Lavdet e mëngjesit
Java e dytë e kreshmëve – e mërkurë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e dytë e kreshmëve – e mërkurë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
të çahet errësira e mendjes,
të kthejë drita e virtytshme,
që mbi tokë përtërin ditën.
Duke dhënë kohën e duhur,
jepi zemrës ti pendimin,
pasi mirësia jote
i dhuron edhe mëshirimin.
Një farë pendese jepna,
të durojmë për zbutje fajesh,
sado që janë të mëdhaja,
më e madhe është mëshira jote.
Po afrohet dita jote,
me të cilën ndrit çdo gjë,
me hirin tënd hyjnor
të gëzohemi të përtërirë.
Ty gjithësia e sendeve,
të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 E shenjtë është udha jote: cili hyj është i madh si ti, o Zot?
Psalmi 77 /76/ (2-21) Hyji i ripërtërin mrekullitë e dashurisë së tij
Nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë (2Kor 4, 8. 14).
Drejt Zotit e ngrita zërin tim, *
drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon.
Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin, †
natën drejt tij i lartësoj duart e mia
e nuk lodhem, *
por shpirti im nuk gjen ngushëllim,
më bie në mend Hyji dhe fshaj, *
e kujtoj e më paket fryma.
Hapur m’i mban qepallat e syve të mi, *
i tronditur jam e nuk mund të flas.
Mendoj ditët e kaluara, *
më bien në mend vitet e lashta.
Mendoj natën në zemrën time, *
përsiat dhe shpirti im shqyrton:
Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë, *
dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë?
A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij, *
premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë?
Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje, *
i zemëruar thua cak i vuri mëshirës së vet?
Dhe thashë: »Ja, plaga ime: *
është shndërruar e djathta e Tejetlartit.«
Në mend me bien veprat e Zotit, *
i kujtoj mrekullitë e tua qysh prej fillimit.
Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua, *
meditoj mbi veprat e tua të larta.
O Hyj, të shenjta janë udhët e tua, *
cili hyj është i madh si Hyji ynë?
Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli, *
mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde.
Me të djathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd, *
bijtë e Jakobit e të Jozefit.
Të panë ujërat, o Hyj, †
të panë ujërat e u zmbrapsën, *
u trazuan deri edhe humnerat!
Riguan retë ujëra, †
dhanë retë gjëmat e veta *
shigjetat e tua fluturuan!
Bubullima jote jehoi në stuhi, †
vetëtimat shndritën rruzullin e Tokës, *
u tund Toka dhe u trand!
Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha, *
gjurmët e tua askush nuk i njeh.
Porsi grigjës i prive popullit tënd, *
me dorë të Moisiut e të Aronit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E shenjtë është udha jote: cili hyj është i madh si ti, o Zot?
Ant. 2 Shpirti im brohorit në Zotin: është ai që përul dhe lartëson.
Kënga 1 Sam 2, 1-10 Gëzimi dhe shpresa e të përvuajturve është në Zotin
I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit. Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë (Lk 1, 52-53).
Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit, *
m'u trash krahu në saje të Hyjit tim;
hapur e kam gojën kundër armiqve të mi, *
sepse më gëzove me bamirësinë tënde.
Askush s'është i shenjtë krahas me Zotin, †
sepse përveç teje tjetër s'ka! *
Nuk ka të fortë porsi Hyji ynë!
Oh, mos flisni fjalë të mëdha krenie, *
larg gojës suaj fjalët me madhështi:
sepse Hyji është Zoti që di gjithçka *
e prej tij peshohen veprimet!
Harku i të fortëve u thye, *
kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!
Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje, *
kurse të uriturit më s'sprovojnë skamje.
Beronja lindi fëmijë me shumicë, *
kurse ajo që pati shumë u shua.
Zoti bën që të vdiset e të jetohet, *
plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.
