Lavdet e mëngjesit
Java e dytë e kreshmëve – e enjte
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e dytë e kreshmëve – e enjte
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
të çahet errësira e mendjes,
të kthejë drita e virtytshme,
që mbi tokë përtërin ditën.
Duke dhënë kohën e duhur,
jepi zemrës ti pendimin,
pasi mirësia jote
i dhuron edhe mëshirimin.
Një farë pendese jepna,
të durojmë për zbutje fajesh,
sado që janë të mëdhaja,
më e madhe është mëshira jote.
Po afrohet dita jote,
me të cilën ndrit çdo gjë,
me hirin tënd hyjnor
të gëzohemi të përtërirë.
Ty gjithësia e sendeve,
të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Zgjoje, o Zot, pushtetin tënd, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo.
Psalmi 80 /79/ (2-20) Vizito, o Zot, vreshtin tënd
Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
për të na shpëtuar!
O Hyj, deh, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
në lutjen e popullit tënd?
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
e armiqtë tanë po qeshen me ne.
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
U mbuluan malet me hijen e tij, *
me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
shermendet i qiti deri në Lumë.
Gardhin pse ia theve *
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
e kulloti çdo egërsirë.
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
shikoje nga qielli e shihe, *
eja, shihe këtë vresht,
deli zot se ti vetë e mbolle: *
djalit që për vete e rrite.
Ata që e dogjën dhe e prenë *
le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zgjoje, o Zot, pushtetin tënd, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo.
Ant. 2 Punë të mëdha bëri Zoti, mbarë popujt le t’i njohin veprat e tija.
Kënga Is 12, 1-6 Brohoritja e popullit të shëlbuar
Kush ka etje le të vijë tek unë! (Gjn 7, 37).
Të falënderoj, o Zot, †
se, megjithëse ishe zemëruar kundër meje, *
u qetësua hidhërimi yt e ti më ngushëllove.
Qe, Hyji Shëlbuesi im, *
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti, *
Ai është shpëtimi im.«
Me galdim do të merrni ujë *
nga burimet e shëlbimit.
Edhe thoni atë ditë: *
»Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija, *
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli, *
le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit, *
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Punë të mëdha bëri Zoti, mbarë popujt le t’i njohin veprat e tija.
Ant. 3 Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë. †
Psalmi 81 /80/ (2-17) Përtëritje madhështore e besëlidhjes
Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe e të pafe (Heb 3, 12).
Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë, *
† brohoritni Hyjit të Jakobit!
Le të tingëllojë cetra, të ushtojë tupani, *
harpa e këndshme e cetra të jehojnë!
Le të ushtojë boria e hënës së re, *
në hënën e plotë, ditën e së kremtes sonë!
Sepse kjo është ligj për Izraelin, *
urdhëresë e dhënë prej Hyjit të Jakobit,
urdhër që iu dha Jozefit, *
kur doli prej tokës së Egjiptit.
Dëgjova një zë që s’e njihja: †
»Nga barra krahët ia çlirova, *
nga duart ia hoqa shportën.
Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova, †
të jam përgjigjur i fshehur në stuhi, *
të vura në provë tek uji i Meribës.
Dëgjo, populli im, dua të të qortoj: *
oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael!
Pranë teje tjetër zot të mos kesh, *
zot të huaj mos adhuro!
Sepse unë Zoti jam Hyji yt, †
unë që të nxora nga dheu i Egjiptit, *
hape gojën tënde se dua ta mbush!
Por populli im s’e dëgjoi zërin tim, *
Izraeli nuk pati kujdes për mua.
Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre, *
le të jetojnë si u pëlqen atyre.
Po, sikur të më dëgjonte mua populli im, *
sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,
po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij, *
do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.
Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë, *
fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim.
Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë, *
do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë.
Leximi i shkurtër Krh. 1 Mbr 8, 51-53a
Ne jemi populli yt e prona jote, të cilët ti i nxore prej tokës së Egjiptit, prej furrës së shkrirjes së hekurit! Priri sytë e tu mbi uratën e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, e dëgjo gjithçka që do të kërkojnë prej teje. Sepse ti, o Zot, i ndave veçmas prej të gjithë popujve që janë mbi tokë për pronën tënde.
Përgjigjja e shkurtër
C Të pëlqefshin fjalët e mia, * o Zot i shpëtimit tim.
Të pëlqefshin fjalët e mia, o Zot i shpëtimit tim.
D Para teje mendimet e zemrës sime,
o Zot i shpëtimit tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Të pëlqefshin fjalët e mia, o Zot i shpëtimit tim.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. O Bir, ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. O Bir, ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.
Lutjet e besimtarëve
Hyji na u shfaq në Krishtin. T'i japim nder e lavdi mirësisë së tij dhe me gjithë zemër ta lusim:
Kujtona, o Zot, sepse jemi bijtë e tu!
Bëj të depërtojmë sa më thellë në misteret e Kishës
— në mënyrë që për ne dhe për të gjithë njerëzit Kisha të bëhet sakrament shëlbimi.
Ti dashamir i njerëzve, bëj të kontribuojmë në përparimin e shoqërisë njerëzore
— dhe në gjithçka të kërkojmë Mbretërinë tënde.
Jezu Krishti na u dëftua si burim i ujit të gjallë
— bëj që të drejtohemi kah Ai dhe për Të të kemi etje.
Na i fal mbrapshtitë tona
— dhe hapat tanë drejtoi kah drejtësia dhe shenjtëria.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, dashurues dhe ripërtëritës i pafajësisë, drejtoji kah ti zemrat e besimtarëve të tu, kështu që, në saje të hirit të Shpirtit Shenjt, të jenë të qëndrueshëm në fe dhe plot fryte në vepra të mira. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.