Lavdet e mëngjesit
Java e tretë e kreshmëve – e enjte
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e tretë e kreshmëve – e enjte
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
të çahet errësira e mendjes,
të kthejë drita e virtytshme,
që mbi tokë përtërin ditën.
Duke dhënë kohën e duhur,
jepi zemrës ti pendimin,
pasi mirësia jote
i dhuron edhe mëshirimin.
Një farë pendese jepna,
të durojmë për zbutje fajesh,
sado që janë të mëdha,
më e madhe është mëshira jote.
Po afrohet dita jote,
me të cilën ndrit çdo gjë,
me hirin tënd hyjnor
të gëzohemi të përtërirë.
Ty gjithësia e sendeve,
të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qytet i Hyjit.
Psalmi 87 /86/ (1-7) Jerusalemi, nëna e të gjithë popujve
Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
se të gjitha banesat e Jakobit.
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
o Qyteti i Hyjit!
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
ndër ato që më njohin; †
ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
- edhe ato lindën atje.«
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
»Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
»Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qytet i Hyjit.
Ant. 2 Ja, po vjen Zoti me fuqi dhe me të është shpagimi i tij.
Kënga Is 40, 10-17 Bariu i mirë: Hyji i Tejetlarti dhe i Gjithëdijshmi
Ja, unë po vij për së shpejti! Edhe shpërblimi im me mua (Zb 22, 12).
Qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, *
zotëron krahu i tij:
ja, me të është shpagimi i tij, *
e para tij shpërblimi i tij!
Si bariu e kullot grigjën e vet, *
në dorë i merr qengjat,
ngrykë i mbart; *
i këqyr me kujdes pëllejat.«
Kush me grusht e ka matur ujët e detit *
e me pëllëmbë përmasat e qiellit?
Kush e mati me babune pluhurin e tokës, †
e i peshoi me peshore malet *
dhe me kandar kodrat?
Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? *
Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?
Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, *
ia mësoi udhën e drejtësisë,
e thelloi atë në urtësi, *
ia tregoi udhën e dijes?
Ja, popujt janë një pikë uji të kovës, †
çmohen si një kokërr pluhur në peshore, *
sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.
Libani është i vogël për turrë të druve, *
fli shkrumbimi s'dalin kafshët e tija.
Asgjë s'janë para Tij të gjithë popujt, *
për asgjë e tytësi Ai i mban.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ja, po vjen Zoti me shpejtësi dhe me të është shpagimi i tij.
Ant. 3 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, bini përmbys para tij.
Psalmi 99 /98/ (1-9) Shenjt është Zoti Hyji ynë
Ti je përmbi kerubinë, ti që e shndërrove gjendjen e mjerueshme të botës kur u bëre sikur ne (Shën Atanazi).
Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *
Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!
I madh është Zoti në Sion, *
i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.
Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *
sepse është i shenjtë.
Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †
ti ke caktuar ç’është e drejtë, *
gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.
Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †
bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija, *
sepse është i shenjtë.
Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †
Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *
e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.
Nga shtylla e resë fliste me ta: †
i dëgjonin urdhërimet e tija *
edhe Ligjet që ua kishte dhënë.
O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †
O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *
edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.
Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †
adhuroni në malin e tij të shenjtë, *
sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, bini përmbys para tij.
Leximi i shkurtër Is 57, 17-21
Për shkak të horrjatisë së tij u zemërova, e godita dhe e fsheha fytyrën time dhe kundër tij u hidhërova, e ai u end udhës së zemrës së vet. I pashë udhët e tija, por do ta shëroj e do ta kthej, do ta ngushëlloj atë dhe ata që qajnë bashkë me të.
Do të vë fjalët e lavdit në buzët e tija. Paqe, paqe për atë që është larg e afër, thotë Zoti, dhe do ta shërojë. Të paudhët janë porsi deti me valë që nuk di të qetësohet, valët e të cilit lym e baltë vjellin. Thotë Hyji im: “S'kanë paqe të paudhët!”
Përgjigjja e shkurtër
C Paqe e madhe * për ata që e duan ligjin tënd.
Paqe e madhe për ata që e duan ligjin tënd.
D Të ndjekësh urdhërimet e tua është gëzim i vërtetë
për ata që e duan ligjin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Paqe e madhe për ata që e duan ligjin tënd.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit, thotë Zoti.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit, thotë Zoti.
Lutjet e besimtarëve
Jezu Krishti u shfaq si drita e botës, që të mos ecim në errësirë por ta kemi dritën e jetës. Atin, Zotin tonë, ta lavdërojmë dhe t'i drejtohemi me lutje të përzemërt:
Fjala jote le të bëhet dritë e këmbëve tona.
O Atë i mirë, bëj që sot të të përngjajmë Ty sa më shumë
— në mënyrë që ajo që ka rënë në Adamin e parë, të përtërihet në Adamin e dytë.
Le të bëhet fjala jote dritë e vërtetë e këmbëve tona
— në mënyrë që duke përhapur të vërtetën të rritemi në Ty.
Na mëso që për shkak të emrit tënd të veprojmë mirë
— në mënyrë që Kisha jote dita-ditës ta ndriçojë sa më shumë familjen njerëzore.
Na ndihmo që me kthimin e sinqertë ta forcojmë miqësinë me Ty
— dhe fajet e bëra kundër urtisë dhe mirësisë sate, të na falen.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot i mëshirshëm, sa më fort që afrohet e kremtja e shëlbimit tonë, aq më tepër rritet në ne dëshira ta kremtojmë si duhet festën e Pashkëve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.