Lavdet e mëngjesit
Java e parë e kreshmëve - E martë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e parë e kreshmëve - E Martë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
të çahet errësira e mendjes,
të kthejë drita e virtytshme,
që mbi tokë përtërin ditën.
Duke dhënë kohën e duhur,
jepi zemrës ti pendimin,
pasi mirësia jote
i dhuron edhe mëshirimin.
Një farë pendese jepna,
të durojmë për zbutje fajesh,
sado që janë të mëdhaja,
më e madhe është mëshira jote.
Po afrohet dita jote,
me të cilën ndrit çdo gjë,
me hirin tënd hyjnor
të gëzohemi të përtërirë.
Ty gjithësia e sendeve,
t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit? Kush i ka duart e pafajshme dhe zemrën e pastër.
Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e tij
Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell(Shën Ireneu).
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit? Kush i ka duart e pafajshme dhe zemrën e pastër.
Ant. 2 Bekojeni Zotin, ecni në drejtësi para tij.
Kënga Tob 13, 2-8 Hyji ndëshkon dhe shpëton
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në një jetë të re (Krh. 1Pjt 1, 3).
Qoftë bekuar Hyji që jeton gjithmonë *
dhe mbretëria e tij!
Ai ndëshkon e mëshiron, *
çon deri në fund të Nëndheut
dhe me madhërinë e vet nxjerr nga bjerrja: *
askush s'i shpëton dorës së tij!
Lëvdojeni ndër sy të paganëve, ju, bijtë e Izraelit! †
Ai njëmend ju shpërndau në mes tyre, *
por edhe atje ua dëftoi madhërinë e vet.
Madhërojeni ndër sytë e të gjithë të gjallëve: †
ai është Zoti ynë, Ati ynë, *
ai është Hyji ynë në shekuj të shekujve!
Ai do t'ju ndëshkojë për shkak të këqijave tuaja, *
por ai do të ketë mëshirë për të gjithë ju:
do t'ju mbledhë prej të gjitha kombeve *
kudo që do të jeni të tretur!
Kur të ktheheni tek Ai
për ta zbatuar para tij të vërtetën *
me gjithë mend e zemër,
atëherë ai do të kthehet te ju, *
më fytyrën prej jush s'do ta fshehë.
Vëreni si veproi me ju *
falënderojeni me zë të lartë!
Lëvdojeni Zotin e drejtësisë, *
lartësojeni Mbretin e shekujve!
Unë e lëvdoj në dheun e mërgimit tim, *
fuqinë e madhërinë e tij
unë ia shpall popullit të mëkatarëve.
Kthehuni kah ai, mëkatarë, *
para tij drejtësinë zbatojeni!
Kush e di? Prapë ndoshta ju do *
e për ju ai ka mëshirë.
Sa për mua, do ta lëvdoj Hyjin, *
shpirti im gëzim do të ketë
në Mbretin e madhërueshëm të qiellit *
të gjitha ditët e jetës sime!
Të gjithë ju të zgjedhurit bekojeni Zotin, *
të gjithë lëvdojeni madhërinë e tij!
Gëzohuni dhe atë lëvdojeni!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni Zotin, ecni në drejtësi para tij.
Ant. 3 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi. †
Psalmi 33 /32/ (1-22) Himn Provanisë së Hyjit
E çdo gjë që u bë nëpërmjet tij (Gjn 1, 3).
Galdoni, o të drejtë në Zotin, *
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
† Lavdërojeni Zotin me kitarë, *
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
Këndoni atij një këngë të re, *
përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
Sepse e drejtë është fjala e Zotit *
e të gjitha veprat e tij me besë.
E do drejtësinë e gjyqin, *
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, *
prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, *
oqeanet i qet në ujëmbledhës.
Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, *
të gjithë banorët e rruzullit le të druajnë para tij!
Sepse ai foli - gjithçka u bë, *
ai urdhëroi - gjithçka u përftua!
Zoti i shpartallon synimet e popujve, *
i pështjellon qëllimet e kombeve.
Synimi i Zotit qëndron për amshim, *
mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, *
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
Zoti shikon nga qielli *
e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
Prej vendit të vet të shenjtë *
i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat *
e i kupton të gjitha veprat e tyre.
Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, *
as vigani në saje të fuqisë së madhe.
Kot e pret fitoren nga kali, *
fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, *
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja *
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Shpirti ynë shpreson në Zotin, *
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Zemra jonë në të e ka shpresën, *
shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse ne shpresojmë në ty.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi.
Leximi i shkurtër Jl 2, 12-13
Kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e dënesë! Shqyeni zemrat e jo petkat, kthehuni kah Zoti Hyji i juaj, sepse është i butë dhe i mëshirshëm, i durueshëm e shumë i dhimbshëm, ndjen keqardhje për fatkeqësi.
Përgjigjja e shkurtër
C Më pastro prej çdo faji * në mëshirën tënde.
Më pastro prej çdo faji në mëshirën tënde.
D Shlyeje, o Zot, mëkatin tim
në mëshirën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Më pastro prej çdo faji në mëshirën tënde.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Zotëri, na mëso të lutemi, ashtu sikurse Gjoni ka mësuar nxënësit e vet.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zotëri, na mëso të lutemi, ashtu sikurse Gjoni ka mësuar nxënësit e vet.
Lutjet e besimtarëve
I bekuar qoftë Jezu Krishti, i cili na u dha si bukë që zbret nga qielli. Atij t'ia drejtojmë lutjet tona:
O Jezu, bukë dhe shëndet i shpirtit, na forco
O Hyj, bëj që të ushqyer në tryezën eukaristike
— të marrim pjesë edhe në dhuratat e flisë së Pashkëve.
Bëj që fjalën tënde ta ruajmë në zemrën e mirë dhe të ndershme
— dhe të sjellim fryte me durim dhe qëndresë.
Na ndihmo që të mund të bashkëpunojmë me gëzim me Ty në përparimin e një bote të re
— në mënyrë që nëpërmjet Kishës sate të mund të përhapet lajmi i paqes.
O Zot, bëmë mëkat, kundër Teje kemi mëkatuar
— me hirin tënd shpëtimsjellës na i shlyej fajet tona.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.