Lavdet e mëngjesit
Java e Pestë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
E premte
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Lavdia e amshuar e Qiellit,
fatbardha shpresë e vdekatarëve,
i Vetmi Bir i Prindit t’Epër,
pinjoll i së pastrës Virgjër,
të djathtën shtrijua të lindurve,
dhe mendja e urtë të ngrihet
e zjarrtë dhe në lavd të Hyjit
shpërbleftë falënderje të duhura.
Shkëlqen Ylli i dritës
dhe lajmëron vetë ndriçimin,
bie errësira e netëve,
të na shndrisë drita hyjnore.
Gjithnjë shqisave tona
t’ua zbojë natën e shekullit,
të gjithëve në fund të kohëve
t’ua ruajë zemrat e pastra.
Më së pari feja e zgjedhur
të ngulë rrënjë me ide të larta,
me të bashkë gëzoftë shpresa:
më e madhe atëherë duket dashuria.
O Krisht, mbret tërë i drejti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ty të pëlqen flija e të drejtit, mbi lterin tënd, o Zot.
Psalmi 51 /50/ (3-21) Ki mëshirë për mua, o Zot
Përtërihuni në shpirtin e mendjes suaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
dhe i paanshëm në dënimin tënd.
Ja, mëkatar unë leva, *
madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate, *
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
atëherë do të mund të kushtohen
mëzetër mbi lterin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ty të pëlqen flija e të drejtit, mbi lterin tënd, o Zot.
Ant. 2 Ti, o Zot, je lavdia, ti je drejtësia e popullit tënd.
Kënga Is 45, 15-26 Mbarë popujt le të kthehen te Zoti
Në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju (Fil 2, 10).
Vërtet ti je Hyj i fshehur, *
Hyji i Izraelit, Shpëtimtar!
Mendsh u morën e u skuqën të gjithë; *
po, të turpëruar shkojnë
ata që punojnë trupore idhujsh.
Izraeli është i shëlbuar nga Zoti *
me shëlbim të përhershëm:
nuk do të çnderoheni as s'do të turpëroheni *
deri në shekuj të shekujve.«
Sepse kështu thotë Zoti, *
ai që krijoi qiellin, vetë Hyji,
ai që i dha trajtë tokës, e krijoi,*
ai që e bëri të patrandshme;
s'e krijoi të jetë e shkretë *
e krijoi që të banohet:
»Unë jam Hyji e tjetër s'ka! †
Unë nuk fola në fshehtësi, *
në një skaj të errët të tokës,
nuk i thashë farës së Jakobit: *
Më kërkoni në shkretëtirë!«,
unë jam Zoti që flas të drejtën, *
e që e shpall drejtësinë.
Mblidhuni, ejani e afrohuni së bashku *
ju që shpëtuat nga paganët.
Mangu janë në krye
ata që mbartin drunë e gdhendur *
e i luten hyjit që s'mund t'i shpëtojë.
Qitni provat e dilni përballë, *
këshillohuni të gjithë së bashku!
Kush që moti këtë gjë e parakallëzoi *
e qysh atëherë e paralajmëroi?
Vallë, a jo unë Hyji, †
s'ka hyj tjetër përpos meje? *
Hyj të drejtë e Shpëtimtar s'ka tjetër përveç meje!
Kthehuni kah unë e do të shpëtoni, †
të gjitha viset e tokës, *
se unë jam Hyj e tjetër s'ka!
Me vetvete unë jam përbetuar: †
nga goja ime del e drejta, *
fjala që kurrë s'kthehet dalë
para meje çdo gju do të përkulet, *
e çdo gjuhë do të bëjë betim,
e do të thotë: vetëm në Zotin *
ka drejtësi e forcë!
Tek Ai do të vijnë të turpëruar *
të gjithë që shfryjnë kundër tij:
në Zotin do të shfajësohet e do të gjejë lavdi *
fara mbarë e Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti, o Zot, je lavdia, ti je drejtësia e popullit tënd.
Ant. 3 Ejani te Zoti me këngë hareje.
Psalmi 100 /99/ (2-5) Gëzimi i atyre që hyjnë në shenjtërore
Zoti bën që të shëlbuarit ta këndojnë këngën e fitores (Shën Atanazi).
Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, †
shërbeni Zotit me hare, *
dilni para tij me brohoritje!
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: †
Ai na krijoi e atij i përkasim: *
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd, †
hyni në treme të tij e këndoni himne, *
lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
Sepse i mirë është Zoti, †
e amshuar dashuria e tij, *
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ejani te Zoti me këngë hareje.
Leximi i shkurtër Ef 4, 29-32
Asnjë llafe e ndytë të mos dalë prej gojës tuaj, por, nëse është nevoja, thoni fjalën e mirë që t'i ndërtojë e t'ju sjellë hir atyre që dëgjojnë. Mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit.
Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri‑tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
Përgjigjja e shkurtër
C Në mëngjes, o Hyj,
* bëj që ta njoh dashurinë tënde.
Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njoh dashurinë tënde.
D Ma mëso udhën që duhet të ndjek,
bëj që ta njoh dashurinë tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njoh dashurinë tënde.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Lutjet e besimtarëve
Ta adhurojmë Krishtin, i cili me anë të kryqit të vet ia solli shëlbimin botës dhe t’i brohorasim me përshpirtëri:
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde!
O Krisht, dielli dhe dita jonë, na shndrit me rrezet e tua,
— dhe largoji prej nesh ngashënjimet e së keqes.
Ruaji mendimet, fjalët dhe veprat tona,
— që ta plotësojmë sot vullnetin tënd.
Ktheje fytyrën tënde prej mëkateve tona,
— dhe shlyeji të gjitha prapësitë tona.
Me anën e kryqit dhe të ringjalljes sate,
— na mbush me ngushëllimin e Shpirtit Shenjt.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan, ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, t’i fitojmë premtimet e tua që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.