Lavdet e mëngjesit

Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E diel

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ja tashmë hija e natës po rrallohet,

   agimi i dritës në të kuq flakron,

   në çdo përpjekje të gjithë le të lypim

   të plotpushtetshmin.

 

   Që Hyji, i dhimbshëm për ne, të largojë

   çdo angështi (ngashërim), të na dhurojë shpëtimin

   na dhëntë dhe neve nga mëshira e Atit

   mbretëritë e qiejve.

 

   Këtë na dhuroftë Hyjnia e lumnueshme

   e Atit e Birit, dhe barazi

   e Shpirtit Shenjt, lavdia e t’cilëve ushtoftë

   nëpër mbarë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, aleluja.

 

   Psalmi 118 /117/ (1-29) Këngë gëzimi dhe fitoreje

 

   Jezusi është 'guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *

   Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

 

Zoti është me mua, *

   s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *

   për asgjë i bëj armiqtë e mi.

 

Më mirë është të strehohesh te Zoti *

   se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti, *

   se të kesh besim në princa.

 

Më rrethuan të gjithë paganët, *

   i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

Rreth e përqark më rrethuan, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më rrethuan porsi bletët, †

   porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *

   Por Zoti qe ndihma ime.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *

   ai është shpëtimtari im.

 

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *

   në tendat e të drejtëve:

 

»E djathta e Zotit u madhërua! †

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

 

S’do të vdes, të jetoj dua, *

   do t’i kumtoj veprat e Zotit!

Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *

   por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

 

M’i hapni dyert e drejtësisë, *

   dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

Ja, këtu është dera e Zotit; *

   nëpër të do të hyjnë të drejtët.

 

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *

   dhe u bëre Shpëtimtari im.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *

   të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *

   deh, o Zot, jep të mbarën!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *

   Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

 

Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †

   rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *

   me rrema në dorë deri në ballë të lterit!

 

Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *

   Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, aleluja.

 

Ant. 2 T’i këndojmë një himn Zotit, Hyjit tonë, aleluja.

 

   Kënga Dan 3, 52-57 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin

 

   Krijuesi... është i bekuar në amshim (Rom 1, 25).

 

I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *

   i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!

 

I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, *

   tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!

 

I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë, *

   tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!

 

I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, *

   tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!

 

I bekuar je, ti që shqyrton humnerat

   e që rri mbi kerubinë, *

   i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!

 

I bekuar je në kupën qiellore, *

   i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

 

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *

   lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 T’i këndojmë një himn Zotit, Hyjit tonë, aleluja.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Zotin: sepse ai është i mirë, aleluja.

 

   Psalmi 150 (1-5) Çdo krijesë le t’i japë lavdi Zotit

 

   Hyjit i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin (Krh. Ef 3, 21).

 

Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *

   madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!

Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tij, *

   lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!

 

Lavdërojeni me zë të borisë, *

   lavdërojeni me harpë e me citarë,

lavdërojeni me tupan e valle, *

   lavdërojeni me korda e me fyej!

 

Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †

   lavdërojeni me cimbale brohorie! *

   Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Zotin: sepse ai është i mirë, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Ez 36, 25-27

 

   Kështu thotë Zoti: Do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t'ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! Unë do t'ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t'ju jap një zemër mishi. Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t'i zbatoni e t'i shtini në veprim gjyqet e mia.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Të falënderojmë, o Zot,

   * dhe e thërrasim emrin tënd.

   Të falënderojmë, o Zot dhe e thërrasim emrin tënd.

   D I shpallim mrekullitë e tua,

   dhe e thërrasim emrin tënd.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Të falënderojmë, o Zot dhe e thërrasim emrin tënd.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Viti A:

   Ant. Nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e nuk je në paqe me vëllain tënd, shko e pajtohu më parë me të e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde.

 

   Viti B:

   Ant. O Zot, nëse do, mund të më pastrosh. Jezusi i tha: Dua! Qofsh pastruar!

 

   Viti C:

   Ant. Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni!

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e nuk je në paqe me vëllain tënd, shko e pajtohu më parë me të e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde.

 

   Viti B:

   Ant. O Zot, nëse do, mund të më pastrosh. Jezusi i tha: Dua! Qofsh pastruar!

 

   Viti C:

   Ant. Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni!

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’ia shprehim lavdinë Shëlbuesit tonë, i cili erdhi në këtë botë që të jetë “Hyji me ne”. T’i brohorasim:

 

   O Krisht, mbreti i lavdisë, drita dhe gëzimi ynë.

 

O Zot Jezus, dritë që vjen nga lartësitë, fryti i parë i ringjalljes së ardhshme:

bëj të shkojmë pas teje, që të mos rrimë nën hijen e vdekjes, por të ecim në dritën e jetës.

Na e trego mirësinë tënde me të cilën përmbush çdo krijesë:

që kudo dhe në gjithçka ta vërejmë lavdinë tënde.

Mos lejo, o Zot, që sot të na robërojë e keqja,

por bëj që me të mirë, të fitojmë mbi të keqen.

Ti je pagëzuar në Jordan dhe je shuguruar me Shpirtin Shenjt:

bëj që edhe ne sot të veprojmë të nxitur nga Shpirti Shenjt.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të mirëve, bëj, po të lutemi, të jemi të tillë me hire të tua, që njëmend të mund të banosh ndër ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.