Lavdet e mëngjesit

14 shkurt, Shën Çirili, murg dhe Metodi, ipeshkëv

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Këta meshtarë të shuguruar të Zotit

   dhe shugurues besnikë të Perëndisë,

   edhe barinj me dashuri të palodhur

   ishin të popullit.

 

   Pse duke ruajtë dhuntitë që kishin marrë

   me anë të bekimit, u orvatën dendur

   me gjitha forcat për të mbajtë ndër duar

   llambat e ndezura.

 

   N’frikë e kujdes duke përgjuar kur t’ vinte

   Zoti ynë te porta të trokasë, sa shpejt

   i dolën para Atij që po nxitonte

   të kalojë pragun.

 

   Nderi e lavdia më e larta Ty,

   o mbret i mbretërve, Hyjni e përjetshme,

   të gjitha sendet emrin tënd madhërofshin

   në çdo kohë e amshim. Amen.

 

   Apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Mbarështuesit e mëshirës ndërmjetësojnë para Zotit.

 

   Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin

 

   Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).

 

O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *

   Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron mishi im, *

   si toka e shkretë, e thatë, e paujë,

 

kështu erdha në Shenjtëroren tënde *

   për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *

   buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Kështu do të të bekoj në jetën time *

   e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *

   me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

 

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *

   në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime, *

   prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!

 

Shpirti im u mbështet në ty, *

   e djathta jote më merr për dore.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mbarështuesit e mëshirës ndërmjetësojnë para Zotit.

 

Ant. 2 Janë dy ullinjtë dhe dy shandanë që shndrisin para mbretit të shekujve.

 

   Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin

 

   Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).

 

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *

   lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *

   bekojeni, o qiej, Zotin.

 

Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *

   të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.

Diell e hënë, bekojeni Zotin, *

   yjet e qiellit, bekojeni Zotin.

 

Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *

   të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.

Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *

   acar e vapë, bekojeni Zotin.

 

Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *

   akull e cegëm, bekojeni Zotin.

Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *

   net e ditë, bekojeni Zotin.

 

Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *

   vetëtima e re, bekojeni Zotin.

Toka e bekoftë Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *

   bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.

Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *

   bekojeni, burime, Zotin.

 

Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,

   bekojeni Zotin, *

   të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.

Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *

   bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.

 

Bekoje, o Izrael, Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *

   shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.

 

Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *

   shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.

Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *

   ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj

I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *

   i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

 

   Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.

 

Ant. 2 Janë dy ullinjtë dhe dy shandanë që shndrisin para mbretit të shekujve.

 

Ant. 3 Fituan lavdi në mes të popullit; lavdia e tyre do të mbetet për amshim.

 

   Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit

 

   Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).

 

Këndoni Zotit një këngë të re, *

   këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!

Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *

   bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!

 

Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *

   le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,

sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *

   të përvujtët i nderon me shëlbim.

 

Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *

   le të brohorasin nga shtrojat e veta!

E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *

   e shpatën dytehëshe në dorë!

 

Për të marrë shpagim mbi paganë, *

   për t’u dhënë popujve ndëshkim,

për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *

   princat e tyre në zinxhirë të hekurt,

 

për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *

   - ky është nder për të gjithë besnikët e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fituan lavdi në mes të popullit; lavdia e tyre do të mbetet për amshim.

 

   Leximi i shkurtër Heb 13, 7-9a

 

   Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre! Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim. Mos lejoni të gënjeheni me mësime të ndryshme të huaja!

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Kisha jote, o Hyj, * i këndon urtisë së shenjtërve.

   Kisha jote, o Hyj, i këndon urtisë së shenjtërve.

   D Kuvendi ia shpall lavdinë,

   i këndon urtisë së shenjtërve.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Kisha jote, o Hyj, i këndon urtisë së shenjtërve.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Në shenjtëri e drejtësi i shërbyen Zotit për çdo ditë të jetës së tyre.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Në shenjtëri e drejtësi i shërbyen Zotit për çdo ditë të jetës së tyre.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Plot gëzim dhe mirënjohje t’ia drejtojmë lutjen tonë Krishtit, dritës së botës, që në shën Çirilin na e dhuroi një mësues të urtisë dhe në shën Metodin një bari të madh dhe të palëkundshëm:

 

   Shndrite dhe udhëhiqe popullin tënd, o Zot.

 

Nëpërmjet dashurisë baritore të shën Çirilit dhe Metodit bëre që të lindin popuj të rinj në fe,

rrite në Kishat tona vrullin misionar.

Ti në vigjiljen e mundimit i kërkove Atit që nxënësit e tu të jenë një gjë e vetme,

bëj që duke i mbetur besnikë besëlidhjes sate të dashurisë, të gjithë besimtarët të formojnë një Kishë të vetme.

Ti i përgatite apostujt në shkollën e urtisë,

ngrit edhe sot në Kishat tona barinj të shenjtë dhe mbarështues të zellshëm të Ungjillit.

Ti Kishës sate ia besove fjalën dhe bukën e jetës së amshuar,

bëj që në këtë tryezë të dyfishtë të nxjerrim dritë dhe fuqi në fe.

Ti në Marinë, mbretëreshën e të gjithë shenjtërve, na e dhurove një shenjë të veçantë të shpresës dhe të paqes,

me ndërmjetësinë e saj bëj që ata që janë larg t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit, ata që janë të humbur ta gjejnë prapë rrugën dhe të kthehen në shtëpinë e Atit.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i ktheve në krishterim popujt sllavë me anën e dy vëllezërve shën Çirilit e Metodit, bëj që zemra jonë të jetë gjithmonë e hapur për fjalën e së vërtetës sate që të jemi të gjithë populli yt i shenjtë që përkon plotësisht në fenë e vërtetë e në dëshmimin e saj të drejtë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.