Lavdet e mëngjesit
Java e katërt e kreshmëve – e diel
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e katërt e kreshmëve – e diel
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Me fytyrë përdhe të lutemi,
të gjithë ne sot të thërrasim,
të qajmë para Gjykatësit,
të ulim flakën hakmarrëse.
Me të zezat tona, o Zot
shpirtmirësinë tënde fyejmë;
nga lart na jep mëshirën
ti që fajet tona shlyen.
Mendo: bijtë e tu ne jemi,
ndonëse nga balta e mraztë,
lutemi mos t’i japësh tjetrit
nderin e emrit tënd.
Pakëso të keqen që bëmë,
shto të mirën që të lypim,
me çka mund të pëlqejmë ty
qysh tash e përgjithnjë.
Na ndihmo, Trini e lume,
na lejo, Njëni e vetme,
për të tutë të jenë të frytshme
këto dhunti të përkora. Amen.
Ant. 1 Ti je Hyji im e të falënderoj Ti je Hyji im e të madhëroj.
Psalmi 118 /117/ (1-29) Këngë gëzimi dhe fitoreje
Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit. –
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti je Hyji im e të falënderoj Ti je Hyji im e të madhëroj.
Ant. 2 Ti, o Zot, mund të na shkëputësh nga duart e dhunuesve: na shpëto, o Zot, Hyji ynë.
Kënga Dan 3, 52-57 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Krijuesi... është i bekuar në amshim (Rom 1, 25).
I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *
i lavdishëm e tesve i lartësishëm në shekuj!
I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, *
tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë, *
tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, *
tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je, ti që shqyrton humnerat
e që rri mbi kerubinë, *
i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti, o Zot, mund të na shkëputësh nga duart e dhunuesve: na shpëto, o Zot, Hyji ynë.
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin: sepse Zoti bëri mrekulli.
Psalmi 150 (1-5) Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Hyjit i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin (Krh. Ef 3, 21).
Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *
madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija, *
lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!
Lavdërojeni me zë të borisë, *
lavdërojeni me harpë e me citarë,
lavdërojeni me tupan e valle, *
lavdërojeni me korda e me fyej!
Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †
lavdërojeni me cimbale brohorie! *
Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin: sepse Zoti bëri mrekulli.
Leximi i shkurtër Is 58, 9cd-11
Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t'ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t'i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s'i mungojnë ujërat.
Përgjigjja e shkurtër
C Atë ditë Krishti ka për të thënë: * Ejani, të bekuarit e Atit tim.
Atë ditë Krishti ka për të thënë: Ejani, të bekuarit e Atit tim.
D Pata uri, dhe më dhatë për të ngrënë:
Ejani, të bekuarit e Atit tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Atë ditë Krishti ka për të thënë: Ejani, të bekuarit e Atit tim.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Viti A:
Ant. Askush askurrë nuk i ktheu dritën e syve një të linduri të verbër, përveçse Krishti, Biri i Hyjit.
Viti B:
Ant. Në saje të dashurisë së madhe me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, Hyji na ngjalli bashkë me Krishtin.
Viti C:
Ant. O atë, rashë në mëkat kundër teje: nuk jam i denjë të quhem yt bir!
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Viti A:
Ant. Askush askurrë nuk i ktheu dritën e syve një të linduri të verbër, përveçse Krishti, Biri i Hyjit.
Viti B:
Ant. Në saje të dashurisë së madhe me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, Hyji na ngjalli bashkë me Krishtin.
Viti C:
Ant. O atë, rashë në mëkat kundër teje: nuk jam i denjë të quhem yt bir!
Lutjet e besimtarëve
Mirësia e Zotit është visar i pakufishëm. Ta lavdërojmë pra Zotin tonë edhe përmes Jezu Krishtit, i cili gjithnjë jeton dhe ndërmjetëson për ne, t'ia drejtojmë lutjen tonë duke thënë:
Ndize në ne zjarrin e dashurisë sate.
O Atë i mëshirës, bëj që sot të bëjmë shumë vepra përshpirtshmërie
— që të gjithë njerëzit ta ndiejnë bujarinë tonë.
Ti në kohën e përmbytjes në ujë e ke shpëtuar Noehin në barkë
— shpëtoji edhe katekumenët në ujin e pagëzimit.
Bëj që të mos kërkojmë të ngihemi vetëm me bukë
— por edhe me çdo fjalë që del nga goja jote.
Na ndihmo t'i largojmë të gjitha mosmarrëveshjet
— por të përshkohemi gëzueshëm me dhuratat e paqes dhe të dashurisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti që me anën e Fjalës sate e pajton mrekullisht gjininë njerëzore, bëj, po të lutemi, që populli i krishterë të përgatitet me nxitim, me përshpirtëri të gatshme dhe me fe të flakët për të kremtet e ardhshme. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.