Lavdet e mëngjesit
Java e Katërt e kreshmëve – e hënë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e Katërt e kreshmëve – e hënë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tashmë, Krisht, diell drejtësie,
të çahet errësira e mendjes,
të kthejë drita e virtytshme,
që mbi tokë përtërin ditën.
Duke dhënë kohën e duhur,
jepi zemrës ti pendimin,
pasi mirësia jote
i dhuron edhe mëshirimin.
Një farë pendese jepna,
të durojmë për zbutje fajesh,
sado që janë të mëdhaja,
më e madhe është mëshira jote.
Po afrohet dita jote,
me të cilën ndrit çdo gjë,
me hirin tënd hyjnor
të gëzohemi të përtërirë.
Ty gjithësia e sendeve,
të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Në mëngjes na ngij me mëshirën tënde, o Zot Hyji ynë.
Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
nga breznia në brezni.
Para se të lindnin malet, †
para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
»Kthehuni, bijtë e Adamit!«
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
janë si dita e djeshme që kaloi, *
porsi ndërresa e rojës së natës!
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
në mbrëmje korret edhe vyshket!
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
të përparojë vepra e duarve tona.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në mëngjes na ngij me mëshirën tënde, o Zot Hyji ynë.
Ant. 2 Mbarë toka le ta lavdërojë Zotin.
Kënga Is 42, 10-16 Himn Zotit fitimtar dhe shpëtimtar
Këndonin një këngë të re para fronit të qengjit (Krh. Zb 14, 3).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
lavdinë e tij prej skajeve të tokës,
le ta lavdërojë deti me gjithçka që mban brenda, *
ishujt me banorët e tyre!
Le ta lartësojë zërin shkretëtira dhe qytetet e saja, *
le të galdojnë fshatrat ku banojnë cedarët,
le të brohorisin banorët e Qetës, *
le të klithin nga kreshtat e bjeshkëve!
Le t'i japin nder Zotit, *
lavdinë e tij ta shpallin nëpër ishuj!
Marshon Zoti porsi trim mbi trima, *
si luftëtar trim flakë e ndez zemërimin,
me britma lufte ushton zëri i tij, *
ngadhënjyes del mbi armiqtë e vet.
»Për një kohë të gjatë unë heshta, shujta, *
qeshë i durueshëm,
tashti do të bërtas si lindësja, *
do të gjëmoj, njëherësh do të turfulloj!
Shkretëtirë do të bëj male e kodra, *
do të përvëloj çdo blerim të tyre,
ishuj lumenjtë do t'i bëj, *
kurse kënetat do t'i përthaj!
Do të bëj të verbëtit të ecin udhës që s'e njohin, *
shtigjeve që s'i njohin t'i bëj të kalojnë,
errësirën para tyre në dritë unë do ta kthej, *
udhët e shtrembra do t'i bëj të drejta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbarë toka le ta lavdërojë Zotin.
Ant. 3 Lëvdojeni Emrin e Zotit, ju që qëndroni në Shtëpinë e Hyjit tonë.
Psalmi 135 /134/ I (1-12) Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpallë veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1 Pjt 2, 9).
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
Izraelin për pronën e vet.
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
në det e në të gjitha humnerat.
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
me vetëtima e prodhon shiun, *
erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
vrau sa mbretër të fortë:
Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
e tokën, pronën e tyre, *
ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lëvdojeni Emrin e Zotit, ju që qëndroni në Shtëpinë e Hyjit tonë.
Leximi i shkurtër Fu 3, 5-6. 11-12
Kije shpresën në Zotin me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në mençurinë tënde. Kije mendjen në të në të gjitha udhët e tua dhe ai do t'i drejtojë hapat e tu. Mos e përbuz, biri im, disiplinën e Zotit e mos të iritet kur ai të qortojë, sepse Zoti qorton atë që do, shi porsi baba fëmijën që e ka për zemër.
Përgjigjja e shkurtër
C Më jep mençurinë * që ta mbaj ligjin tënd.
Më jep mençurinë që ta mbaj ligjin tënd.
D Ma mëso mendjen dhe urtinë
që ta mbaj ligjin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Më jep mençurinë që ta mbaj ligjin tënd.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Një nënpunës i mbretit iu lut Zotërisë: Eja dhe shëroje birin tim që është i sëmurë.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Një nënpunës i mbretit iu lut Zotërisë: Eja dhe shëroje birin tim që është i sëmurë.
Lutjet e besimtarëve
I bekuar qoftë Zoti Atë, i cili na e dha mundësinë që në këtë kohë të kreshmëve t'ia paraqesim flinë e lavdit. Ta thërrasim me fjalët:
O Zot, na forco në mësimin qiellor.
O Zot i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, na e jep shpirtin e lutjes dhe të ikjes nga e keqja
— që të digjemi nga dashuria për Ty dhe për njerëz.
Bëj që të bashkëpunojmë me Ty për ripërtëritjen e gjithçkahes në Krishtin Jezus
— dhe në këtë mënyrë bota të mbushet me drejtësi dhe paqe.
Na e zbulo kuptimin e brendshëm dhe vlerën e çdo krijese
— që duke të lavdëruar Ty, të bashkohemi me të gjitha krijesat për Të madhëruar Ty, Krijuesin dhe Shëlbuesin tonë.
Na fal o Zot, sepse praninë e Krishtit nuk e kemi njohur te të varfrit dhe të sëmurët
— dhe kështu nuk e kemi nderuar Birin tënd në këta vëllezër tanë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Zot, ti që e përtërin botën me sakramente të madhërueshme, po të lutemi, drejtoje Kishën tënde me dije të amshuar dhe mos ia mungo ndihmën tënde të përkohshme. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.