Lavdet e mëngjesit

Java e madhe – E Premtja e mundimit të Zotit

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje! .

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” .

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Java e madhe – E Premtja e mundimit të Zotit

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ja kallami, tëmthi e uthulla,

   dhe pështyma, gozhda e heshta;

   trupi i butë anëpëranë shpohet,

   posi dallga gufon gjaku;

   toka, deti, yje e bota,

   ja po lahen në atë lumë.

 

   Ndër të gjithë ti kryq besnik,

   je i vetmi dru fisnik!

   Asnjë pyll si atë nuk qiti,

   as si mugull, degë e lule,

   Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,

   duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.

 

   Përkul degët, dru i lartë,

   shtrij e hap pjesët e brendshme,

   dhe të zbutet fortësia,

   që i dha lindja në fillim

   që gjymtyrët e mbretit t’eper

   le t’i shtrish me trung të butë.

 

   Vetëm ti ke qenë i denjë

   për të marrë çmimin e shekullit,

   dhe t’i përgatitësh skelën

   lundërtar për botë të mbytur,

   që e leu gjaku i shenjtëruar

   nga trupi i Qengjit derdhur.

 

   Njëlloj Atit edhe Birit

   dhe Ngushëlluesit lavdiplotë,

   e përjetshme i qoftë lavdia

   Trinisë Shenjte e të lume,

   që me hirin na dha jetë

   na shpëtoi edhe na ruan. Amen.

 

Ant. 1 Zoti nuk e kurseu të vetmin Birin e tij: e dorëzoi në vdekje për të na shpëtuar të gjithëve.

 

   Psalmi 51 /50/ (3-21)

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *

   pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

 

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *

   e më pastro prej fajit tim!

Sepse e pranoj paudhësinë time: *

   mëkatin tim përherë e kam para sysh.

 

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *

   dhe kam bërë ç’është keq para teje,

prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *

   dhe i paanshëm në dënimin tënd.

 

Ja, mëkatar unë leva, *

   madje në mëkate nëna ime më ngjizi,

por ti që e do çiltërinë e zemrës, *

   m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.

 

Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *

   më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.

Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *

   dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.

 

Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *

   e resiti të gjitha fajet e mia.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *

   përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

Mos më flak larg fytyrës sate, *

   mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *

   dhe më forco me shpirt të gatshëm.

 

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *

   e fajtorët do të kthehen te ti.

Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *

   dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.

 

Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *

   dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *

   e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

 

Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *

   ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!

 

Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *

   ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

 

Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †

   flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *

   atëherë do të mund të kushtohen

   mëzetër mbi altarin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti nuk e kurseu të vetmin Birin e tij: e dorëzoi në vdekje për të na shpëtuar të gjithëve.

 

Ant. 2 Jezu Krishti na ka dashur, dhe në gjakun e tij na ka pastruar nga çdo faj.

 

   Hab 3, 2-4. 13a. 15-19

 

Dëgjova, o Zot ç'thuhet për ty, *

   tmerr, o Zot, më shtjen vepra jote!

Përsërite në ditët tona, *

   në ditët tona qite në pah!

 

Kur të zemërohesh, *

   mos harro i mëshirshëm të jesh!

 

Prej Temanit do të vijë Hyji, *

   Shenjti prej malit Paran.

Madhëria e tij e mbulon qiellin, *

   plot është toka me Lavdinë e tij!

 

Shkëlqimi i tij është porsi drita, †

   qesin rreze duart e tija: *

   aty fshihet fuqia e tij!

 

Dole popullin tënd të shpëtosh, *

   ta shpëtosh të shuguruarin tënd.

Kuajve të tu nëpër det ua hape udhën *

   nëpër baltë të ujërave të mëdha.

Dëgjova e m'u dridh zemra, *

   në atë zë m'u dridhen buzët.

Kalbësira në eshtra më përshkohet, *

   për nën mua më dridhen këmbët.

 

Do të pushoj kur dita e zezë *

   t'i vijë popullit që më pushton!

 

Fiku më nuk do të lulëzojë, †

   fryt në hardhi më nuk do të ketë, *

   nuk do të japë fruta ulliri,

 

nuk do të japin ushqim arat, †

   zbrazët do të mbesë vatha pa dhen, *

   në katua gjedhi nuk do të pëllasë!

 

Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë, *

   do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!

 

Zoti Hyj është forca ime, †

   do të m'i bëjë këmbët si të kaprollit *

   e do të më çojë në malet e larta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Jezu Krishti na ka dashur, dhe në gjakun e tij na ka pastruar nga çdo faj.

 

Ant. 3 E adhurojmë kryqin tënd, o Zot, i brohorasim ringjalljes sate: nga ky dru i jetës gëzimi erdhi në jetë.

 

   Psalmi 147 (1-9)

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *

   madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *

   i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *

   ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *

   lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

E hedh borën porsi lesh, *

   e derdh brymën porsi hi.

E lëshon breshrin porsi kafshatë, *

   kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

 

E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *

   çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *

   drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

 

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *

   asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E adhurojmë kryqin tënd, o Zot, i brohorasim ringjalljes sate: nga ky dru i jetës gëzimi erdhi në jetë.

 

   Leximi i shkurtër Is 52, 13-15

 

   Ja, Shërbëtorit tim për së mbari do t'i shkojnë punët, do të nderohet, do të lartësohet, do të jetë tejet i madhërishëm! Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë ‑ kaq e shëmtuar ishte pamja e tij, ‑ fytyra e tij s'ishte më si e njeriut, aq sa pamja e tij s'ishte më si e bijve të Adamit ‑ po ashtu mbi Të do të mbesin të habitura turmat e popujve, edhe mbretërit do të mbesin gojëhapur, sepse do të shohin atë për çka s'ka qenë treguar e do të kuptojnë atë për çka s'kishin dëgjuar.

 

   Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:

 

   Ant: Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Mbi kokën e tij ishte shkruar: Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Mbi kokën e tij ishte shkruar: Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Jezu Krishti vuajti dhe u varros për ne, në mënyrë që pastaj të ringjallej. Atij, Shëlbuesit tonë me përshpirtëri të sinqertë t'i përkulemi dhe përzemërsisht ta lusim:

 

   O Zot, ki mëshirë.

 

Zot dhe Mësues i ynë, për shkakun tonë u bëre i dëgjueshëm deri në vdekje

na mëso që gjithmonë ta dëgjojmë vullnetin e Atit.

Ti je jeta jonë; vdiqe në dru, në dru e shkatërrove ferrin dhe vdekjen

bëj që edhe ne të vdesim me ty dhe me ty të ringjallemi në lavdinë tënde.

O Mbreti ynë, ti u bëre i tillë që njerëzit të përqeshin dhe të shtypën si krimbin

bëj që edhe ne të vishemi me përvujtërinë tënde shpëtimprurëse.

Shpëtimi ynë, ti e dhe jetën tënde për vëllezërit që i deshe

bëj që me të njëjtën dashuri edhe ne ta duam njëri-tjetrin.

Shpëtimtari ynë, ti në kryq i hape krahët dhe njerëzit e të gjitha kohërave i tërhoqe kah vetja

në mbretërinë tënde mblidhi të gjithë fëmijët e Zotit që janë të shpërndarë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, shikoje me dashuri familjen tënde për të cilën Zoti ynë Jezu Krishti nuk ngurroi të dorëzohej në duart e armiqve dhe të pësonte vuajtjen e kryqit. Ai që është Zot.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.