Lavdet e mëngjesit

Java e madhe – E mërkurë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e madhe – E mërkurë

 

Lavdet mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ja kallami, tëmthi e uthulla,

   dhe pështyma, gozhda e heshta;

   trupi i butë anëpëranë shpohet,

   posi dallga gufon gjaku;

   toka, deti, yje e bota,

   ja po lahen në atë lumë.

 

   Ndër të gjithë ti kryq besnik,

   je i vetmi dru fisnik!

   Asnjë pyll si atë nuk qiti,

   as si mugull, degë e lule,

   Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,

   duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.

 

   Përkul degët, dru i lartë,

   shtrij e hap pjesët e brendshme,

   dhe të zbutet fortësia,

   që i dha lindja në fillim

   që gjymtyrët e mbretit t’eper

   le t’i shtrish me trung të butë.

 

   Vetëm ti ke qenë i denjë

   për të marrë çmimin e shekullit,

   dhe t’i përgatitësh skelën

   lundërtar për botë të mbytur,

   që e leu gjaku i shenjtëruar

   nga trupi i Qengjit derdhur.

 

   Njëlloj Atit edhe Birit

   dhe Ngushëlluesit lavdiplotë,

   e përjetshme i qoftë lavdia

   Trinisë Shenjte e të lume,

   që me hirin na dha jetë

   na shpëtoi edhe na ruan. Amen.

 

Ant. 1 Në ditët e ankthit tim duart e mia e kërkojnë Zotin.

 

   Psalmi 77 /76/ (2-21) Hyji i ripërtërin mrekullitë e dashurisë së tij

 

   Nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë (2Kor 4, 8. 14).

 

Drejt Zotit e ngrita zërin tim, *

   drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon.

 

Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin, †

   natën drejt tij i lartësoj duart e mia

   e nuk lodhem, *

   por shpirti im nuk gjen ngushëllim,

 

më bie në mend Hyji dhe fshaj, *

   e kujtoj e më paket fryma.

Hapur m’i mban qepallat e syve të mi, *

   i tronditur jam e nuk mund të flas.

Mendoj ditët e kaluara, *

   më bien në mend vitet e lashta.

Mendoj natën në zemrën time, *

   përsiat dhe shpirti im shqyrton:

 

Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë, *

   dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë?

A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij, *

   premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë?

 

Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje, *

   i zemëruar thua cak i vuri mëshirës së vet?

Dhe thashë: »Ja, plaga ime: *

   është shndërruar e djathta e Tejetlartit.«

 

Në mend me bien veprat e Zotit, *

   i kujtoj mrekullitë e tua qysh prej fillimit.

Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua, *

   meditoj mbi veprat e tua të larta.

 

O Hyj, të shenjta janë udhët e tua, *

   cili hyj është i madh si Hyji ynë?

Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli, *

   mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde.

 

Me të djathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd, *

   bijtë e Jakobit e të Jozefit.

 

Të panë ujërat, o Hyj, †

   të panë ujërat e u zmbrapsën, *

   u trazuan deri edhe humnerat!

 

Riguan retë ujëra, †

   dhanë retë gjëmat e veta *

   shigjetat e tua fluturuan!

 

Bubullima jote jehoi në stuhi, †

   vetëtimat shndritën rruzullin e Tokës, *

   u tund Toka dhe u trand!

 

Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha, *

   gjurmët e tua askush nuk i njeh.

 

Porsi grigjës i prive popullit tënd, *

   me dorë të Moisiut e të Aronit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në ditët e ankthit tim duart e mia e kërkojnë Zotin.

 

Ant. 2 Nëse jemi të vdekur me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë me të.

 

   Kënga 1 Sam 2, 1-10 Gëzimi dhe shpresa e të përvuajturve është në Zotin

 

   I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit. Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë (Lk 1, 52-53).

 

Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit, *

   m'u trash krahu në saje të Hyjit tim;

hapur e kam gojën kundër armiqve të mi, *

   sepse më gëzove me bamirësinë tënde.

