Lavdet e mëngjesit

Java e parë e kreshmëve - E mërkurë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e parë e kreshmëve - E mërkurë

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tashmë, Krisht, diell drejtësie,

   të çahet errësira e mendjes,

   të kthejë drita e virtytshme,

   që mbi tokë përtërin ditën.

 

   Duke dhënë kohën e duhur,

   jepi zemrës ti pendimin,

   pasi mirësia jote

   i dhuron edhe mëshirimin.

 

   Një farë pendese jepna,

   të durojmë për zbutje fajesh,

   sado që janë të mëdhaja,

   më e madhe është mëshira jote.

 

   Po afrohet dita jote,

   me të cilën ndrit çdo gjë,

   me hirin tënd hyjnor

   të gëzohemi të përtërirë.

 

   Ty gjithësia e sendeve,

   t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.

 

   Psalmi 36 /35/ (2-13) Fajësia e njeriut e mirësia e Hyjit

 

   Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës (Gjn 8, 12).

 

Paudhësia pëshpërit mu në zemër të bakeqit, *

   frika e Hyjit s’është para syve të tij.

Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, *

   të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.

 

Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, *

   për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.

 

Në shtrojën e vet sendërton paudhësinë, †

   ecën vazhdimisht udhës së keqe, *

   djallëzinë nuk e urren.

 

Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, *

   bujaria jote deri në majë të reve!

 

Drejtësia jote si malet, më të lartat, †

   gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: *

   njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.

 

Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! *

   Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.

Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, *

   u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.

 

Sepse tek ti është burimi i jetës, *

   në dritën tënde ne shohim dritën.

Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, *

   drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.

 

Mos më shkeltë këmba e madhështorit, *

   mos më grahtë dora e mëkatarit.

Këtu u thyen keqbërësit, *

   ranë e më s’mund u ngritën!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.

 

Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.

 

   Kënga Jt 16, 1-2. 13-15 Zoti, krijuesi i botës, e mbron popullin e vet

 

   Këndonin një këngë të re (Zb 5, 9).

 

Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, *

   këndoni Zotit tim me tinguj cimbalësh,

psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: *

   lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij!

 

Ti je Hyji luftërashqimës, †

   fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd *

   për të më shpëtuar nga armiqtë e mi.

 

Hyjit tim dua t'i këndoj një këngë të re: †

   Je i madh e i madhërishëm, o Zot, *

   i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm!

 

Të shërbeftë krijesa jote *

   pse ti the e ato u bënë,

çove frymën tënde e ato u formuan. *

   Askush s'i qëndron përballë fjalës sate!

Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, *

   qetat para teje si dylli do të shkrihen,

por për ata që ty të druan *

   gjithnjë i mëshirshëm do të jesh.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.

 

Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

 

   Psalmi 47 /46/ (2-10) Hyji mbreti i mbarë botës

 

   Rri në të djathtën e Atit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

Duartrokitni, o popuj të gjithë, *

   brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, *

   Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

 

Popujt i vuri nën sundimin tonë, *

   paganët nën këmbët tona.

Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, *

   nderin e Jakobit, të dashurit të vet.

 

Ngjitet Hyji me brohori, *

   Zoti me zë trumbete.

 

Këndoni Hyjit, këndoni, *

   këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: *

   këndoni këngë me mjeshtëri!

 

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, *

   Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

 

Princat e popujve paganë bashkohen *

   me popullin e Hyjit të Abrahamit,

sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, *

   Ai është i lartësuar mbi të gjithë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

 

   Leximi i shkurtër Fu 3, 27-32

 

   Mos lër pa ia bërë veprën e mirë atij që ka nevojë nëse je në gjendje t'ia bësh. Mos i thuaj mikut tënd: “Shko e eja, nesër do të jap”, nëse menjëherë je në gjendje t'i japësh. Mos ia sendërgjo mikut tënd të keqen kur ai rri me ty se të zë besë. Mos u zër me ndokënd pa arsye në qoftë se ai s'të ka bërë asnjë të keqe. Mos ia ki lakmi njeriut të padrejtë, dhe assesi mos i ndiq udhët e tija. Sepse Zotit i neveritet çdo i padrejtë dhe ai bën shoqëri me njerëz të ndershëm.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti kujdeset * për udhën e të drejtit.

   Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.

   D Bëj që të ndriçojë mëshira dhe paqja e tij,

   për udhën e të drejtit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti kujdeset për udhën e të drejtit.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Kjo brezni e keqe po kërkon një shenjë: porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Kjo brezni e keqe po kërkon një shenjë: porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

I bekuar qoftë Krijuesi i shëlbimit tonë. Ai ka dëshiruar që njerëzit në të të bëhen krijesa të reja dhe në Të të ripërtërihet gjithçka. Prandaj edhe ne, të përshkuar me shpresë, ta lusim kështu:

 

   Na përtërij, o Zot, me shpirtin tënd.

 

O Zot, Ti ke premtuar tokën e re dhe qiellin e ri. Na përtërij gjithnjë me Shpirtin tënd

që të mund të gëzohemi me Ty përgjithmonë në Jerusalemin qiellor.

Bëj që të bashkëpunojmë gjithmonë me Ty për ta përshkuar këtë botë me Shpirtin tënd

që kjo shoqëri tokësore të mund ta arrijë sa më me sukses qëllimin e vet në drejtësi, në dashuri dhe në paqe.

Na ndihmo ta largojmë indiferencën dhe pakujdesinë nga jeta jonë

dhe me gëzime të përhershme të marrim pjesë në dhuratat e shëlbimit.

Na liro nga e keqja

dhe mos lejo të na zhgënjejë mendjelehtësia e cila errëson të mirën.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.