Lavdet e mëngjesit

Java e parë e kreshmëve - E Diel

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D    O Zot, hapi buzët e mia.

C    Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e parë e kreshmëve - E Diel

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Me fytyrë përdhe të lutemi,

   të gjithë ne sot të thërrasim,

   të qajmë para Gjykatësit,

   të ulim flakën hakmarrëse.

 

   Me të zezat tona, o Zot

   shpirtmirësinë tënde fyejmë;

   nga lart na jep mëshirën

   ti që fajet tona shlyen.

 

   Mendo: bijtë e tu ne jemi,

   ndonëse nga balta e mraztë,

   lutemi mos t’i japësh tjetrit

   nderin e emrit tënd.

 

   Pakëso të keqen që bëmë,

   shto të mirën që të lypim,

   me çka mund të pëlqejmë ty

   qysh tash e përgjithnjë.

 

   Na ndihmo, Trini e lume,

   na lejo, Njëni e vetme,

   për të tutë të jenë të frytshme

   këto dhunti të përkora. Amen.

 

Ant. 1 Gjatë tërë jetës do të të bekoj, o Zot, në emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia.

 

   Psalmi 63 /62/ (2-9)  Shpirti i etshëm për Hyjin

 

   Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuaj etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).

 

O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *

   Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron mishi im, *

   si toka e shkretë, e thatë, e paujë,

 

kështu erdha në Shenjtëroren tënde *

   për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *

   buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Kështu do të të bekoj në jetën time *

   e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *

   me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

 

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *

   në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime, *

   prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

 

Shpirti im u mbështet në ty, *

   e djathta jote më merr për dore.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Gjatë tërë jetës do të të bekoj, o Zot, në emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia.

 

Ant. 2 Këndoni himne Hyjit, kremtojeni atë në shekuj!

 

   Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin

 

   Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).

 

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *

   lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

Bekojeni, o qiej, Zotin, *

   bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin.

 

Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *

   të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.

Diell e hënë, bekojeni Zotin, *

   yjet e qiellit, bekojeni Zotin.

 

Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *

   të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.

Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *

   acar e vapë, bekojeni Zotin.

 

Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *

   akull e cegëm, bekojeni Zotin.

Breshra e bora, bekojeni Zotin, *

   net e ditë, bekojeni Zotin.

 

Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *

   vetëtima e re, bekojeni Zotin.

Toka e bekoftë Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *

   bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.

Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *

   bekojeni, burime, Zotin.

 

Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,

   bekojeni Zotin, *

   të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.

Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *

   bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.

 

Bekoje, o Izrael, Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *

   shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.

 

Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *

   shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.

Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *

   ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj

I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *

   i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

 

   Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.

 

Ant. 2 Këndoni himne Hyjit, kremtojeni atë në shekuj!

 

Ant. 3 Zoti e do popullin e vet, u jep të përvuajturve një kurorë fitoreje

 

   Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit

 

   Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).

 

Këndoni Zotit një këngë të re, *

   këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!

Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *

   bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!

 

Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *

   le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,

sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *

   të përvujtët i nderon me shëlbim.

 

Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *

   le të brohorisin nga shtrojat e veta!

E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *

   e shpatën dytehëshe në dorë!

 

Për të marrë shpagim mbi paganë, *

   për t’u dhënë popujve ndëshkim,

për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *

   princat e tyre në zinxhirë të hekurt,

 

për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *

   - ky është nder për të gjithë besnikët e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti e do popullin e vet, u jep të përvuajturve një kurorë fitoreje

 

   Leximi i shkurtër Krh. Neh 8, 9. 10

 

   Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani! Sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti kujdeset * për udhën e të drejtit.

   Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.

   D Bëj që të ndriçojë mëshira dhe paqja e tij,

   për udhën e të drejtit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Shpirti i Hyjit e çoi në shkreti që ta tundojë djalli dhe atje agjëroi dyzet ditë e dyzet net.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Shpirti i Hyjit e çoi në shkreti që ta tundojë djalli dhe atje agjëroi dyzet ditë e dyzet net.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Shëlbuesi ynë me mirësinë e vet e ka merituar këtë kohë të shëlbimit. Atë, e bekojmë dhe përzemërsisht e thërrasim në ndihmë:

 

   O Zot, krijoje në ne një shpirt të ri.

 

O Krisht, jeta jonë, Ti ke bërë që me misterin e pagëzimit të varrosemi me Ty dhe me Ty të ringjallemi në jetë

    bëj që ne sot të bëjmë një jetë krejtësisht të re.

O Zot, Ti u ke dhuruar njerëzve dhurata të shumta

    bëj që edhe ne të kujdesemi për të mirën e të gjithëve.

Bëj që edhe ne të veprojmë në drejtimin e ndërtimit të një shoqërie të re

    dhe njëkohësisht të kërkojmë atdheun qiellor.

Mjek i shpirtit dhe i trupit, shëroi plagët e zemrës sonë

    që vazhdimisht të fitojmë ndihmën tënde në rrugën e shenjtërisë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.