Lavdet e mëngjesit
Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E martë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Krijuesi i dritës së amshuar,
ai vetë tërë drita e dita,
që asnjë errësirë nuk ndien,
paprerë natyra e dritës,
tani nata e zbehtë i lëshon vendin
dhe as pishtarë mos t’sillen
duke u dobësuar ndirçimin yjeve
është pranë dhe diell shkëlqimplotë.
T’gëzuar nga shtrati ngrihemi
duke kënduar ty falnderjet
se t’errtën natë do t’shuajë dielli
duke sjellë dritën rishtas.
Ty tani, që andja e mishit
me lakmi t’ëmbla tinëz mos të futet,
e mendja jonë mos t’rrehet nga mashtrimet
e botës, ty i Shenjtë, të lutemi.
Mllefi mos të nxisë grindje,
barkun mos ta çoftë peshë grykësia
fuqitë mos i shterroftë uria
mos çoftë krye luksi i turpshëm.
Por mendje mprehtë të matur,
me trup t’shëndoshë të mbajtur
me shpirt besnik ndaj Krishtit
ta shpiem (kalojmë) tërë këtë ditë.
Bëj, o Atë tërë i drejti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushllimtar
duke sunduar n’gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Dërgoje të vërtetën dhe të drejtën tënde: le të më prijnë ato në malin tënd të shenjtë.
Psalmi 43 /42/ (1-5) Dëshira për Shenjtëroren e Hyjit
Unë ‑ drita ‑ erdha në botë (Gjn 12, 46).
Ma jep të drejtën, o Hyj, †
mbroje çështjen time prej gjindes së pafe, *
më shpëto prej njeriut të keq e dinak.
Sepse ti je Hyji i strehimit tim, †
përse më dëbon, *
përse të endem i trishtuar,
i shkelur prej armiqve?
Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: †
ato le të më prijnë, le të më përcjellin *
në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit, *
te Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, *
ty, o Hyj, Hyji im!
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Dërgoje të vërtetën dhe të drejtën tënde: le të më prijnë ato në malin tënd të shenjtë.
Ant. 2 Çdo ditë të jetës sonë, na shpëto, o Zot.
Kënga Is 38, 10-14. 17-20 Ankthet e të braktisurit, gëzimet e të shëruarit
Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë... unë kam pushtet përmbi Vdekjen (Zb 1, 17-18).
Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia †
unë po shkoj në dyert e Nëntokës; *
u luta për tepricën e viteve të mia.
Thashë: S'do ta shoh më Zotin Hyj *
në tokën e të gjallëve,
nuk do të shoh më askënd *
ndër banorët e kësaj bote.
Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje *
porsi tenda e barinjve,
si vektari ma mbështolli jetën, †
e prej shulit po më këput. *
Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!
Përmbys klith deri në mëngjes, *
porsi luani kështu m'i copëton të gjitha eshtrat:
Cicërij si dallëndyshja, *
gjëmoj porsi pëllumbesha;
sytë m'u këputën *
lart duke shikuar!
Ti shpëtove shpirtin tim *
nga gropa e asgjësimit,
sepse i hodhe pas shpinës sate *
të gjitha mëkatet e mia.
Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, *
Vdekja ty lavde s'të këndon;
ata që zbresin në gropë *
nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron *
siç po bëj edhe unë sot;
babai ua mëson fëmijëve *
besnikërinë tënde.
Më shpëto, o Zot, †
e ne do të të këndojmë me harpë *
në të gjitha ditët e jetës sonë
në Shtëpinë e Zotit.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Çdo ditë të jetës sonë, na shpëto, o Zot.
Ant. 3 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion. †
Psalmi 65 /64/ (2-14) Gëzimi i krijesave të Hyjit për provaninë e tij
Hyji i gjallë... ju dërgoi nga qielli shi e stinë të begatshme, ju mbushi me ushqime e zemrat tuaja i mbushi me gëzime (Krh. Vap 14, 15. 17).
Ty, o Hyj, të përket himni në Sion, *
† për nderin tënd u plotësoftë kushti në Jerusalem!
Te ti që i dëgjon uratat *
do të vijë çdo njeri i ngarkuar me mëkate.
Fajet tona janë më të forta se ne, *
por ti i zhbin mëkatet tona.
Lum ai që ti zgjodhe dhe e more ngjat vetes: *
ai banon në Shtëpinë tënde.
Do të ngihemi me të mirat e Shtëpisë sate, *
me shenjtërinë e Tempullit tënd.
Ti na ndihmon me mrekullitë e drejtësisë sate, †
o Hyj i shpëtimit tonë, *
shpresa e mbarë skajeve të tokës e të detit të largët.
Ti i forcon malet me fuqinë tënde, *
i ngjeshur me pushtet,
ti qetëson tërbimin e deteve, *
gjëmën e valëve të tija dhe rrëmujën e popujve.
Edhe ata që jetojnë në skajet e botës †
mbesin të habitur nga mrekullitë e tua, *
me gëzim i mbush dyert e mëngjesit e të mbrëmjes!
Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit, *
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë: *
ti bën të rriten drithëra për njerëz!
Tokën ti kështu e përgatit: †
hullitë ia lag, bucat ia imtëson, *
me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
E kurorëzon vitin me mirësinë tënde, *
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi, *
mballesat bregoreve ngjishen me hare,
livadhet janë të veshura me dhen, †
luginat mbulohen me drithëra: *
gjithkah këngë e brohoritje me hare!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion.
Leximi i shkurtër 1 Sel 5, 4-5
Ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t'ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ!
Përgjigjja e shkurtër
C Dëgjoje zërin tim, o Zot: * shpresoj në fjalën tënde.
Dëgjoje zërin tim, o Zot: shpresoj në fjalën tënde.
D I paraprij agimit dhe të thërras në ndihmë,
shpresoj në fjalën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Dëgjoje zërin tim, o Zot: shpresoj në fjalën tënde.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Prej atyre që na urrejnë na shpëto, o Zot.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Prej atyre që na urrejnë na shpëto, o Zot.
Lutjet e besimtarëve
Krishti me ringjalljen e vet e shndriti botën. T’i brohorasim atij, Shëlbuesit tonë, dhe t’i biem ndore me lutjen e përvuajtur:
Na ruaj, o Zot, në rrugën tënde!
Me lutjen e mëngjesit, o Zot Jezus, përkujtojmë ringjalljen tënde:
— shpresa në lavdinë tënde le ta shndrisë ditën tonë.
Pranoji, o Zot, dëshirat tona dhe na i forco vendimet,
— të cilat po t’i paraqesim si frytet e para të kësaj dite.
Bëj që sot të përparojmë në dashurinë tënde:
— le të jetë gjithçka për të mirën tonë dhe të njerëzve, vëllezërve tanë, me të cilët do të takohemi sot.
Ndihmona, o Zot, që para të gjithë njerëzve të japim dëshminë e jetës:
— t’i shohin veprat tona të mira dhe ta lavdërojnë Atin qiellor.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, drita e atyre që besojnë në ty! Mbushe botën mbarë me lavdinë tënde dhe dëftohu para të gjithë popujve në shkëlqimin e së vërtetës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.