 

Askush s'është i shenjtë krahas me Zotin,

   sepse përveç teje tjetër s'ka! *

   Nuk ka të fortë porsi Hyji ynë!

 

Oh, mos flisni fjalë të mëdha krenie, *

   larg gojës suaj fjalët me madhështi:

sepse Hyji është Zoti që di gjithçka *

   e prej tij peshohen veprimet!

Harku i të fortëve u thye, *

   kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!

 

Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje, *

   kurse të uriturit më s'sprovojnë skamje.

Beronja lindi fëmijë me shumicë, *

   kurse ajo që pati shumë u shua.

 

Zoti bën që të vdiset e të jetohet, *

   plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.

Zoti bën skamnor e të pasur, *

   përul edhe lartëson;

 

prej pluhuri e ngre varfanjakun, *

   prej llomit e lartëson skamnorin,

që të rrijë me princa, *

   që ta zërë vendin e nderit.

 

Sepse të Zotit janë shtyllat e tokës *

   mbi to e vendosi botën.

 

Ai i ruan hapat e besnikut të vet,

   në errësirë do të zhduken keqbërësit, *

   s'është forca që burrin e bën burrë!

 

Zoti do t'i ndrydhë kundërshtarët e vet, *

   prej qiellit mbi ta thekshëm do të bubullijë!

 

Zoti do ta gjykojë mbarë botën,

   sundimin do t'ia japë mbretit të vet, *

   Ai do t'ia ngrejë ballin Mesisë së vet!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Nëse jemi të vdekur me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë me të.

 

Ant. 3 Krishti Jezus u bë për ne urti, drejtësi, shenjtëri dhe shëlbim.

 

   Psalmi 97 /96/ (1-12) Lavdia e Zotit në gjykim

 

   Ky psalm bën fjalë për shëlbimin dhe për fenë e të gjithë popujve në Krishtin (Shën Atanazi).

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

   e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

   dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tij e shndritin botën, *

   sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

   para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

   të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

   të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

   Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

 

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

   galduan bijat e Judës. *

   për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

 

Sepse ti je, o Zot,

   i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

   ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

   Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

   i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

   e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

   nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Krishti Jezus u bë për ne urti, drejtësi, shenjtëri dhe shëlbim.

 

   Leximi i shkurtër Is 50, 5-7

 

   Zoti Hyj ma hapi veshin, s'kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrihnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s'jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s'do të mbetem i turpëruar.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Në ty, o Zot, shpresova: * kurrë nuk do të dëshpërohem.

   Në ty, o Zot, shpresova: kurrë nuk do të dëshpërohem.

   D Në duart e tua janë ditët e mia:

   kurrë nuk do të dëshpërohem.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Në ty, o Zot, shpresova: kurrë nuk do të dëshpërohem.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Gjaku i Krishtit, që i është ofruar Zotit në Shpirt, na pastron prej veprave të vdekjes për një kult të shenjtë në Hyjin e gjallë.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Gjaku i Krishtit, që i është ofruar Zotit në Shpirt, na pastron prej veprave të vdekjes për një kult të shenjtë në Hyjin e gjallë.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Të bashkuar në celebrimin e vuajtjes së Krishtit, të lutemi:

 

   Na i jep, o Zot, frytet e Pashkës sate

 

O Zot, ti që e pranove shkandullin e kryqit,

na e zbulo lavdinë e ringjalljes sate.

Të tradhtoi një prej miqve të tu,

ruaji besimtarët prej çdo tradhtie.

Në malin e ullinjve e lute Atin tënd që ta largonte kelkun e vuajtjes,

bëj që dhimbja të mos e shuaj asnjëherë në ne besimin dhe lutjen.

Populli që ti e pate zgjedhur e kërkoi mbi vete gjakun tënd,

le të zbresë mbi ne dhe mbi të gjithë njerëzit si pastrues dhe shpëtimdhënës.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të pësojë për ne mundimet e Kryqit për të na liruar prej pushtetit të armikut, bëj që ne, shërbëtorët e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.