Lavdet e mëngjesit

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hiri i lavdisë atërore,

   që nxjerr dritën nga drita,

   dritë drite e gurrë ndriçimi,

   ditë që i jep ndriçim ditës.

 

   Diell i vërtetë, paprerë

   zbrit me ndriçim shkëlqyes,

   dhe zbraz ndër shqisat tona

   dritën e Shpirtit Shenjt.

 

   Atit me kushte i lutemi,

   Atit të lavdisë s’amshuar,

   Atit që jep hir të fuqishëm,

   të shporrë fajet e rreme.

 

   Të bëjë veprime të shkathta,

   t’ia çmprehë dhëmbin smirëziut,

   të përkrahë në raste të vështira

   t’i japë për të kryer ndere.

 

   Të drejtojë mendje e të sillet

   me trup besnik të pastër;

   të shkëlqejë me ngrohtësi feja,

   të mos njohë helme mashtrimi.

 

   Ushqimi ynë të jetë Krishti,

   dhe pija jonë të jetë Feja;

   të gëzueshëm të pimë t’urtën

   dehje të Shpirtit Shenjt.

 

   Kjo ditë të kalojë e këndshme;

   si ag drite qoftë

   pastria të jetë si agimi, feja si mesi i ditës,

   errësirë të mos dijë mendja.

 

   Agimi udhëheq udhëtimet:

   Agimi të priftë përpara,

   në Atin i tërë Biri,

   dhe Ati i tërë në Fjalën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Që në mëngjes, o Zot, dëgjoje zërin tim!

 

   Psalmi 5 (2-10. 12-13) Urata e mëngjesit

 

   Ata që e pranuan Fjalën dhe bëhen banesa e tij do të galdojnë përgjithmonë.

 

Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia, *

   kuptoje dënesën time!

Dëgjoje zërin e britmës sime, *

   Mbreti im e Hyji im!

 

Sepse ty ta drejtoj uratën time, o Zot, †

   qysh në mëngjes e dëgjon zërin tim: *

   që në mëngjes dal para teje e pres.

 

Sepse ti nuk je Hyj që i pëlqen padrejtësia, †

   pranë teje nuk ka vend bakeqi, *

   bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.

 

Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq, †

   i zhbin të gjithë ata që flasin rrena; *

   Të neverit gjakësori e tradhtari.

 

E unë në saje të dashurisë sate të madhe †

   do të hyj në Shtëpinë tënde, *

   do të bie përmbys me nderim

   në Tempullin tënd të shenjtë.

 

O Zot, më prij udhës së drejtësisë sate,

   për shkak të armiqve të mi, *

   rrafsho para meje udhën tënde.

 

Jo, s’ka çiltëri në gojën e tyre, *

   humnerë është zemra e tyre,

gurmazi i tyre varr i hapur *

   e me gjuhë përkëdhelin.

 

Le të gëzohen ata që mbështeten në ty, *

   le të galdojnë përherë e në amshim!

Mbroji dhe le të gëzohen në ty *

   të gjithë ata që e duan Emrin tënd!

 

Sepse ti, o Zot, e bekon të drejtin, *

   si shqyt e mbron dashamirësia jote.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Që në mëngjes, o Zot, dëgjoje zërin tim!

 

Ant. 2 E lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë, o Zot, Hyji ynë.

 

   Kënga 1 Kro 29, 10-13. Vetëm Hyjit i qoftë nderi dhe lavdia

 

   Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit (Ef 1, 3).

 

I bekuar je, o Zot,

   Hyji i Izraelit, atit tonë, *

   prej amshimit e në amshim!

 

Ty, o Zot, të përket madhëria e pushteti, †

   lavdia, shkëlqimi dhe lartmadhëria! *

   Sepse gjithçka në qiell e në tokë, janë të tuat!

 

Ty, o Zot, të përket mbretëria, *

   ti lartësohesh si kryet përmbi çdo gjë!

Prej teje vjen pasuria dhe lavdia, *

   ti zotëron me gjithçka!

 

Në dorën tënde fuqia dhe pushteti, *

   Ti mund të bësh gjithçka

   të madhërishme e të qëndrueshme!

Prandaj, o Hyji ynë, po të madhërojmë *

   e po e lavdërojmë Emrin tënd të madhërishëm!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë, o Zot, Hyji ynë.

 

Ant. 3 Lavdi Zotit në tempullin e tij: ai mbretëron përgjithmonë.

 

   Psalmi 29 /28/ (1-8. 10-11. 9c) Zoti e shpall me madhështi fjalën e vet.

 

   Dhe ja, një zë që vinte nga qielli, tha: »Ky është Biri im i dashur« (Mt 3, 17).

 

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit, *

   jepni Zotit lavdinë e fuqinë!

Jepni Zotit nderin e Emrit të tij, *

   adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra, †

   Hyji i madhërishëm gjëmon, *

   Zoti bubullin mbi ujëra të mëdha!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm, *

   Zoti gjëmon me madhëri!

Ja, zëri i Zotit i copëton cedrat, *

   Zoti i thërrmon cedrat e Libanit!

 

E bën të kërcejë si viç Libanin, *

   Sarionin si kotorr bizoni!

 

Ja, zëri i Zotit - përhap flakë zjarri, †

   ja, zëri i Zotit e godet shkretëtirën, *

   e godet Zoti shkretëtirën Kades!

 

Zoti e ka fronin përmbi përmbytje, *

   Zoti mbretëron përgjithmonë e jetës!

Zoti i jep fuqi popullit të vet, *

   Zoti e bekon popullin e vet me paqe.

 

Ndërkaq në Tempullin e tij *

   të gjithë thonë: »Lavdi!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdi Zotit në tempullin e tij: ai mbretëron përgjithmonë.

 

   Leximi i shkurtër 2 Sel 3, 10b-13

 

   Kush nuk do të punojë, as mos të hajë! Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve ju urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë! Dhe ju, o vëllezër, mos u mërzitni duke bërë vepra të mira!

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Që nga fillimi e deri në amshim,

   * qoftë bekuar Zoti!

   Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!

   D Vetëm ai bëri mrekulli:

   qoftë bekuar Zoti!

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta madhërojmë Krishtin, plot me mirësi dhe Shpirt Shenjt dhe t’i drejtohemi plot me shpresë:

 

   Jepna, o Zot, Shpirtin tënd!

 

Qoftë kjo ditë për ne e këndshme, e qetë dhe e papërlyer

kështu që sonte të mund të të lavdërojmë Ty me zemër të gëzueshme dhe të pastër.

Le të na shndrisë sot drita jote

dhe urtia jote i frymëzoftë projektet dhe veprat tona.

Na e trego fytyrën tënde, që në paqe të veprojmë mirë

dhe na ruaj sot me të djathtën tënde të fuqishme.

Shikoji të gjithë ata që u porositën në lutjet tona

dhe shpërbleji me çdo të mirë shpirtërore dhe trupore.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Veprat tona frymëzoji, o Zot, dhe përcilli me ndihmën tënde, që çdo veprim i ynë të zërë fill prej Teje dhe në Ty të përmbushet. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.