Lavdet e mëngjesit
Java e dytë e kreshmëve – e martë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e dytë e kreshmëve – e martë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
të çahet errësira e mendjes,
të kthejë drita e virtytshme,
që mbi tokë përtërin ditën.
Duke dhënë kohën e duhur,
jepi zemrës ti pendimin,
pasi mirësia jote
i dhuron edhe mëshirimin.
Një farë pendese jepna,
të durojmë për zbutje fajesh,
sado që janë të mëdhaja,
më e madhe është mëshira jote.
Po afrohet dita jote,
me të cilën ndrit çdo gjë,
me hirin tënd hyjnor
të gëzohemi të përtërirë.
Ty gjithësia e sendeve,
të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Dërgoje të vërtetën tënde dhe të dritën tënde: le të më prijnë në malin tënd të shenjtë.
Psalmi 43 /42/ (1-5) Dëshira për Shenjtëroren e Hyjit
Unë ‑ drita ‑ erdha në botë (Gjn 12, 46).
Ma jep të drejtën, o Hyj, †
mbroje çështjen time prej gjindes së pafe, *
më shpëto prej njeriut të keq e dinak.
Sepse ti je Hyji i strehimit tim, †
përse më dëbon, *
përse të endem i trishtuar,
i shkelur prej armiqve?
Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: †
ato le të më prijnë, le të më përcjellin *
në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
Atëherë do të hyj te altari i Hyjit, *
tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, *
ty, o Hyj, Hyji im!
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Dërgoje të vërtetën tënde dhe dritën tënde: le të më prijnë në malin tënd të shenjtë.
Ant. 2 Për çdo ditë të jetës, na shpëto, o Zot.
Kënga Is 38, 10-14. 17-20 Ankthet e të braktisurit, gëzimet e të shëruarit
Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë... unë kam pushtet përmbi Vdekjen (Zb 1, 17-18).
Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia †
unë po shkoj në dyert e Nëntokës; *
u luta për tepricën e viteve të mia.
Thashë: S'do ta shoh më Zotin Hyj *
në tokën e të gjallëve,
nuk do të shoh më askënd *
ndër banorët e kësaj bote.
Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje *
porsi tenda e barinjve,
si vektari ma mbështolli jetën, †
e prej shulit po më këput. *
Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!
Përmbys klith deri në mëngjes, *
porsi luani kështu m'i copëton të gjitha eshtrat:
Cicërij si dallëndyshja, *
gjëmoj porsi pëllumbesha;
sytë m'u këputën *
lart duke shikuar!
Ti shpëtove shpirtin tim *
nga gropa e asgjësimit,
sepse i hodhe pas shpinës sate *
të gjitha mëkatet e mia.
Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, *
Vdekja ty lavde s'të këndon;
ata që zbresin në gropë *
nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron *
siç po bëj edhe unë sot;
babai ua mëson fëmijëve *
besnikërinë tënde.
Më shpëto, o Zot, †
e ne do të të këndojmë me harpë *
në të gjitha ditët e jetës sonë
në Shtëpinë e Zotit.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Për çdo ditë të jetës, na shpëto, o Zot.
Ant. 3 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion. †
Psalmi 65 /64/ (2-14) Gëzimi i krijesave të Hyjit për provaninë e tij
Hyji i gjallë... ju dërgoi nga qielli shi e stinë të begatshme, ju mbushi me ushqime e zemrat tuaja i mbushi me gëzime (Krh. Vap 14, 15. 17).
Ty, o Hyj, të përket himni në Sion, *
† për nderin tënd u plotësoftë kushti në Jerusalem!
Tek ti që i dëgjon uratat *
do të vijë çdo njeri i ngarkuar me mëkate.
Fajet tona janë më të forta se ne, *
por ti i zhbin mëkatet tona.
Lum ai që ti zgjodhe dhe e more ngjat vetes: *
ai banon në Shtëpinë tënde.
Do të ngihemi me të mirat e Shtëpisë sate, *
me shenjtërinë e Tempullit tënd.
Ti na ndihmon me mrekullitë e drejtësisë sate, †
o Hyj i shpëtimit tonë, *
shpresa e mbarë skajeve të tokës e të detit të largët.
Ti i forcon malet me fuqinë tënde, *
i ngjeshur me pushtet,
ti qetëson tërbimin e deteve, *
gjëmën e valëve të tija dhe rrëmujën e popujve.
Edhe ata që jetojnë në skajet e botës †
mbesin të habitur nga mrekullitë e tua, *
me gëzim i mbush dyert e mëngjesit e të mbrëmjes!
Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit, *
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë: *
ti bën të rriten drithëra për njerëz!
Tokën ti kështu e përgatit: †
hullitë ia lag, bucat ia imtëson, *
me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
E kurorëzon vitin me mirësinë tënde, *
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi, *
mballesat bregoreve ngjeshën me hare,
livadhet janë të veshura me dhen, †
luginat mbulohen me drithëra: *
gjithkah këngë e brohoritje me hare!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion.
Leximi i shkurtër Sir 4, 1-5
Mos ia moho lëmoshën skamnorit dhe sytë e tu mos i ik nga i vobekti. Mos e trishto atë që ka uri dhe mos e ngacmo skamnorin në skamjen e tij. Mos e mundo zemrën e skamnorit, mos vono t'ia japësh ndihmën atij që është ngushtë. Mos e përbuz lutjen e nevojtarit, e mos e largo fytyrën prej skamnorit. Mos i largo sytë e tu prej skamnorit për shkak të hidhërimit, mos i lër vend të mallkojë përmbas.
Përgjigjja e shkurtër
C Lum njeriu që kujdeset për të dobëtin: * Zoti do të kujdeset për të.
Lum njeriu që kujdeset për të dobëtin: Zoti do të kujdeset për të.
D Do të bëjë që të jetojë i lumtur mbi tokë: Zoti do të kujdeset për të.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Lum njeriu që kujdeset për të dobëtin: Zoti do të kujdeset për të.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Vetëm një është Mësuesi juaj, që është në qiell: Krishti Zot.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Vetëm një është Mësuesi juaj, që është në qiell: Krishti Zot.
Lutjet e besimtarëve
Hyji Atë na e dha Birin e vet, Fjalën e cila u bë njeri, që të na bëhet ushqim dhe jetë. Atij t'i falënderohemi dhe me lutje t'i themi:
Fjala e Krishtit banoftë ndër ne.
Na lejo o Zot, që me dëgjimin e shpeshtë të fjalës sate ta përjetojmë këtë kohë të kreshmëve
— që ta nderojmë sa më me përkushtim Krishtin për Pashkët e sivjetshme.
Shpirti yt le të na mësojë, o Zot
— që ata që bredhin dhe ata që dyshojnë t'i nxisim për vepra të mira.
Na ndihmo, o Zot, që sa më thellë të na përshkojë misteri i Krishtit
— dhe me jetën tonë ta dëftojmë sa më mirë.
Pastroje dhe ripërtërije Kishën tënde në këtë kohë shëlbimprurëse
— që të japë sa më shumë dëshmi feje dhe dashurie.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ruaje, po të lutemi, o Zot, Kishën tënde me mirësi të vazhdueshme, dhe, pasi njeriu pa ty është i luhatshëm, ruaje gjithmonë me ndihmën tënde nga rreziqet, dhe drejtoje kah shëlbimi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.