Lavdet e mëngjesit

Java e dytë e kreshmëve – e hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e dytë e kreshmëve – e hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tashmë, Krisht, diell drejtësie,

   të çahet errësira e mendjes,

   të kthejë drita e virtytshme,

   që mbi tokë përtërin ditën.

 

   Duke dhënë kohën e duhur,

   jepi zemrës ti pendimin,

   pasi mirësia jote

   i dhuron edhe mëshirimin.

 

   Një farë pendese jepna,

   të durojmë për zbutje fajesh,

   sado që janë të mëdhaja,

   më e madhe është mëshira jote.

 

   Po afrohet dita jote,

   me të cilën ndrit çdo gjë,

   me hirin tënd hyjnor

   të gëzohemi të përtërirë.

 

   Ty gjithësia e sendeve,

   të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë: kur do ta shoh fytyrën e tij.

 

   Psalmi 42 /41/ (2-12) Dëshira për Zotin dhe për tempullin e tij

 

   Kush është etshëm, le të vijë; kush do, le ta marrë ujin e jetës falas (Zb 22, 17).

 

Sikurse dreri i dëshiron *

   burimet e ujërave të gjalla,

po ashtu shpirti im *

   të dëshiron ty, o Hyj!

 

Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *

   oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!

 

Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, *

   ndërsa më thonë për çdo ditë: »Ku është Hyji yt?«

 

Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend †

   si shtegtoja në krye të turmës, *

   - si prijës - drejt banesës së Hyjit

 

me brohori e këngë lavdi *

   në procesion kremtues!

 

Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *

   Përse gjëmon në mua?

Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *

   Shëlbuesin tim, Hyjin tim.

 

Shpirti im është në pikëllim, †

   prandaj ty të kujtoj *

   nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.

 

Humnera thërret humnerën *

   me ushtimën e ujërave të tua,

të gjitha vorbullat e valët e tua *

   kaluan përmbi mua.

 

Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, †

   natën kënga e tij me mua: *

   uratë Hyjit të jetës sime.

 

Do t’i them Hyjit: *

   »Qeta ime, pse më harron?

Përse endem i trishtuar, *

   prej armiqsh i rrethuar?«

 

Edhe eshtrat më thërrmohen prej trishtimit †

   për shkak të armiqve të mi *

   që më thonë përditë: »Ku është Hyji yt?«

 

Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *

   Përse gjëmon në mua?

Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *

   Shëlbuesin tim, Hyjin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë: kur do ta shoh fytyrën e tij.

 

Ant. 2 Tregoje, o Zot, dritën e faljes sate.

 

   Kënga Sir 36, 1-6. 13-16 Lutja për popullin e shenjtë të Zotit

 

   E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin (Gjn 17, 3).

 

Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë, *

   dhe përshkoji me frikën tënde të gjithë paganët *

 

Ngrite dorën tënde mbi kombet e huaja *

   që ta shohin pushtetin tënd.

Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, *

   ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre,

 

që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne, *

   se s'ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot.

Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë, *

   jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë,

 

Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit, *

   ktheju pronat si në fillim.

 

Ki mëshirë për popullin tënd

   që quhet me emrin tënd, *

   për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd.

Ki dhimb për Qytetin tënd të shenjtë, *

   për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd.

Mbushe Sionin me madhërinë tënde *

   e me lavdinë tënde Tempullin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Tregoje, o Zot, dritën e faljes sate.

 

Ant. 3 I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë qiellore.

 

   Psalmi 19 /18 A/ (2-7) Himn Hyjit krijues

 

   Hyji na e dërgoi në pasi prej qiellit Diellin... për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes (Lk 1, 78. 79).

 

Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *

   kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!

Dita ditës ia përsërit këtë gjë *

   e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.

 

E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *

   po as zë që do të mund të dëgjohet,

megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *

   diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!

 

Diellit në to ia ngrehu tendën: †

   del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *

   thua vigani pash më pash i bie sheshit!

Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †

   udha e tij kapet në skajin tjetër, *

   asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë qiellore.

 

   Leximi i shkurtër Fu 19, 17. 20-23

 

   I huazon Zotit, kush ka mëshirë për skamnorin, e Zoti do ta shpërblejë. Dëgjoje këshillin e pranoje disiplinën që të jesh i urtë në ditët e tua të fundit. Shumë sendërgjime ka në zemrën e njeriut, por bëhet ashtu si është vullneti i Zotit. Mirësia është ajo që e bën njeriun të duhet, më i mirë është skamnori se gënjeshtari. Frika e Zotit shpie në jetë, dhe kush është plot me të s'ka pse e druan të keqen.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Kush e ndihmon vëllain, e shpëton * dhe ndihmon Krishtin.

   Kush e ndihmon vëllain, e shpëton dhe ndihmon Krishtin.

   D Nëse i jep të varfrit, nuk vuan nga uria,

   dhe ndihmon Krishtin.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Kush e ndihmon vëllain, e shpëton dhe ndihmon Krishtin.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Duani dhe falni sikurse edhe Ati juaj, thotë Zoti.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Duani dhe falni sikurse edhe Ati juaj, thotë Zoti.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

I bekuar qoftë Zoti Atë, i cili na e dha mundësinë që në këtë kohë të kreshmëve t'ia paraqesim flinë e lavdit. Ta thërrasim me fjalët:

 

   O Zot, na forco në mësimin qiellor.

 

O Zot i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, na e jep shpirtin e lutjes dhe të ikjes nga e keqja

që të digjemi nga dashuria për Ty dhe për njerëz.

Bëj që të bashkëpunojmë me Ty për ripërtëritjen e çdo gjëje në Krishtin Jezus

dhe në këtë mënyrë bota të mbushet me drejtësi dhe paqe.

Na e zbulo kuptimin e brendshëm dhe vlerën e çdo krijese

që duke të lavdëruar Ty, të bashkohemi me të gjitha krijesat për Të madhëruar Ty, Krijuesin dhe Shëlbuesin tonë.

Na fal o Zot, sepse praninë e Krishtit nuk e kemi njohur tek të varfrit dhe tek të sëmurët

dhe kështu nuk e kemi nderuar Birin tënd në vëllezërit tanë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti përcakton pendesën trupore për mjekim shërues të shpirtit, bëj të agjërojmë prej çdo mëkati, që shpirti ynë t’i zbatojë urdhërimet e dashurisë sate. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.