Lavdet e mëngjesit
Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E hënë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Dhurues bujar i dritës,
që me ndriçim të kthjellët
pas ikjes s’orëve t’natës
dita e rikthyer hapet,
Ti dielli i saktë i botës,
jo ai i yllit t’vogël
lajmëtar i dritës s’ardhshme
që shndrit me ndriçim t’pakët,
por më i qartë se dielli i plotë,
është drita vetë dhe dita,
që ndrit zonën e brendshme
të zemrës n’parzmen tonë.
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdia e dritës atërore,
se nga hiri të shmangura
dridhen gjymtyrët tona.
O Krisht, mbret tërë i drejti,
Ty e Atit qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushllimtar,
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë: kur do ta shoh fytyrën e tij?
Psalmi 42 /41/ (2-12) Dëshira për Zotin dhe për tempullin e tij
Kush është i etshëm, le të vijë; kush do, le ta marrë ujin e jetës falas (Zb 22, 17).
Sikurse dreri i dëshiron *
burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im *
të dëshiron ty, o Hyj!
Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *
oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, *
ndërsa më thonë për çdo ditë: »Ku është Hyji yt?«
Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend †
si shtegtoja në krye të turmës, *
- si prijës - drejt banesës së Hyjit
me brohori e këngë lavdi *
në procesion kremtues!
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Shpirti im është në pikëllim, †
prandaj ty të kujtoj *
nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.
Humnera thërret humnerën *
me ushtimën e ujërave të tua,
të gjitha vorbullat e valët e tua *
kaluan përmbi mua.
Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, †
natën kënga e tij me mua: *
uratë Hyjit të jetës sime.
Do t’i them Hyjit: *
»Qeta ime, pse më harron?
Përse endem i trishtuar, *
prej armiqsh i rrethuar?«
Edhe eshtrat më thërrmohen prej trishtimit †
për shkak të armiqve të mi *
që më thonë përditë: »Ku është Hyji yt?«
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë: kur do ta shoh fytyrën e tij?
Ant. 2 Tregoje, o Zot, dritën e mirësisë sate.
Kënga Sir 36, 1-6. 13-16 Lutja për popullin e shenjtë të Zotit
E kjo është jeta e pasosur: që të të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin (Gjn 17, 3).
Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë, *
dhe përshkoj me frikën tënde të gjithë paganët *
Ngrite dorën tënde mbi kombet e huaja *
që ta shohin pushtetin tënd.
Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, *
ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre,
që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne, *
se s'ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot.
Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë, *
jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë,
Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit, *
ktheju pronat si në fillim.
Ki mëshirë për popullin tënd
që quhet me emrin tënd, *
për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd.
Ki dhimb për Qytetin tënd të shenjtë, *
për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd.
Mbushe Sionin me madhërinë tënde *
e me lavdinë tënde Tempullin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Tregoje, o Zot, dritën e mirësisë sate.
Ant. 3 I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë qiellore.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7) Himn Hyjit krijues
Hyji na e dërgoi në pasi prej qiellit Diellin...për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes (Lk 1, 78. 79).
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë qiellore.
Leximi i shkurtër Jer 15, 16
Kur më erdhën fjalët e tua, i përpija, fjala jote për mua u bë gëzim e hare e zemrës sime, sepse u quajta me emrin tënd, o Zot, Hyji i Ushtrive.
Përgjigjja e shkurtër
C Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
* shenjtërve u ka hije lavdërimi.
Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
shenjtërve u ka hije lavdërimi.
D Këndojini Zotit një këngë të re,
shenjtërve u ka hije lavdërimi.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
shenjtërve u ka hije lavdërimi.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Qoftë bekuar Zoti! Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Qoftë bekuar Zoti! Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
Lutjet e besimtarëve
Shëlbuesi ynë na bëri priftërinj, që Hyjit t’i kushtojmë fli të këndshme. T’i thërrasim me mirënjohje:
Na ruaj, o Zot, në shërbimin tënd!
O Krisht, meshtar i amshuar, ti e ke bërë popullin tënd meshtari të shenjtë:
— bëj që përherë të kushtojmë fli shpirtërore, të pëlqyeshme Hyjit.
Jepna dhuratat e Shpirtit tënd:
— duresën, mirësinë dhe butësinë.
Bëj që ty të të duam dhe të të kemi vetëm ty, që je dashuri:
— na ndihmo të bëjmë mirë dhe të të lavdërojmë me jetën tonë.
Bëj që të lutemi edhe për ato gjëra, për të cilat kanë nevojë vëllezërit tanë,
— që më lehtë t’ia arrijnë shëlbimit.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, burimi i çdo të mire, na frymëzo mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim, që në gjithçka ta kryejmë vullnetin tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.