Lavdet e mëngjesit

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E enjte

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ja po lind dielli i zjarrtë:

   ka zor, ka turp, pendohet,

   askush në dëshmi të dritës

   s’mund të mëkatojë paprerë.

 

   Verbësia qet kokëçarje,

   pse ne kokëposhtë rrëzuar

   nga hapa ogurzezë

   na hedh në greminë të gabimeve.

 

   Kjo dritë na sjelltë kohë të mirë,

   na bëftë për vete të pastër,

   mos të themi asgjë gënjeshtare

   në errësirë mos u kthefshim.

 

   Kështu tërë dita kaloftë,

   as gjuha e rreme, as dora

   e sytë e shpejtë mëkat mos bëfshin,

   as faji trupin mos na njolloftë.

 

   Vëzhguesi qëndron sipër,

   dhe çdo ditë prej së largu

   kundron ne e veprat tona

   nga agu i dritës gjer në t’errun.

 

   Atit Hy i qoftë lavdia

   dhe Birit të tij të vetëm,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zgjohu, o harpë e cetër, dua ta zgjoj agimin.

 

   Psalmi 57 /56/ (2-12) Lutja e mëngjesit në vuajtje

 

   Ky psalm bën fjalë për mundimin e Zotërisë (Shën Augustini).

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, *

   sepse shpirti im mbështetet në Ty,

po strehohem nën hijen e krahëve të tu *

   derisa të më kalojë rreziku i pritës.

 

Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, *

   Hyjin që më bën mirë.

 

Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, †

   do t’i turpërojë ata që më shtypin, *

   Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet.

 

Shpirti im banon midis luanëve *

   që i përpijnë bijtë e njerëzve.

Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, *

   gjuha e tyre shpatë e mprehtë.

 

Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *

   përmbi mbarë tokën lavdia jote!

 

Këmbëve të mia u vunë leqe, *

   e ngushtuan shpirtin tim,

para meje e hapën gropën: *

   ata vetë ranë brenda!

 

Zemra ime është gati, o Hyj, *

   gati është zemra ime:

 

do të këndoj, këngës do t’ia them! *

   Zgjohu, lavdia ime,

Zgjohu, o harpë e cetër, *

   dua ta zgjoj agimin!

 

Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, *

   ty do të të këndoj ndër kombe.

Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, *

   e deri në re e vërteta jote!

 

Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *

   përmbi mbarë tokën lavdia jote!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zgjohu, o harpë e cetër, dua ta zgjoj agimin.

 

Ant. 2 Populli yt, o Zot, është i mbushur me të mirat e tua.

 

   Kënga Jer 31, 10-14 Hyji e liron dhe e bashkon popullin e vet në gëzim

 

   Jezusi duhej të vdiste për popull... që bijtë e shpërndarë të Hyjit t'i bashkojë në një (Gjn 11, 51. 52).

 

Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit, *

   shpalleni ndër ishuj të largët

Thoni: »Ai që e shpërndau Izraelin *

   përsëri po e bashkon,

   e do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet«.

 

Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin, *

   e çliroi nga dora e më të fortit.

 

Do të vijnë e do të këndojnë lavde

   në malin e Sionit, *

   do të ngarendin drejt të mirave të Zotit,

drejt drithit, verës e vajit, *

   drejt grigjave e drejt lorive.

 

Shpirti i tyre do të jetë kopsht i ujitur, *

   urinë kurrë më s'do ta sprovojnë!

Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle, *

   djelmoshat së bashku me pleq.

 

Zinë e tyre në galdim do ta kthej, *

   do t'i ngushëlloj e do t'i gëzoj pas vuajtjes.

Priftërinjtë do t'ua shujtoj me dhjamë, *

   popullin tim do ta ngij me të mira.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Populli yt, o Zot, është i mbushur me të mirat e tua.

 

Ant. 3 I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, në qytetin e Hyjit tonë!

 

   Psalmi 48 /47/ (2-15) Veprat e mëshirshme për shpëtimin e popullit

 

   Më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin (Zb 21, 10).

 

I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, *

   në qytetin e Hyjit tonë!

Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur, *

   gëzimi i mbarë botës:

 

Mali Sion, në veriun e skajshëm, *

   Qyteti i Mbretit të madh,

Hyji në pirgjet e tij *

   u tregua kështjellë e pathyeshme.

 

Dhe ja, u bashkuan mbretërit, *

   sulmuan së bashku,

posa panë, u rrudhën, *

   e, të hutuar, ikën praptazi.

 

Aty i kapën të dridhurat *

   si dhimbjet e lindëses,

ishin si stuhia e lindjes *

   që i thyen anijet e Tarsisit.

 

Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim,

   në qytetin e Zotit të Ushtrive, †

   në qytetin e Hyjit tonë *

   - Hyji e themeloi për amshim.

 

Po e kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde *

   në mesin e Tempullit tënd.

 

Sikurse Emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote †

   arrin deri në skajin e botës, *

   e djathta jote është plot drejtësi.

Le të galdojë mali i Sionit, †

   le të brohorasin qytetet e Judës *

   për shkak të gjyqeve të tua!

 

Silluni rreth e rreth Sionit,

   përshkojeni kryq e tërthor, *

   numërojani kullat e tij,

 

vëreni mirë muret e tij, †

   vëzhgoni hollë pallatet e tij *

   që të mund t’i tregoni breznisë së ardhshme:

 

Ky është Hyji, Hyji ynë †

   për amshim e në shekuj të shekujve; *

   Ai na prin në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, në qytetin e Hyjit tonë!

 

   Leximi i shkurtër Is 66, 1-2

 

   Kështu thotë Zoti: “Qielli është froni im, shtroja e këmbëve të mia toka! Ç'vlerë ka shtëpia që do të ma ndërtoni, e cili është vendi i banimit tim?

   Të gjitha këto i bëri dora ime e të gjitha këto më përkasin mua ‑ është fjala e Zotit. Por mbi këtë e ngul shikimin tim: mbi varfanjakun e mbi zemërplasurin që dridhet prej fjalëve të mia!”

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Me gjithë zemër të kërkoj: * m’u përgjigj, o Zot.

   Me gjithë zemër të kërkoj: m’u përgjigj, o Zot.

   D Do ta ruaj fjalën tënde:

   m’u përgjigj, o Zot.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Me gjithë zemër të kërkoj: m’u përgjigj, o Zot.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. T’i shërbejmë Zotit në shenjtëri e drejtësi Ai do të na shpëtojë prej armiqve tanë.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i shërbejmë Zotit në shenjtëri e drejtësi Ai do të na shpëtojë prej armiqve tanë.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta falënderojmë Krishtin, i cili na e dhuron dritën e ditës së sotme dhe t’i brohorasim:

 

   O Zot, na beko dhe na shenjtëro!

 

Ti e ke kushtuar vetveten fli për mëkatet tona:

pranoji sot edhe të gjitha përpjekjet dhe dëshirat tona.

Ti i gëzon sytë tanë me dhuratën e dritës së re:

ji Ti dritëmbajtës edhe në zemrat tona.

Bëj që sot të jemi të durueshëm dhe zemërgjerë ndaj të gjithëve:

dhe kështu të jemi ndjekësit e Tu.

Na mbush, o Zot, sot në mëngjes me mirësinë tënde:

le të na japë sot fuqi gëzimi yt.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.