Zoti bën skamnor e të pasur, *
përul edhe lartëson;
prej pluhuri e ngre varfanjakun, *
prej llomit e lartëson skamnorin,
që të rrijë me princa, *
që ta zërë vendin e nderit.
Sepse të Zotit janë shtyllat e tokës *
mbi to e vendosi botën.
Ai i ruan hapat e besnikut të vet, †
në errësirë do të zhduken keqbërësit, *
s'është forca që burrin e bën burrë!
Zoti do t'i ndrydhë kundërshtarët e vet, *
prej qiellit mbi ta thekshëm do të bubullijë!
Zoti do ta gjykojë mbarë botën, †
sundimin do t'ia japë mbretit të vet, *
Ai do t'ia ngrejë ballin Mesisë së vet!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Shpirti im brohorit në Zotin: është ai që përul dhe lartëson.
Ant. 3 Zoti mbretëron, le të galdojë toka. †
Psalmi 97 /96/ (1-12) Lavdia e Zotit në gjykim
Ky psalm bën fjalë për shëlbimin dhe për fenë e të gjithë popujve në Krishtin (Shën Atanazi).
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
† le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Zjarri shkon përpara tij *
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tij e shndritin botën, *
sheh Toka e dridhet!
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
galduan bijat e Judës. *
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
i shpëton prej dorës së mëkatarit.
Lindi drita për të drejtin, *
e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti mbretëron, le të galdojë toka.
Leximi i shkurtër Lp 7, 6. 8-9
Ti je popull i kushtuar Zotit, Hyjit tënd; e njëmend, prej të gjithë popujve që janë përmbi tokë, Zoti, Hyji yt, ty të ka zgjedhur të jesh për të popull që veçanërisht i përket; sepse Zoti ju do dhe e mban përbetimin që u bëri etërve tuaj. Kjo qe arsyeja që ju nxori me dorë të fuqishme dhe t’u shpëtoi prej shtëpisë së skllavërisë, prej dorës së faraonit, mbretit të Egjiptit. Prandaj, dije se Zoti, Hyji yt, është Hyj i vërtetë. Ai është Hyj besnik që e mban Besëlidhjen e vet dhe që i mëshiron ata që e duan dhe që i zbatojnë urdhërimet e tija në mijëra brezni.
Përgjigjja e shkurtër
C Bëj që ta njoh udhën e urdhërimeve të tua: * do të meditoj mbi mrekullitë tua.
Bëj që ta njoh udhën e urdhërimeve të tua: do të meditoj mbi mrekullitë tua.
D Bëj që t’i kuptoj, o Zot, dëshirat e tua:
do të meditoj mbi mrekullitë tua.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Bëj që ta njoh udhën e urdhërimeve të tua: do të meditoj mbi mrekullitë tua.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Biri i njeriut erdhi për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Biri i njeriut erdhi për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë.
Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë Zotin Atë i cili na e pastron zemrën dhe na e forcon dashurinë me ndikimin dhe veprimin e Shpirtit Shenjt. T'i drejtohemi pra Hyjit me këto fjalë:
Jepe, o Zot, Shpirtin tënd të Shenjtë.
Bëj që gjithmonë t'i pranojmë të mirat tua me ndjenja falënderimi
— por që me durim t'i pranojmë edhe vështirësitë që mund të na vijnë.
Na ndihmo që të mos tregojmë dashuri vetëm në gjërat e mëdha
— por na ndihmo që dashurinë ta realizojmë edhe në gjëra të vogla të jetës së përditshme.
Bëj që të mohojmë çdo gjë që është e tepërt
— që të mund t'iu ndihmojmë vëllezërve që janë në vështirësi.
Bëj që në trupin tonë ta bartim flijimin e Birit tënd
— i cili na ngjalli në trupin e vet.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ruaje, o Zot, familjen tënde dhe bëj të përparojë përherë në vepra të mira; ngushëlloje ti vetë me ndihmën tënde gjatë kësaj jete tokësore, e, i mëshirshëm, përcille drejt të mirave të amshuara. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.