Lavdet e mëngjesit

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E mërkurë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Natë, errësirë dhe re,

   me pështjellim të turbullt të botës,

   hyn drita, e shkëlqen rruzulli:

   Vjen Krishti, ndaj largohuni.

 

   Tokës i çahet mjegulla

   rrahur nga shigjeta e diellit,

   tash ngjyra u kthehet sendeve

   nga faqja e yllit shkëlqimplotë.

 

   Fill kështu errësira jonë,

   e zemra e vetëdijshme e gënjeshtrës,

   mbuluar nga re të çara,

   zbehet nga Hyji sundues.

 

   Vetëm ty, o Krisht, ne të njohëm,

   me mendje të thjeshtë e të pastër,

   ty të lusim të gjunjëzuar

   mësojmë me lot e këngë.

 

   Merru me shqisat tona,

   dhe na shiko tërë jetën:

   shumë gjëra janë të përlyera

   për t’u pastruar me dritën tënde.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i drejti,

   me Atin të qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.

 

   Psalmi 36 /35/ (2-13) Fajësia e njeriut e mirësia e Hyjit

 

   Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës (Gjn 8, 12).

 

Paudhësia pëshpërit mu në zemër të bakeqit, *

   frika e Hyjit s’është para syve të tij.

Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, *

   të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.

 

Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, *

   për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.

 

Në shtrojën e vet sendërton paudhësinë, †

   ecën vazhdimisht udhës së keqe, *

   djallëzinë nuk e urren.

 

Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, *

   bujaria jote deri në majë të reve!

Drejtësia jote si malet, më të lartat, †

   gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: *

   njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.

 

Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! *

   Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.

Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, *

   u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.

 

Sepse te ti është burimi i jetës, *

   në dritën tënde ne shohim dritën.

 

Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, *

   drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.

 

Mos më shkeltë këmba e madhështorit, *

   mos më grahtë dora e mëkatarit.

Këtu u thyen bakëqijtë, *

   ranë e më s’mund u ngritën!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.

 

Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.

 

   Kënga Jt 16, 1-2. 13-15 Zoti, krijuesi i botës, e mbron popullin e vet

 

   Këndonin një këngë të re (Zb 5, 9).

 

Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, *

   këndoni Zotit tim me tinguj cimbalesh,

psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: *

   lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij!

 

Ti je Hyji luftërashqimës, †

   fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd *

   për të më shpëtuar nga armiqtë e mi.

 

Hyjit tim dua t'i këndoj një këngë të re: †

   Je i madh e i madhërishëm, o Zot, *

   i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm!

 

Të shërbeftë krijesa jote *

   pse ti the e ato u bënë,

çove frymën tënde e ato u formuan. *

   Askush s'i qëndron përballë fjalës sate!

 

Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, *

   qetat para teje si dylli do të shkrihen,

por për ata që ty të druan *

   gjithnjë i mëshirshëm do të jesh.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.

 

Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

 

   Psalmi 47 /46/ (2-10) Hyji mbreti i mbarë botës

 

   Rri në të djathtën e Atit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

Duartrokitni, o popuj të gjithë, *

   brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, *

   Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

 

Popujt i vuri nën sundimin tonë, *

   paganët nën këmbët tona.

Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, *

   nderin e Jakobit, të dashurit të vet.

 

Ngjitet Hyji me brohori, *

   Zoti me zë trumbete.

 

Këndoni Hyjit, këndoni, *

   këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: *

   këndoni këngë me mjeshtëri!

 

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, *

   Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

 

Princat e popujve paganë bashkohen *

   me popullin e Hyjit të Abrahamit,

sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, *

   Ai është i lartësuar mbi të gjithë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

 

   Leximi i shkurtër Tob 4, 15a-16a 18-19a

 

   Mos i bëj askujt çka s'dëshiron të të bëhet ty. Ndaje bukën tënde me të uriturit dhe veshjen tënde me të zhveshurit. Kërkoji këshillat e të drejtëve e mos i përbuz këshillat e dobishme. Në çdo kohë bekoje Zotin dhe kërko prej tij t'i drejtojë udhët e tua e të gjitha shtigjet e tua që të shkojnë për së mbari synimet e tua.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Drejt fjalës sate, o Zot, * udhëhiqe zemrën time.

   Drejt fjalës sate, o Zot, udhëhiqe zemrën time.

   D Bëj që të jetoj në udhën tënde,

   udhëhiqe zemrën time.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Drejt fjalës sate, o Zot, udhëhiqe zemrën time.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Na e trego, o Hyj, mirësinë tënde, dhe le të të bjerë në mend Besëlidhja jote e shenjtë.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Na e trego, o Hyj, mirësinë tënde, dhe le të të bjerë në mend Besëlidhja jote e shenjtë.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta falënderojmë Krishtin dhe përherë ta lavdërojmë, sepse ai nuk ngurroi t’i quante vëllezër ata që i shenjtëroi. T’ia drejtojmë, pra, lutjen tonë:

 

   Shenjtëroji, o Zot, vëllezërit e tu!

 

Bekoje këtë ditë që po e fillojmë në përkujtim të ringjalljes sate

bëj që të mbushet me vepra të shenjta në nder të dashurisë sate.

Këtë ditë, shenjë të dashurisë sate, ti na e ke dhënë që të gëzohemi e të shëlbohemi,

na përtërij që t’i shërbejmë lavdisë sate.

Na mëso që përherë të të njohim Ty në vëllezërit tanë

dhe të të gjejmë Ty në skamnorët dhe në ata që vuajnë.

Bëj të jetojmë sot në paqe me të gjithë

dhe mos lejo që t’ia kthejmë dikujt të keqen me të keqe.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së vërtetës, kështu që me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.