e Mbretit për fitore dhe për paqe

 

   Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi (Fil 4, 13).

 

Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im †

   që m’i mëson duart për luftim *

   e gishtërinjtë për luftë.

Mëshira ime dhe kështjella ime, *

   strehimi im dhe çlirimtari im,

shqyti im pas të cilit fshihem, *

   ai që popullin tim e vë nën sundimin tim.

 

O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, *

   biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Njeriu i përngjan avullit, *

   ditët e tij si hija që kalon.

 

O Zot, priri qiejt e tu e zbrit, *

   preki malet e ato le të tymojnë.

Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë, *

   flakëro shigjetat dhe shpartalloji!

 

Shtrije dorën tënde prej së larti †

   më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha, *

   prej kthetrave të bijve të huaj,

 

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re, *

   për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash,

sepse mbretërve ti u jep fitoren, *

   e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,

   prej shpatës vrastare.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do të të këndoj një këngë të re, ty o Hyj, që jep fitoren.

 

   Leximi i shkurtër Is 55, 1

 

   O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s'kanë para! Blini drithë e hani; ejani e blini pa para e pa pagesë verë e qumësht!

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Dëgjoje zërin tim, o Zot: * shpresoj në fjalën tënde.

   Dëgjoje zërin tim, o Zot: shpresoj në fjalën tënde.

   D I paraprij agimit dhe të thërras në ndihmë,

   shpresoj në fjalën tënde.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Dëgjoje zërin tim, o Zot: shpresoj në fjalën tënde.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Prej atyre që na urrejnë na shpëto, o Zot.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Prej atyre që na urrejnë na shpëto, o Zot.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Zoti na jep hir ta lavdërojmë në bashkim me të gjithë vëllezërit tanë. Për këtë arsye plot shpresë t’i drejtohemi me lutjen:

 

   Në lavdinë e Emrit tënd, dëgjona ne, o Zot!

 

Të falënderojmë, o Zot dhe Atë i Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit:

për njohjen dhe pavdekshmërinë që nëpër të na dhurove.

Jepna përvujtërinë e zemrës:

që njëri-tjetrit t’i shërbejmë në dashurinë e Krishtit.

Jepna neve shërbëtorëve të tu, Shpirtin Shenjt:

që dashuria jonë vëllazërore të jetë e vërtetë dhe e çiltër.

Ti njeriut i ke urdhëruar që t’ia nënshtrojë botën vetes me anë të veprimtarisë së tij:

bëj që puna jonë të të lavdërojë Ty dhe t’i shenjtërojë vëllezërit.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, drita e atyre që besojnë në ty! Mbushe botën mbarë me lavdinë tënde dhe dëftohu para të gjithë popujve në shkëlqimin e së vërtetës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.