Lavdet e mëngjesit

Java e tretë e kreshmëve – e hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e tretë e kreshmëve – e hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tashmë, Krisht, diell drejtësie,

   të çahet errësira e mendjes,

   të kthejë drita e virtytshme,

   që mbi tokë përtërin ditën.

 

   Duke dhënë kohën e duhur,

   jepi zemrës ti pendimin,

   pasi mirësia jote

   i dhuron edhe mëshirimin.

 

   Një farë pendese jepna,

   të durojmë për zbutje fajesh,

   sado që janë të mëdhaja,

   më e madhe është mëshira jote.

 

   Po afrohet dita jote,

   me të cilën ndrit çdo gjë,

   me hirin tënd hyjnor

   të gëzohemi të përtërirë.

 

   Ty gjithësia e sendeve,

   t’adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Lum ata që banojnë në Shtëpinë tënde, o Zot!

 

   Psalmi 84 /83/ (2-13) Dëshira për tempullin e Zotit

 

   Nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin (Heb 13, 14).

Sa të dashura janë banesat e tua, *

   o Zoti i Rruzullimit!

Shpirti im shkrihet e meket *

   për pallatet e Zotit.

 

Zemra ime e trupi im *

   i brohoritin Hyjit të gjallë.

 

Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *

   edhe turtulli çerdhen e vet

   ku i vë zogjtë e vet:

e unë altarët e tu, o Zoti i ushtrive, *

   Mbreti im e Hyji im!

 

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *

   do të të lavdërojnë për amshim.

Lum ai që në ty gjen forcën *

   dhe vendos për shtegtim të shenjtë.

Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †

   e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *

   sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.

 

Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *

   derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *

   më vështro, o Hyji i Jakobit.

Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *

   shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!

 

Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *

   se të tjera me mijëra!

Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *

   më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.

 

Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *

   ai dhuron hirin e nderin.

Zoti nuk ua mohon të mirat *

   atyre që jetojnë të pafajshëm.

 

O Zot Sabaot, *

   lum njeriu që shpreson në ty!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Lum ata që banojnë në Shtëpinë tënde, o Zot!

 

Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!

 

   Kënga Is 2, 2-5 Qyteti i ri i Hyjit, qendra e mbarë njerëzimit

 

   Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë para Teje (Zb 15, 4).

 

Do të ndodhë në kohën e ardhshme:

   mali i Shtëpisë së Zotit *

   do të vendoset mbi majën e maleve,

 

e do të ngallitë përmbi kreshta *

   dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.

 

Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë:

   »Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, *

   në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit

 

që të na i mësojë udhët e tija *

   e të ecim shtigjeve të tija,«

sepse nga Sioni do të dalë Ligji *

   dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.

 

Ai do të jetë gjykatësi i popujve *

   dhe do t'i gjykojë fiset e shumta,

shpatat e veta do t'i kthejnë në plorë *

   e heshtat në drapërinj.

 

Një popull nuk do të ngritë shpatën

   kundër një populli tjetër *

   dhe më s'do të ushtrohen për luftë.

Eja, o shtëpia e Jakobit, *

   të ecim në dritën e Zotit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!

 

Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni emrin e tij.

 

   Psalmi 96 /95/ (1-13) Zoti mbret dhe gjykatës i gjithësisë

 

   Këndonin një këngë të re para fronit të qengjit (Krh. Zb 14, 3).

 

Këndoni Zotit një këngë të re! *

   Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *

   shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!

 

Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *

   ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

Sepse i madh është Zoti,

   - tejet i denjë për t’u lavdëruar, *

   më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!

 

Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *

   kurse Zoti e ka krijuar qiellin.

Para tij është shkëlqimi e lavdia, *

   në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!

 

Jepni Zotit, familjet e popujve, †

   jepni Zotit nder e fuqi, *

   jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

 

Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tija, *

   adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *

   Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«

 

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *

   i gjykon popujt me drejtësi.

 

Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †

   Le të buçasë deti me ç’ka në të, *

   le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,

 

le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †

   para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *

   sepse po vjen për të gjykuar tokën!

 

Do ta gjykojë botën me drejtësi, *

   do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni emrin e tij.

 

   Leximi i shkurtër Dal 19, 4-6a

 

   Ju vetë patë se çfarë u bëra egjiptianëve, se si juve ju kam bartur mbi krahët e shqiponjave e ju kam sjellë deri tek unë. Prandaj, nëse do të ma dëgjoni fjalën e do ta mbani Besëlidhjen time, ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, ‑ imja është mbarë toka. Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh, e një popull i shenjtë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Paqe e madhe * për ata që e duan ligjin tënd.

   Paqe e madhe për ata që e duan ligjin tënd.

   D Të ndjekësh urdhërimet e tua është gëzim i vërtetë

   për ata që e duan ligjin tënd.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Paqe e madhe për ata që e duan ligjin tënd.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Për të vërtetë po ju them: asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Për të vërtetë po ju them: asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Bekuar qoftë Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë i cili me vdekjen e vet na hapi rrugën e shëlbimit. T'i lutemi"

 

   O Zot, udhëhiqe popullin tënd rrugës së drejtë.

 

O Zot, i mëshirshëm, me gëzim na e dhe një jetë të re,

bëj që dita-ditës t'i ngjajmë sa më shumë fytyrës sate.

Bëj që ata që janë në vështirësi sot t'i gëzojmë me mirësinë tonë

kështu që duke iu ndihmuar atyre, të të gjejmë Ty.

Na ndihmo që para Teje të veprojmë mirë, drejt dhe sinqerisht

dhe gjithmonë të të kërkojmë me zemër të gatshme dhe bujare.

Na fal mirësisht për çdo gjë që kemi gabuar kundër unitetit të familjes sate

dhe bëj që të jemi një shpirt dhe një zemër.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Kishën tënde, o Zot, pastroje dhe forcoje me dashurinë tënde të vazhdueshme, dhe pasi s’mund të qëndrojë pa ndihmën tënde, mos ia mungo kurrë drejtimin. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.